Shoqëria civile, ndihma për familjet e përmbytura në zonën e Shkodrës

Tiranë, 13 Janar NOA - Një grup organizatash të
shoqërisë civile në Shqipëri vendosën të koordinojnë përpjekjet e tyre për të
ndihmuar materialisht familjet e përmbytura në zonën e Shkodrës, kryesisht
gratë dhe fëmijët. Këto organizata krijuan gjatë një takimi në Tiranë Ndihmën e
Shoqërisë Civile për Familjet e Përmbytura në Shkodër.
Në të bëjnë pjesë: Qendra për Mbrojtjen e të
Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA), Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Shoqata
Refleksione, Partnerët Shqipëri, ANTTARC, MEDPAK, NCCS, World Vision Albania,
ALO 116 - Telefoni i Ndihmës për Fëmijët, IRCCRA, Terre de Hommes, OSFA, Qendra
për Popullsinë dhe Zhvillimin, Save the Children dhe Fondacioni Zgjidhja e
Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve.
Gjatë takimit u ra dakord që të krijohet një
grup pune i shoqërisë civile, i cili do të vizitojë nga afër gratë dhe fëmijët
në qendrat pritëse dhe do të identifikojnë nevojat e tyre edhe përmes një
koordinimi të përbashkët mes organizatave dhe organizmave të tjera që veprojnë
aktualisht në këtë qytet.
Gjithashtu u vendos që nëpërmjet një
komunikimi të menjëhershëm dhe përmes medias, të grumbullohen ndihma materiale,
në radhë të parë për gratë dhe fëmijët e familjeve të përmbytura.
Këto ndihma do të dërgohen më pas në Shkodër,
ku personat e kontaktit atje do të bëjnë të mundur shpërndarjen e tyre tek
qendrat pritëse më në nevojë.
e.r/NOA