E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lë qelinë zyrtari i arrestuar prej “Duarve të pastra”



Arjan Sheti, ish-drejtori juridik në Ministrinë e Transporteve la dje qelinë duke i dhënë fund kështu dënimit që iu dha nga Gjjykata e Tiranës. I akuzuari për korrupsion me tenderat e rrugëve përfundoi dje plot 11 muaj burg, aq sa dhe ishte lënë përfundimisht me gjykim të shkurtuar. Arjan Sheti është ndër të fundmit nga grupi i zyrtarëve të Ministrisë që u arrestuan në kuadër të operacionit “Duart e Pastra”, që do të rifitojë lirinë. I vetmi që ka mbetur në qeli tashmë është Ilirian Berzani, ish-kreu i përgjithshëm i Drejtorisë së Rrugëve.
Vendimi
Falë vendimi të djeshëm të togave të zeza, ish-drejtori juridik në Ministrinë e Transporteve, Arjan Sheti la qelinë duke mbyllur kështu hesapet që kishte me drejtësinë shqiptare. Në bazë të ligjit, kur një i pandehur përfundon masën e dënimit duhet t’i drejtohet gjykatës që të firmosë për shuarjen e efekteve të masës së sigurisë ndaj tij dhe në këtë mënyrë rifiton lirinë. Kështu, togat e zeza duhet të llogarisin ditët që Sheti ka qëndruar në qeli dhe nëse ai e ka kryer masën e dënimit të dhënë nga gjykata, firmosin për lirimin e tij.
Operacioni
Arjan Sheti u arrestua me 17 shtator të vitit 2007, në kuadër të operacionit të koduar “Duart e Pastra”. Së bashku me të u arrestua dhe ish-zëvendësministri i Transporteve, Nikolin Jaka, katër zyrtarë të tjerë të kësaj ministrie dhe dy biznesmenë. Ish-zyrtarët akuzohen për abuzime me pesë tendera rrugësh, e konkretisht, rruga paralele me autostradës Tiranë- Vorë, rruga Himarë e Vjetër- Kthesa e Pilurit, rruga Has- Qafë-Prush, rruga Dragobi-Valbonë dhe rruga Dhërmi-Himarë-Qeparo. Aferat korruptive u zbuluan nga përgjimi i telefonatave mes të pandehurve. Pas një maratone të gjatë gjyqësore, gjykata i cilësoi fajtorë dhe dënoi të pandehurit me burg dhe gjobë. Deri më tani, kanë lënë qelinë ish-zëvendësministri Jaka, Bashkim Kamberi, ish-shefi i Sektorit Juridik dhe Prokurimeve, dy biznesmenët Isuf Ukperaj dhe Skënder Bokciu. Sot pritet lirimi i Shetit. Ndërsa në qeli dhe për pak kohë do të vazhdojë të qëndrojë
Ilirian Berzani, ish-drejtori i përgjithshëm i Rrugëve. Dosja penale ndaj këtyre të pandehurve pritet të shqyrtohet në shtator nga Gjykata e Apelit.

Tiranë, arrestohet një i dënuar për shitje narkotikësh

Forcat e policisë së Tiranës arrestuan dje një person të dënuar për shitje të lëndëve narkotike. Burime zyrtare nga policia pohuan dje për gazetën “Albania” se shtetasi Genc Loci, 32 -vjeç, lindur dhe banues në Fushë - Krujë, u arrestua në sheshin “Rilindja” në Tiranë me një sasi bime narkotike kanabis sativa dhe heroinë. Sipas burimeve zyrtare, nga verifikimet e kryera rezultoi se Loci është shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë e ka dënuar me disa vite burgim për veprën penale të "prodhimit dhe shitjes së narkotikëve". Nga burimet e mësipërme mësohet se ky shtetas i'u dorëzua për veprime të mëtejshme Drejtorisë së Policisë së Qarkut Durrës.

6 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›