E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës merr studimin e fizibilitetit për terminalin multimodal të pasagjerëve

17-02-2013 / Gazeta 55

Kompania italiane “Ital - Ferr” i ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës studimin e fizibilitetit dhe termat e referencës, për koncesionin e terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë. Terminali është  pjesë e një strategjie të gjerë të transportit urban i cili do t’u japë zgjidhje nevojave urgjente për përmirësimin e trafikut në Tiranë, nëpërmjet parkimit të gjithë mjeteve të transportit të udhëtarëve nga i gjithë vendi dhe krijimin e kushteve optimale për transportin e tyre në Tiranë. Dokumenti i dorëzuar Bashkisë së Tiranës përmban  studimin dhe analizat ekonomike të zhvillimit të transportit të udhëtarëve, për një afat 15 vjeçar, duke konceptuar dhe propozuar strukturën e terminalit, në një sipërfaqe prej 80.000 m², në afërsi të kthesës së Kamzës. Në këtë terminal do të vendoset stacioni i ri i trenit, i cili pritet të nisë brenda muajit mars për t’i hapur rrugë fillimit të ndërtimit të bulevardit të ri, projektuar nga studio arkitekturore britanike “Grimshaw”. Në terminalin multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i tramit, shërbim i cili në Tiranë dhe Shqipëri do të ofrohet për herë të parë. Stacioni tramvaj do të përfshijë edhe një depo për operacionet e mirëmbajtjes. Pas sugjerimit të Bashkisë është parashikuar në terminal dhe parkim nëntokësor, si një zgjidhje tepër eficiente dhe e përshtatshme për realizimin e plotë në funksionimin e këtij terminali, i cili do të funksionojë për parkim makinash private dhe autobusë. Në mënyrë që të garantohet siguria, funksionaliteti i lëvizjes si dhe komoditeti i pasagjerëve, gjurmët e automjeteve dhe rrugët e udhëtarëve janë parashikuar të ndara. Rrugët e këmbësorëve janë ndërtuar kryesisht në 6,00 m mbi oborrin e terminalit, brenda dy hapësirave dhe dy ura në formë ndërtesave të pasagjerëve, në mënyrë që të minimizojë lëvizjen e udhëtarëve në nivelin e rrugës. Hapësirat e këmbësorëve dhe dy ndërtesat e pasagjerëve janë të lidhura me platformat e terminalit, nëpërmjet shkallëve fikse, shkallëve lëvizëse dhe ashensorë, të cilët lejojnë shkëmbimin midis mënyrave të transportit të ndryshëm. Brenda muajit shkurt, konsulenti do të paraqesë pranë Bashkisë së Tiranës strategjinë për zhvillimin e koncensionit si dhe gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me këtë, koncesion i cili do të shqyrtohet dhe miratohet nga Bashkia e Tiranës dhe BERZH. Pas miratimit hapet dhe procedura ndërkombëtare e tenderit, për ndërtimin e terminali të parë multimodal në Tiranë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›