E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës miraton fonde të paligjshme, ndërton rrugë aty ku shkelet ligji

Rama dha 360 mijë euro për 8 tuba, vendosi 8 policë për 7 metra rrugë, pa miratim të këshillit bashkiak  
Bashkia e Tiranës e shkel ligjin me të dy këmbët. Kasaphana e krijuar në rrugët e Tiranës për shkak të mosfunksionimit sipas rregullave të këtij institucioni po dënon çdo ditë e më tepër kryeqytetasit. Në një nga rrugicat e zonës së ish-Bllokut në Tiranë, e cila ndodhet në rrugën Ismail Qemali, pikërisht përbri vilës së Enver Hoxhës, janë vendosur bllokada për kalimin e makinave. Këtë gjë e vendosi Bashkia e Tiranës, duke e shpallur atë si rrugën e parë pedonale, por sot kjo gjë nuk ekziston më. Makina të shumta hyjnë dhe kalojnë pa i ndaluar askush edhe pse është një rrugë pedonale gjë e cila lejon vetëm kalimin e këmbësorëve. Është rruga e parë dhe e vetme, e cila mban këtë status, por që askush nuk e respekton. Që në orët e para të mëngjesit janë makinat e policisë bashkiake, të cilat futen në këtë rrugë duke shkelur ligjin, ku hyrja e makinave është e ndaluar me një vendim ligjor. Pas tyre, me siguri duke ndjekur shembullin e keq të atyre që duhet të respektojnë ligjin, futen me radhë makinat e qytetarëve. Aty ndodhen disa tuba metalike, të cilat janë vendosur të mos lejojnë kalimin e makinave në atë rrugë, por nuk është e nevojshme pengesa e tyre. Çdo makinë mund të futet lirshëm nëpërmjet trotuareve, të cilat janë bërë me një lartësi thuajse baras me rrugën. Është kjo hyrja, që i lejon këto automjete të futen, të kalojnë e të parkojnë gjatë gjithë ditës. Kjo është një rrugë që iu dha si dhuratë nga Bashkia e Tiranës qytetarëve të saj, ku ata mund të ecnin lirshëm dhe pa pasur frikën se një makinë do ti vinte ato në rrezik. Në fakt ndodh krejt e kundërta, aty qytetarët duhet të ruhen më shumë se në çdo vend tjetër. Madje, nga ana e Bashkisë u premtua se kjo ishte e para rrugë pedonale, por që së shpejti nuk do të ishte e vetmja, ajo do pasohej nga shumë të tjera. Kanë kaluar disa muaj dhe ajo nuk po quhet më e tillë, e jo më të pretendojmë për më shumë të tilla.
360 mijë euro për 8 tuba, nuk i shërbyen askujt
Çdo ditë e më tepër po dëgjohen zërat e qytetarëve që banojnë në zoën e ish-Bllokut. Këta qytetarë po ankohen se nuk po gjejnë rehat me automjetet e tyre dhe nuk po dinë se si të bëjnë më automjetet e të tjerëve. Këta banorë e kanë të ndaluar me ligj që të fusin makinat e tyre aty, ndërkohë që gjatë gjithë ditës kjo rrugë është plot me makinat e të tjerëve. Agron Haxhijahja, një nga banorët e kësaj zone shprehet: Para disa kohësh na erdhi një urdhër, i cili na ndalonte që të fusnim makinat në rrugën ku banojmë, përndryshe do të gjobiteshim. Pas disa ankesash që ne paraqitëm, na u premtua se vendosja e tubave penguese ishte bërë për të na favorizuar, por kjo nuk ndodhi. Këtu futet kush ti dojë qejfi, përveç ne që kemi shtëpitë pranë kësaj rruge. Nga ana e Këshillit Bashkiak, është bërë e ditur se për këtë rrugë është miratuar një fond prej 360 mijë eurosh, me qëllimin e vetëm se do të ishte rruga e parë pedonale. Ky vendim u mor pas disa debatesh në disa mbledhje radhazi, derisa u dha një vendim që të jepej ky fond për ndërtimin e jo më shumë se 7 metrave rrugë dhe vendosjen e tetë tubave.
8 policë bashkiakë ruajnë 7 metra rrugë
Në një nga rrugicat e ish-Bllokut, tetë policë bashkiakë ruajnë jo më shumë se shtatë metra rrugë. Ajo është quajtur rruga e parë pedonale e Tiranës, por pikërisht për këtë arsye nuk dihet pse duhet të qëndrojnë dy makina policie bashkiake, të shoqëruara me tetë policë. Aty, parkimi i makinave është i ndaluar, ambulantët shesin dhe askush nuk u thotë gjë, ndaj nuk dihet se çfarë bëjnë ato policë bashkiakë. E si për habi të të gjithëve shkelja e rregullave shkon edhe më tej. Tani qytetarët që kalojnë në këtë rrugë nuk mund  ecin as në trotuare pasi ato janë uzurpuar nga karriget dhe tavolinat e lokaleve. Klajdi Kola, një nga kalimtarët e kësaj rruge, shprehet: Këtu nuk ka asgjë për të ruajtur. Këta policë, tërë ditën nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse pinë kafe dhe kalojnë kohën në mënyrë të organizuar me njëri- tjetrin. Paradoksi më i madh ka qenë se kjo rrugë ka qëndruar për shumë kohë si e paligjshme pasi Këshilli Bashkiak nuk pranonte ta miratonte si të ligjshme dhe ti jepte asaj vendimin e formës së prerë për të qenë një rrugë pedonale.

*******************************************
Rruga pedonale, 6 muaj e paligjshme
Një nga rrugicat e ish-Bllokut, që ndodhet në rrugën Ismail Qemali, u shpall nga Bashkia e Tiranës para pak muajsh si një nga rrugët e para pedonale. Ajo u ndërtua me firmën e kryebashkiakut dhe u inaugurua duke prerë shiritin vetë ai. Paradoksi më i madh ka qenë se për shumë kohë, kjo rrugë ka qenë e paligjshme pasi Këshilli Bashkiak ende nuk e kishte miratuar si një rrugë pedonale. Ndaj, ajo për më shumë se 6 muaj ishte një rrugë e paligjshme, pa firmë të këshillit bashkiak. Ndërkohë që qytetarëve ju ndalohej të kalonin me makina aty. Të vetmet makina që lejoheshin të kalonin, ishin ato të policisë Bashkiake duke dhënë një shembull të keq dhe duke i treguar qytetarëve se si thyet ligji.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›