E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, e tëra në aksion për ndihma ndaj të përmbyturve

Tiranë, 13 Janar NOA - Bashkia e Tiranës
lancoi publikisht sot nismën më të fundit sensibilizuese për mbledhjen e çdo
ndihme dhe kontributi financiar apo material për ti ardhur në ndihmë banorëve
të zonave të përmbytura në Qarkun e Shkodrës, në veriperëndim të
vendit, duke u bërë kështu një shembull i shprehjes së solidaritetit me
ata banorë, të cilët tashmë gjenden në një situatë katastrofe humanitare.

Kutia ku çdo qytetar i kryeqytetit mund të
japë kontributin e tij do të qëndrojë në dispozicion nga ora 08.00 deri në
16.00 dhe më pas të ardhurat e mbledhura do të depozitohen në Bankën Kombëtare
Tregtare, ku është hapur dhe një numër llogarie në ndihmë të zonave të
përmbytura.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama tha se
së bashku me të zgjedhurit në Këshillin Bashkiak si dhe të zgjedhurit në
Njësitë bashkiake jemi këtu për të hapur publikisht dhe për të qenë në kontakt
të vazhdueshëm me publikun e kryeqytetit, procesin e sensibilizimit për
mbledhjen e çdo ndihme solidariteti dhe çdo kontributi, sado të vogël
qoftë financiar, qoftë material.

Rama tha se kjo bëhet në mënyrë që qyteti
ynë, kryeqyteti i Shqipërisë të jetë një shembull i shprehjes së
solidaritetit me fatkeqët e përmbytur, edhe pse jo nga dora e Zotit por nga
dora e robit, në mënyrë që ata të mos ndihen vetëm, në mënyrë që askush ndër ta
të mos ndihet ashtu sikundër askush ndër ne nuk do të donte të ndihej, i
gjendur në atë situatë katastrofike. 

Ne kemi vënë në dispozicion të kësaj lëvizjeje
qytetare, - tha Rama, - të gjithë punonjësit dhe punonjëset e shërbimeve tona
sociale, njësitë bashkiake po ashtu janë të angazhuara me të gjitha mundësitë e
tyre dhe jam i bindur se edhe komuniteti i cili ka filluar ti përgjigjet shumë
pozitivisht kësaj nisme, do të vazhdojë të shtojë kontributin në të gjithë
format dhe në të gjitha rrugët, për të mbërritur tek çdo familje në nevojë, në
mes të asaj katastrofe humanitare, mesazhi i solidaritetit, mesazhi i shpresës,
mesazhi i së nesërmes.

Kurse Armond Halebi tha se ne, si kryetarët e
njësive të opozitës ofrojmë në ambientet tona pika të grumbullimit të ndihmave
për banorët e Veriut. Vlen për të sjellë çdo gjë, pasi në ato zona është e
nevojshme gjithçka, rroba, lodra, ushqime, e çdo lloj ndihme humanitare. Ne do
të kujdesemi të grumbullojmë gjithçka me destinacion zonat e përmbytura në Veri.

r.b/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›