“Deutche Bank” dhe “Alpha Bank”, financueset e 250 milionë eurove për qeverinë
Ministria e Financave zhvilloi tenderin për të marrë një financim prej 250 milionë euro. Siç kemi njoftuar edhe më parë, ofertës së Ministrisë së Financave iu përgjigjën 7 institucione financiare ndërkombëtare. Pas hapjes së ofertave u zhvilluan negociatat me të gjitha institucionet e interesuara dhe u bë vlerësimi i tyre. Në përfundim të vlerësimit, oferta më e mirë rezultoi ajo e paraqitur nga “Deutche Bank” dhe “Alpha Bank”. Ministria e Financave do t’u japë mandatin këtyre bankave për të siguruar financimin e kërkuar duke rekomanduar që të përfshijnë në financim edhe bankat “Raiffeisen Bank” dhe “Credit Sëiss”, të cilat kanë bërë oferta konkurruese. Siç kanë theksuar edhe organizatat financiare ndërkombëtare, interesimi i lartë i bankave të rëndësishme ndërkombëtare për të marrë pjesë në këtë financim është shprehje e besimit për ekonominë dhe qeverinë shqiptare.
Dështon tenderi për operatorin e katërt celular
Dështon tenderi për licencën e celularit të katërt. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare ka njoftuar se Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skualifikuar njërën nga kompanitë. Në garë ishin dy shoqëri: shqiptarja “Univers PG” dhe kompania kosovare “PTK” dhe bashkimi i investitorëve, në përbërje të së cilës ishin edhe disa biznesmenë shqiptarë. Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare nuk bën publike emrin e kompanisë së skualifikuar, por vetëm njofton se ajo nuk ka plotësuar kërkesat për kualifikim, të përcaktuara në dokumentin e tenderit. Në kushtet e mungesës së konkurrencës, Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka ndërprerë procedurën e tenderit.
Ky institucion deklaron gjithashtu se hapat e mëtejshme do të ndërmerren pas përfundimit të afatit të ankimit nga kompanitë në fjalë. Futja në treg e kompanisë së katërt të telefonisë fikse pritet të rrisë më tej konkurrencën. Aktualisht në këtë treg ofrojnë shërbimet e tyre kompanitë “AMC”, “Vodafon” dhe “Eagle mobile”. Sipas të dhënave zyrtare, tregu i telefonisë celulare në vendin tonë numëron rreth 2.5 milionë abonentë.
5 Mars 2009