Legalizimet, ALUIZNI nis sot pranimin e kërkesave për pagesat me bono
Agjencia e Legalizimeve duke filluar nga dita e sotme pranon kërkesat e qytetarëve që do të paguajnë tarifat financiare për legalizimin e objektit informal nëpërmjet bonove të privatizimit. Agjencia e Legalizimeve ka njoftuar dje se të gjithë qytetarët e interesuar të hartojnë një kërkesë drejtuar Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-it në të cilën të bëjnë të ditur se do të paguajnë vlerën financiare nëpërmjet bonove të privatizimit ose letrave me vlerë. Qytetarët gjithashtu në këtë kërkesë duhet të qartësojnë masën në përqindje të vlerës së objektit që do të shlyejnë nëpërmjet bonove dhe pjesën tjetër që mbetet nëpëmjet parave.
Kërkesa
“Poseduesit e objekteve informale me funksion banimi, apo të përzier, të kualifikuara për legalizim, për efekt të pagesës së parcelës ndërtimore me bono privatizimi, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t, prej datës 12 Mars 2010 deri në përfundim të procesit të legalizimit. Në kërkesë duhet të jetë e përcaktuar masa e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi”, shkruhet në njoftimin e ALUIZNI-t. Sipas Agjencisë së Legalizimeve për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, jashtë vijës kufizuese të ndërtimit, për sipërfaqe të parcelës nga 1 - 500 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Përjashtohet pjesa e sipërfaqes së parcelës mbi 500 m², e cila shlyhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për objektet pa leje me funksion banimi apo të përzier, të ngritura brenda vijës kufizuese të ndërtimit për sipërfaqe të parcelës nga 1-300 m² poseduesit e objektit mund të paguajnë deri 70% të vlerës me bono privatizimi. Për parcela ndërtimore me sipërfaqe mbi 300 m², pagesa mund të kryhet për deri 50% të vlerës me bono privatizimi. Përjashtohen nga menyra e pagesës me bono privatizimi, objektet informale me destinacion social-ekonomik ku futen dyqanet apo bizneset e ndrysme dhe shtesat informale në objekte me leje, për të cilat pagesa e parcelës ndërtimore do të kryhet vetëm në lekë, në vlerë të plotë monetare. Për të përfituar nga e drejta e pagesës me bono privatizimi për pjesën e mbetur, apo për rimbursimin, në këmbim të bonove të privatizimit, subjektet që kanë kryer pagesa të mëparshme të parcelës ndërtimore, duhet të paraqesin kërkesë me shkrim pranë Drejtorive Rajonale të ALUIZNI-t. Afati për paraqitjen e kërkesës është, brenda 3 muajve, duke nisur nga data 12 Mars 2010.
12 Mars 2010