E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Tiranës nga 15 gusht parkimet publike me pagesë



Bashkia e Tiranës prezanton projektin e parkimit publik me pagesë që parashikohet të fillojë aplikimin nga data 15 gusht .Zbatimi i këtij projekti do të nis si fillim në bulevardin “ Dëshmorët e Kombit “ dhe tek sheshi “ Italia. Projekti u prezantua dje nga drejtori i sektorit të transportit teknik në Bashki, Enton Punavija i cili deklaroi se me këtë projekt Bashkia ka si qëllim, lehtësimin e trafikut dhe uljen e ndotjes urbane në kryeqytet. Implementimi i këtij projekti fillimisht do të funksionojë vetëm për dy zona dhe më pas do të shtrihet në të gjithë rrugët e Tiranës. Në të gjitha vend-parkimet me pagesë do të gjenden edhe pikat ku qytetarët do të gjejnë biletat.
Projekti
Autoritetet e Bashkisë së Tiranës shpjegojnë se projekti pilot, fillimisht do të shtrihet në dy zona të Tiranës, ndërkohë që japin detajet dhe procedurat që duhet të ndjekin, drejtuesit e automjeteve. Në rast se detyrimet nuk do të paguhen atëherë do të ketë dhe masa administrative nga gjobat deri në bllokim të automjetit. "Qytetarët të cilët do të parkojnë mjetin e tyre në vendin e miratuar si parkim publik me pagesë duhet të pajisen me një biletë që do të shitet në pikat e veçanta afër vendparkimeve. Pasi pajiset me biletën qytetari bën shënimet e nevojshme në muajin ditën dhe orën e parkimit e vendos në pjesën e brendshme te xhamit. Strukturat e bashkise qe merren me kontrollin do te monitorojne situaten dhe do te shohin nese tarifa e parkimit eshte e paguar ose jo. Në rast se ajo është e paguar makina do të qëndrojë dhe në rast të kundërt, makina do të lëvizet që aty duke marr masa administrative të gjobës dhe lëvizjen me karoatrec", tha Enton Punavia, drejtor i qarkullimit rrugor në Bashki.
Bileta e cila do të ketë të gjithë elementët e sigurisë është e ndërtuar në mënyrë të thjeshtë dhe është lehtësisht e përdorueshme nga çdo qytetar. Ajo vendoset në një vend të dukshëm, në pjesën e brendshme të xhamit të makinës, për të qenë lehtësisht e identifikueshme nga kontrollorët.
Pagesa
Projekti i mësipërm parashikon fillimin e aplikimit të pagesës së tarifës së parkimit, njëqind lekë ora, miratuar nga Këshilli Bashkiak i Qytetit. Disa pika shitje do të vendosen në afërsi të vend-parkimeve publike me pagesë, të parashikuara në këtë projekt pilot, në distanca të afërta, duke u mundësuar qytetarëve lehtësinë e pajisjes me biletë, në çdo moment që ata do të vendosin të parkojnë mjetet e tyre në zonat e mësipërme, zona të cilat do të jenë të pajisura me sinjalistikën e nevojshme rrugore
Do të jenë strukturat e Policisë Bashkiake, ato që do të bëjnë kontrollin dhe do të marrin masat përkatëse administrative. Për kundravajtësit e sistemit do të aplikohen sanksionet e parashikuara në Kodin Rrugor, sanksione të cilat arrijnë deri në heqjen e mjetit me karroatrec. Sipas autoriteteve të bashkisë, ky projekt do të zbatohet për lehtësimin e qarkullimit në Tiranë, si për tu dhënë prioritet këmbësorëve.

