Bashkia e Tiranës mbjell 70 pemë në rrugën “Margarita Tutulani”
Shtrirja e hapësirave të gjelbërta në Tiranë ka filluar të bëhet edhe në blloqet e banimit. Rreth 70 pemë janë mbjellë nga Bashkia e Tiranës dhe një kompani private në rrugën “Margarita Tutulani”. Kryebashkiaku Edi Rama u shpreh se projekti “Një qyterar, një pemë” do të marrë një shtrirje më të gjerë në kryeqytet në muajt në vazhdim. “Në këtë mënyrë dhe me këto ritme, ne do të bëjmë shumë më tepër se ç’kishim parashikuar falë një ndjeshmërie qytetare shumë më të lartë se sa ajo që mund të duket në pamje të parë. Por, nga ana tjetër, kemi nevojë për më shumë akoma dhe për këto arsye unë përsëris apelin tim për të gjithë ata sipërmarrës të Tiranës që të bëhen pjesë e nismës “Një qytetar, një pemë” dhe nënvizoj se nuk refuzojmë as edhe një pemë të vetme”, - tha Edi Rama. Aktualisht, numri i pemëve të mbjella në Tiranë, në akse të ndryshme kryesore, i ka kaluar një mijë rrënjë.
Dita e Paqes dhe Dialogut në Komunitet mbështetet nga Vodafone-Albania
SHKODËR - Fondacioni “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, me mbështetjen e Vodafone–Albania, në kuadër të projektit “Promovimi i edukimit për paqe në komunitetet me shkallë të lartë konfliktualiteti”, organizoi më 2 mars 2009, në mjediset e shkollës 9-vjeçare Bardhaj, takimin “Dita e paqes dhe dialogut në komunitet”. Në këtë eveniment morën pjesë rreth 100 pjesëmarrës, nxënës dhe mësues të shkollave “Grudë e re” dhe “Bardhaj”, përfaqësues nga Prefektura e Qarkut Shkodër, Drejtoria Arsimore, nga komuna, etj. Përfaqësues të Fondacionit Vodafon-Albania dhe të fondacionit “Zgjidhja e Konflikteve dhe Pajtimi i Mosmarrëveshjeve”, duke u uruar mirëseardhjen pjesëmarrësve, vlerësuan vlerat që mbart një nismë e tillë për shkollat dhe banorët e Komunës Rrethina në fushën e paqes, të bashkekzistencës dhe zgjidhjes paqësore të konflikteve në komunitet. Aleksandër Kola, koordinator i Qendrës së Ndërmjetësimit Shkodër, prezantoi aktivitetet e realizuara gjatë periudhës 8-mujore të projektit si dhe disa nga rezultatet e arritura në Komunën Rrethina dhe në shkollat 9-vjeçare “Grudë e Re” dhe “Bardhaj”. Duke qenë se fshatrat e Komunës Rrethina përfshihen në një zonë me shkallë të lartë konfliktualiteti, ndërmjetës të fondacionit “Zgjidhja e konflikteve” kanë bërë vizita duke negociuar me disa familje si dhe duke ofruar asistencën ligjore për zgjidhjen paqësore të konflikteve.
5 Mars 2009