E Diel, 1 Nëntor 2026

USAID kritikon Qeverinë Berisha se ka bërë shumë pak në luftën kundër korrupsionit

Drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Roberta Mahoni ka deklaruar se ka konstatuar, se gjatë këtyre katër viteve Partia Demokratike dhe qeveria Berisha kanë bërë shumë pak në kuadër të luftës kundër korrupsionit. Duke folur në ceremoninë e hapjes së Qendrës Kombëtare të Licencimit, sipas saj Shqipëria dhe qeveria e saj duhet të zbatojnë akoma dhe shumë reforma në mënyrë që tregojë prova bindëse që është reduktuar shumë korrupsioni në vend. Sipas drejtoreshës së USAID Mahoni këto prova duhet të tregohen në mënyrë që Shqipëria të marrë asistencë të mëtejshme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Llogarisë së Mijëvjeçarit të Ri. "Tashmë si anëtare me të drejta të plota në NATO, Shqipërisë do t'i kërkohet një punë më e mirë në kontrollin e korrupsionit që mbetet ende një problem serioz në vend. NATO pret një qeverisje më të mirë nga anëtarët e saj për të ndëshkuar korrupsionin në mënyrë të drejtë dhe të paanshme", tha drejtoresha e USAID, Mahoni. Ajo gjithashtu kujtoi angazhimin dhe premtimin e qeverisë Berisha, për të luftuar korrupsionin, duke përmendur zotimin e qeverisë për të reformuar procesin e planifikimit urban si dhe të licencimit që është mjaft i prekur nga korrupsioni, si dhe riorganizimin e administratës tatimore. Drejtoresha e USAID-it  përmendi gjithashtu nevojën që gjykatat administrative të jenë të pavarura dhe kompetente në zgjidhjen e çështjeve mes privatit dhe shtetit. Sipas saj, në mënyrë që të bëhet i mundur realizimi i këtyre premtimeve duhet edhe angazhimi i policisë dhe prokurorisë për hetime më të mira për aktivitet kriminale dhe korruptive, si dhe që të gjitha shkeljet të ndiqen dhe ndëshkohen si duhet nga ligji Shqiptar. Mahoni deklaroi se ky projekt është faza e fundit e programit të sfidës së mijëvjeçarit, dhe vetëm nëse faktet për reduktimin e korrupsionit do të flasin pozitivisht për Shqipërinë atëherë do të bëhet e mundur marrja në vazhdimësi e asistencës nga SHBA, në kuadër të Llogarisë së Mijëvjeçarit të Ri, ku ky fond kap shifrën e miliona dollarëve të cilat do ti jepen Shqipërisë nga qeveria amerikane pas një viti e gjysmë. Ajo gjithashtu tha se Qendra Kombëtare e licencave, do të mundësojë dhënien e lejeve dhe licencave për biznesin brenda një dite, nga 42 ditë që ka që më parë afati i marrjes së licencës. Sipas saj kjo do të bëhet në mënyrë për të synuar eliminimin e burokracive dhe korrupsionit në këtë fushë, dhe kërkoi ndër të tjera që të bëhej e mundur edhe dhënia e të gjitha dokumentacioneve në një qendër të vetme në mënyrë që korrupsioni të mos ketë fare hapësirë për zhvillim. Drejtoresha e USAID Mahoni deklaroi se,Qendra Kombëtare e Licencimit (QKL) si një institucion publik qendror në varësi të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, do të pajisë bizneset që nga lejet profesionale e deri te licencat me praktika të shpejta dhe afate optimale të aplikimit. Në fund të fjalës së saj ajo përsëriti edhe njëherë thirrjen që i bënte qeverisë Shqiptare për tu angazhuar akoma dhe më shumë në luftën kundër korrupsionit, pasi kjo po pengon edhe zhvillimin e Shqipërisë.

Last Updated on Wednesday, 10 June 2009 10:49

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›