Tarifat e parkimit në të gjitha zonat e kryeqytetit

Vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak, i ndan vendparkimet në tre kategori, sipas vendndodhjes. Kështu, zona që përfshin qendrën e Tiranës që quhet “Zona A”, parashikon një vlerë prej 100 lekësh në orë. Zona tjetër që përfshin rrugët dytësore, hyn në kategorinë e zonës së dytë dhe cilësohet si “Zona B”. Të parkosh brenda kufijve të saj të kushton 40 lekë në orë. Ndërsa zonat periferike hyjnë në zonën e tretë, ose C. Parkimi në rrugët e saj kushton vetëm 20 lekë në orë. Megjithatë, tarifa e parkimit mblidhet edhe duke pasur parasysh llojin e automjetit. Kështu, për autobusët e të gjitha llojeve, parkimi kushton 100 lekë në orë. Për mikrobusët autotaksi (8 – 10 vende), vlera e parkimit është 20 lekë në orë. Për minibuset e tjera, të çdo lloji, tarifa është përcaktuar 30 lekë në orë. Autoveturat shtetërore dhe private kushtojnë 100 lekë në orë për zonën A, 40 lekë në orë për zonën B dhe 20 lekë në orë për zonën C. Kamionët deri 3.5 tonë, kushtojnë 10 lekë në orë. Një vendparkim për kamionët mbi 3.5 deri 8 tonë kushton 15 lekë në orë, për ata mbi 8 deri në 14 tonë, parkimi kushton 20 lekë në orë ndërsa për kamionët mbi 14 tonë, parkimi kushton 50 lekë në orë. Për subjektet që kërkojnë parkim të rezervuar pranë institucioneve të tyre publike ose private tarifa përllogaritet duke shumëzuar vlerën sipas zonës së parkimit me koeficientin 0.7 për rezervim 12-mujor. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, struktura e ngarkuar për mbledhjen e tarifës së parkimit të automjeteve për parkimin e rezervuar është Drejtoria e Përgjithshme e Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë së Tiranës, e cila llogarit detyrimin dhe ndjek pagesat e tarifës së parkimit, pasi subjekti ka marrë lejen përkatëse nga Drejtoria e Transportit në Bashkinë e Tiranës.

Sa kushton parkimi:

Autobusë të të gjitha llojeve 100 lekë/orë

Mikrobusët
Autotaksi 8 – 10 vende 20 lekë/orë
Minibuse të tjera, të çdo lloji 30 lekë/orë

Autoveturat shtetërore dhe private:
Zona A 100 lekë/orë
Zona B 40 lekë/orë
Zona C 20 lekë/orë

Kamionët:
Deri 3.5 tonë 10 lekë/orë
Mbi 3.5 deri 8 tonë 15 lekë/orë
Mbi 8 deri në 14 tonë 20 lekë/orë
Mbi 14 tonë 50 lekë/orë

Mos publikimi i listës së notave, maturantët protestojnë para Ministrisë së Arsimit

Maturantë të disa rretheve kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit për problemin e notave të lëndëve me zgjedhje dhe të matematikës, të cilat nuk janë publikuar ende. Sipas maturanteve MASH ka bërë që të rrezikohet kandidimi i tyre për në universitet duke mos publikuar listat e notave. Mos shpërndarja e rezultateve të provimit të matematikës në një shkollë të rrethit e Fierit si dhe mos publikimi i provimeve të lëndëve me zgjedhje në shkollat e mesme të dy rretheve, Tepelenës dhe Burrelit ka sjellë reagimin e maturantëve. Pas pritjes së gjatë për tu njohur me rezultatet ata kanë vendosur të protestojnë për këto parregullsi para godinës së këtij institucioni. Ndërkohë që përfaqësues të Ministrisë janë përpjekur të qetësojnë maturantët e ardhur nga rrethet që qëndronin në hyrje të godinës së këtij institucioni duke u shprehur se për 2 orë do tu kthehej një përgjigje. MASH bëri të ditur se ka shpërndarë dje rezultatet e fundit të provimeve me zgjedhje për maturantët e dy rretheve, të cilët ende nuk ishin njohur me notat e provimeve. Maturantëve që ende nuk janë njohur me notat e provimeve do tu lihet më shumë kohë në dispozicion për të plotësuar Formularin A2. Shkak që maturantët të mos njihen me vlerësimin në të njëjtën kohë me bashkëmoshatarët e tyre u bën disa pakujdesi në fletët e tyre të provimit. Sipas MASH tezat e provimeve të tyre u korrigjuan nga grupi i specialistëve me vëmendje, për shkak të disa pakujdesive që janë gjetur në fletët e provimeve. Nga ky institucion bëhet e ditur se maturantët nuk duhet të shqetësohen pasi vlerësimi i fletëve të provimeve përfundoi dhe maturantët do të kenë mundësi të plotësojnë formularin A2. Pavarësisht deklarimeve të MASH, maturantët janë në ankth për mosmarrjen e vlerësimeve pasi sipas rregullores së Maturës Shtetërore, notat e provimeve nuk duhet të ishin shpallur pa përfunduar vlerësimi për të gjithë nxënësit.

