E Diel, 1 Nëntor 2026

Urdhri i ri i Bejës. Mësuesit me kontratë të përkohshme do të kalojnë në dispozicion

Rreth 3 mijë arsimtarë të sistemit parauniversitar pritet të lënë vendet e tyre të punës. Reagon Sindikata e Arsimit: “Udhëzimi nuk është negociuar me asnjë nga aktorët e interesit”

Jonida Tashi

Mësuesit, që japin mësim me kontratë të përkohshme pune, do të kalojnë në dispozicion. Rreth tre mijë arsimtarë të sistemit parauniversitar pritet të lënë vendet e tyre të punës për t’u zëvendësuar me mësues që paguhen në bazë të orëve dhe jo më me kontratë me afat, ashtu siç e parashikon dhe Kodi i Punës.
Udhëzimi
Udhëzimi më i fundit i ministrit të Arsimit, Fatos Beja, i datës 5 shkurt, thotë se arsimtarët me kontratë të përkohshme do të zëvendësohen me mësues në dispozicion që do të paguhen në bazë të orëve. Sindikalistët që mbrojnë të drejtat e arsimtarëve në vend kërkojnë anulimin e menjëhershëm të këtij udhëzimi. Sipas sindikalistëve, udhëzimi nuk është negociuar me asnjë nga aktorët e interesit për nxjerrjen e tij. Madje, ky aktuali hedh poshtë dhe udhëzimin e dy viteve më parë të ish-ministrit të asaj kohe, Genc Pollo. Të gjitha këto kërkesa, Sindikata e Arsimit i ka dërguar në Ministrinë e Arsimit nëpërmjet një letre. Nuk dihet ende pse drejtuesit e Ministrisë së Arsimit kanë marrë këtë vendim. Ajo që dihet është se kalimi i mësuesve me kontratë të përkohshme në dispozicion do ta vështirësojë edhe më shumë punësimin e arsimtarëve që kanë vite që presin për t’u emëruar në arsim.
Kërkesat
Mbi 4 mijë dosje të plotësuara nga mësues, që presin të punësohen apo të transferohen diku tjetër, janë depozituar në Drejtorinë Arsimore të Tiranës. Kjo shifër është mjaft e lartë po të kemi parasysh se çdo vit dalin nga auditoret një numër i madh të diplomuarish. Praktika që ndiqet deri tani ka të bëjë me takimin në Drejtorinë Arsimore çdo të enjte nga mësuesit, që presin që t’u vijë radha e punësimit. Por, ka edhe nga ata që kanë vite që presin të marrin një emërim, midis të cilëve gjen edhe nga ata të sapodiplomuarit, të cilët e kanë shënuar rishtazi emrin në listën e gjatë të punëkërkuesve. Ndërsa mësues të punësuar në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë 4700. Vetëm gjatë fillimit të vitit shkollor 2008-2009 në Drejtorinë Arsimore të Tiranës janë paraqitur mbi 300 kërkesa të reja. Specialistët e drejtorisë shpjegojnë se megjithëse kërkesat e reja janë hedhur në regjistër, emërimi është ende larg. Sipas tyre, përpara emërimit, secili prej tyre duhet të qëndrojë disa kohë në dispozicion, proces ky që nuk ka një afat të përcaktuar kohor. Shanset që këta mësues të rinj të punësohen gjatë këtij viti shkollor janë të pakta.

ISHP-ja prezanton udhëzuesin e shëndetit publik 2009

Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik prezantuan dje “Udhëzuesin e Promocionit të Shëndetit”. Sipas ISHP-së, udhëzuesi i promocionit të Shëndetit është një model i planifikimit të eventeve shëndetësore, që ka për qëllim sinkronizimin e eventeve të njëjta shëndetësore me jehonë kombëtare dhe ndërkombëtare edhe në vendin tonë. Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, drejtori i ISHP-së, Alban Ylli, ndërsa falënderoi për bashkëpunimin e deritanishëm, kërkoi më tepër bashkëpunim me mediat për çështjet shëndetësore. Krijimi i mundësive për strukturat shtetërore, shëndetësore, arsimore, sociale, si edhe OJF-të e ndryshme të paraprijnë punën sensibilizuese, është tjetër synim i këtij udhëzuesi. Gjithashtu ky udhëzues, i cili botohet për të dytin vit radhazi, ka për qëllim sensibilizimin e publikut të gjerë lidhur me ditë apo javë të caktuara botërore dhe kombëtare për shëndetin dhe mbrojtjen e tij, si dhe parapërgatitjen e një baze të mirë përvoje dhe eksperience për përsëritjen e përvitshme të ngjarjeve të tilla.

5 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›