E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia harton listën për gjobitjen e bizneseve ndotëse

Gjobat do të variojnë nga 2 mijë deri në 100 mijë lekë. Kamionët që dalin nga kantieret e ndërtimit ndotin me baltë rrugët kryesore

Tiranë - Nuk ka mënyrë tjetër për të ruajtur të pastër mjedisin në kryeqytet përveç aplikimit të gjobave. Me këtë logjikë, Bashkia e Tiranës ka vendosur që të dënojë çdo shkelës që ndot apo dëmton hapësirat publike kryeqytetase. Drejtoria e Kontrollit mbi Territorin pranë bashkisë më të madhe në vend ka gati tashmë edhe listën e shkeljeve dhe vlerën e penaliteteve për secilin nga dëmtimet e hapësirës publike të kryer, qofshin këto nga subjektet e mëdha apo ato të vogla tregtare. Kështu, gjobat për kundërvajtjet sipas natyrës që do të ketë secila prej tyre variojnë nga 2 mijë deri në 100 mijë lekë.
Ndotja
Në krye të listës qëndron ndotja me baltë e rrugëve dhe trotuareve gjatë transportit të lëndëve të para apo punimeve në kantieret e ndërtimit. Zakonisht penalitetet për raste të tilla pritet të përfshijnë kompanitë e ndërtimit, të cilat jo në pak raste janë akuzuar se po shkaktojnë nivel të lartë të ndotjes së mjedisit. Pak kohë më parë Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar gjoba të reja për të ndëshkuar firmat e ndërtimit për ndotje të ambientit. Në këtë vendim shpjegohet se duke marrë shkas nga ndotjet e mëdha që janë shkaktuar nga shoqëritë e ndërtimit, Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vendosur një numër penalizimesh që do të bien mbi këto shoqëri. Kjo pasi të gjithë qytetarët janë ndeshur me ndotje të rrugëve me baltë nga makinat e rënda që dalin nga kantieret e ndërtimit në rrugët kryesore. Po kështu, në shumicën e rasteve në kantieret e ndërtimit mungon rrethimi provizor, pompa e ujit brenda kantierit, tubat e posaçëm, të cilat ndihmojnë në zbritjen e mbeturinave të ndryshme, mbulesa e përkatëse e makinave të rënda që transportojnë etj. Për këto arsye Bashkia e Tiranës ka marrë një vendim ku parashikohen masa administrative, ku janë përcaktuar qartë detyrat e shoqërive të ndërtimit dhe çdo rregull i pazbatuar do të ketë penalitet përkatës. Minimumi i masës penalizuese me gjobë është 10 mijë lekë.
Fakti
Në shumicën e rasteve firmat e ndërtimit nuk i zbatojnë rregullat e përcaktuara dhe detyrimisht ndotja e rrugëve ndodh vazhdimisht. Po të vëresh në rrugët e kryeqytetit makinat e tonazhit të rëndë, që mbartin materiale apo inerte nuk i lajnë gomat, pasi dalin nga kantieri i ndërtimit, që mund të jetë i ndotur apo me baltë. Por, në disa raste ndeshesh edhe me makina të mëdha, të cilat nuk kanë vendosur mbulesën e sipërme për të mbajtur rërën apo zhavorrin që të mos bjerë në tokë gjatë transportit. Për këto arsye, Bashkia e Tiranës ka marrë një vendim, ku parashikohen masa administrative dhe janë përcaktuar qartë detyrat e shoqërive të ndërtimit dhe çdo rregull i pazbatuar do të ketë penalitet përkatës.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›