Ministri i Shëndetësisë në Itali, nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit

Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili së bashku me nënkryetarin e Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë Tritan Shehun nënshkruan me këshilltarin e shëndetësisë të Regione Toscana, Daniele Scaramuccia në qytetin e Firences në Itali marrëveshjen e parë të bashkëpunimit mes dy vendeve. “ Është një marrëveshje nënshkruar me një nga rajonet avangardë në fushën e shëndetësisë si Regione Toscana. Marrëveshja e nënshkruar është shumë planëshe, në fushën e shkëmbimeve të ndërsjellta mes dy vendeve. Shumë shpejt presim të kemi dhe një bashkëpunim me spitalin pediatrik Meyer, në Firence, një nga klinikat më të njohura pediatrike në Itali”, tha ministri jonë i shëndetësisë. Vasili theksoi se kjo marrëveshje fokusohet në bashkpunimin dypalësh në aspektet institucionale, trainimin e specialistëve të shëndetësisë, ndërgjegjësimin e shoqërisë për cështjet që lidhen me mjekësinë, ndihmesa dhe aktivitete të përbashkëta si dhe shkëmbim informacioni dhe eksperiencash të ndërsjellta midis dy vëndeve. Marrëveshja e nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe Regione Toskana shumë planëshe përmblidhet në gjashtë pika. Asetet institucionale dhe organizative, ekonomi, menaxhim dhe fushat me interes reciprok mes dy vendeve. Kjo marrëveshje është pjesë e një bashkëpunim të shtrirë në vite. Rreth 300 specialistë të shëndetit janë trajnuar dhe kanë përfituar bursa studimi nga Universiteti i Firences ndër vite.

Studentë nga vende të ndryshëm të Evropës aksion për pastrimin e plazhit

Rreth 150 studentë të Gjeoshkencave të ardhur nga vende të ndryshme të Evropës por edhe vendas do të qëndrojnë një javë në një kamp afër Gjirit të Lalzit për t’u njohur me natyrën e vendit tonë. Dije ata zhvilluan një takim me ministrin e Mjedisit, Fatmir Mediun ku u njohën me hapat që po merr qeveria në përmirësimin e mjedisit. Ministri i Mjedisit së bashku me studentët ndërmorën një aksion duke pastruar kështu një pjesë të zonës në Gjirin e Lalzit. "Ky është një moment sa i veçantë, aq dhe interesant, është i veçantë, sepse janë të rinj nga 16 vende të Evropës, që mblidhen këtë vit në Shqipëri, nga një traditë e përvitshme, çdo vit ata mblidhen në vende të ndryshme. Më tepër të orientuar nga gjeoshkenca, për të parë natyrën, mjedisin, për të vizituar Shqipërinë dhe mendoj se është një moment i rëndësishëm i promovimit të vlerave natyrore, të bukurisë shqiptare në këtë pjesë të rinisë evropiane. Një zë besoj që do të ndikonte sadopak në këtë vlerë të padiskutueshme që ne kemi", tha Fatmir Mediu, ministër i Mjedisit. Turneu organizohet nga shoqata “Eugen”. Gjatë qëndrimit në Shqipëri studentët do të vizitojnë edhe vende të tjerra bregdetare ku do të zhvillojnë ekskursione të ndryshme.

30 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›