E Shtunë, 31 Tetor 2026

Opera, kartëvizita e një vendi



Ilirjana Mezini

Duke ndjekur në ekranin e një televizioni privat njoftimin që në javët e para të muajit shkurt do të shfaqej opera “Norma”, e ndjeva ndoshta të nevojshme të shkruaj këtë shkrim. Kam qenë shumë e re kur për herë të parë kam ndjekur bashkë me familjen time filmin “Kasta diva”, i cili më la një mbresë shumë të madhe. Isha vajzë e brishtë, e ndjeshme dhe me muzikën klasike isha mësuar që në fëmijëri, kur prindërit më merrnin në opera. Sigurisht, kjo ndikoi në pëlqimin e filmit ”Kasta diva” jo vetëm për interpretimin nga ylli i kinematografisë italiane Antonela Lualdi në rolin e Madalenës, por dhe të një aktori të fuqishëm e shumë simpatik, francezit Moris Rëne, në rolin e Vincenzo Belinit. Aria “Kasta diva” është nga më të bukurat në operën “Norma” të këtij kompozitori. Aty ka kaq ngrohtësi, dashuri. Kompozitori Vincenzo Belini vërtet u nda nga jeta në moshë të re, por la një thesar të paçmuar në fushën e muzikës klasike.

Kartëvizita e turpit
E bëra këtë rikthim në vite për shkak se ajo që dua t’ju them lidhet pikërisht me një aspekt të pakëndshëm në Teatrin e Operës dhe Baletit. Fillimisht, Opera ka qenë aty ku sot ndodhet godina e Akademisë së Arteve. Më pas u ndërtua një godinë e re, ajo e sotmja, e cila nga brenda nuk ka një sallë që i ka hije operës, por nuk dua të merrem as me këtë fakt.
Çdokush nga ju që po lexoni këtë shkrim e ka parasysh prezantimin më të keq që i bëhet jo vetëm ndërtesës së Operës, por edhe kryeqytetit tonë meqenëse kjo është në mes të tij. Ka shumë nga ju që keni kaluar nga bulevardi kryesor. Një pjesë prej jush, ndoshta, as që e ka vënë re se në ç’gjendje të mjeruar janë shkallët, sheshi, kolonat para Operës. Ka edhe nga ju që e kanë vënë re, por mërzitjen e mbajnë nga brenda.
Kurse mua, kur kaloj andej, më vjen shumë turp; sidomos kur shikoj grupe turistike, të cilët vijnë të vizitojnë vendin tonë. Udhëheqësi i madh i popullit turk, Mustafa Qemal Ataturk, shkruante: “Teatri është pasqyra e nivelit kulturor të një populli”. Pak a shumë, Teatri apo Opera janë kartëvizita e një vendi.

Imazhi i rrënuar

Kur ka një koncert simfonik, një shfaqje operistike apo ndonjë aktivitet tjetër kulturor, afërmendsh, shohim edhe shumë personalitete nga fushat e artit, shkencës, kulturës dhe politikës. Para se të hyjnë në ndërtesën e Operës, ata presin biletat në sportel. A nuk ju ka rënë në sy se sa i pistë është vendi ku priten biletat? Dritaret kanë grila plot pluhur e të thyera copë-copë. Më tej, pikërisht para sportelit, ndodhet një vazo e madhe prej guri mbi të cilën ka mbeturina, shkurre të thata. Në mbrëmje, të gjithë ngjisim shkallët për të hyrë në Opera. Si është e mundur që shumëkush nga ata që kanë në dorë të bëjnë diçka për mirë mos të vënë re shkallët e pista, të thyera vende-vende, por shkojnë të qetë? Kolonat para Operës janë gjithashtu të pista; aty mund të gjesh të shkruara reklama e fjalë të ndryshme. Më poshtë, tregtarë ambulantë etj,etj.

Pasqyra ndryshe
Dhe tani le të hedhim sytë pak metra nga Opera. Do të shikoni hotelin “Tirana”, siç e njohim ne vendasit. Ka disa kohë që është privatizuar. Shikoni shkallët e tij; ndrijnë nga bardhësia që krijon pastrimi me detergjent që bëjnë punëtoret e hotelit. Lulishtet pranë tij të kënaqin sytë nga larmia e ngjyrave që japin lulet e sistemuara në mënyrë harmonike. Duket si një qëndisje e bërë nga një mjeshtër i kujdesshëm. Si është e mundur që kjo gjë mos të bëhet dhe me mjedisin e Operës si para dhe prapa saj? Në radhë të parë për veten tonë, më pas për të huajt, sepse janë miqtë tanë dhe e meritojnë një respekt të tillë. Opera është maja më e lartë e zhanrit të muzikës.
Përse nuk kujdeset askush për të? A nuk kanë krenari personale e atdhetare personat që janë përgjegjës, domethënë ata që e kanë për detyrë ta bëjnë këtë punë? Pse të mos lahen e pastrohen sporteli, shkallët dhe kolonat para Operës? Pse të mos vihen anash shkallëve vazo me lule?
Përmes radhëve të këtij shkrimi, unë nuk kam ndërmend të flas e propozoj se si mund të rregullohet gjendja para apo brenda ndërtesës së Operës, por mendoj se ata politikanë dhe biznesmenë kur ngjisin shkallët, të veshur shik, duhet të mendojnë sadopak për të sepse ndihmesa e tyre, sponsorizimi që mund të bëjnë, do të jetë në radhë të parë për ta e për vendin tonë.
Nga ana tjetër, përgjegjësit për administrimin e Operës nuk duhet të lejojnë që sallat e saj të përdoren për gjithfarë aktivitetesh, të cilat nuk kanë të bëjnë fare me imazhin apo misionin që ka Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit.
Unë nuk di asnjë shtet ku salla e Operës të përdoret si sallë mbledhjesh apo kongresesh.
Sado i varfër që të jetë një institucion, nuk duhet kurrsesi të degradojë deri në atë masë sa të japë me qira për mbledhje apo aktivitete të tjera të këtij lloji mjedisin e tij, veçanërisht kur bëhet fjalë për një sallë të një institucioni artistik siç është Opera.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›