Ligji për Faljen, ku duhet të dorëzojnë kërkesën të dënuarit
Laureta Rryçi
Sipas ligjit të ri për Faljen, kërkesa për faljen e dënimit bëhet personalisht nga personi i dënuar ose personi i pajisur me autorizim prej tij, sipas rregullave të legjislacionit në fuqi. Në rastin e personave të dënuar të mitur kërkesa për falje bëhet nga njëri prej prindërve, nga personi i autorizuar me prokurë prej tyre ose nga kujdestari. Kërkesa drejtuar Presidentit të Republikës për falje depozitohet në Ministrinë e Drejtësisë dhe duhet të përmbajë një sërë dokumentesh. Kësaj kërkese duhet t’i bashkëngjitet një kopje të vendimit penal të dënimit, për të cilin kërkohet falja, shkaqet ligjore të kërkimit të faljes së dënimit, kopje të letërnjoftimit të personit të dënuar, dokumentacionin për gjendjen familjare të tij, çdo dokument tjetër që tregon përmbushjen e kritereve ose rrethanave të përcaktuara në këtë ligj për dhënien e faljes.
Ministri i Drejtësisë, brenda shtatë ditëve nga marrja e kërkesës së të dënuarit, i kërkon Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve informacion për veprën penale, për të cilën është dënuar, llojin dhe masën e dënimeve të dhëna, periudhën e vuajtur të dënimit me burgim apo të çdo dënimi tjetër kryesor ose plotësues, vlerësimin periodik për sjelljen dhe personalitetin e personit të dënuar nga institucioni ku vuan dënimin dhe organet e shërbimit të provës për të, nëse ka.
Informacioni
Pasi merr informacionin nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe jo më vonë se pesëmbëdhjetë ditë nga marrja e kërkesës për falje, Ministri i Drejtësisë, në varësi të rrethanave të çështjes, mund t’i kërkojë gjyqtarit që ka dhënë vendimin e dënimit, të paraqesë mendimin e tij për kërkesën e të
dënuarit për falje. Ky mendim mbetet konfidencial dhe nuk i jepet personave të tretë. Ministri i kërkon informacion prokurorit që ka hetuar çështjen, të paraqesë me shkrim mendimin e tij për kërkesën e të dënuarit për falje. Ky mendim sërish do të mbetet konfidencial dhe nuk i jepet personave të tretë. Informacioni i kërkuar prej ministrit jepet brenda 30 ditësh. Ministri i Drejtësisë, jo më vonë se gjashtëdhjetë ditë nga data e depozitimit të kërkesës, i paraqet Presidentit të Republikës praktikën përkatëse, të përgatitur sipas kërkesave të këtij ligji, veçanërisht të kërkesave të kreut II të tij, së bashku me propozimin e tij për pranimin e kërkesës apo refuzimin e kërkesës për falje. Propozimi i Ministrit të Drejtësisë shoqërohet me arsyetimin e plotë ligjor për çdo kërkesë. Presidenti i Republikës, nëse çmon se praktika e përcjellë për faljen e dënimit nuk është e plotë nga aktet, brenda tridhjetë ditëve nga data e paraqitjes së kërkesës, njofton Ministrin e Drejtësisë për rishqyrtimin dhe plotësimin e të metave. Ministri i Drejtësisë, brenda tridhjetë ditëve nga data e marrjes së njoftimit, merr masa për plotësimin e kërkesës për falje dënimi dhe ia ridërgon Presidentit të Republikës për shqyrtim. Nëse Presidenti i Republikës nuk shprehet brenda afatit prej tridhjetë ditësh, kërkesa për falje dënimi konsiderohet e rrëzuar. Në këtë rast Ministri i Drejtësisë njofton kërkuesin për kalimin e afatit. Kërkesa nuk mund të përsëritet nga i dënuari përpara se të kenë kaluar gjashtë muaj nga data e kalimit të afatit.
Llojet e Faljeve
Falja tërësisht e dënimit nënkupton përjashtimin nga vuajtja e dënimit kryesor në tërësinë e tij dhe, nëse ka, edhe atij plotësues. Falja pjesërisht e dënimit nënkupton përjashtimin nga vuajtja e një pjese të caktuar të tij, të llogaritur në raport me dënimin në tërësi dhe pjesën e dënimit që ka mbetur për t'u ekzekutuar, ose përjashtimin nga vuajtja e një prej llojeve të dënimeve të dhëna. Në rastin e faljes së pjesshme të dënimit, në dekretin e Presidentit të Republikës caktohet shprehimisht masa dhe lloji i dënimit të falur. Zëvendësimi i dënimit nënkupton ndryshimin e llojit të dënimit kryesor me një lloj dënimi
më të butë. Në rastin e personit të dënuar për kryerjen e disa veprave penale, falja e dënimit caktohet mbi vendimin gjyqësor që ka bashkuar dënimet. Në dekretin e Presidentit të Republikës përmenden dënimet kryesore dhe, sipas rastit, ato plotësuese, për veprat penale të veçanta, për të cilat jepet falja
e dënimit. Presidenti i Republikës, në ushtrimin e së drejtës së faljes së pjesshme ose të zëvendësimit të dënimit, përveç kritereve të përcaktuara në këtë ligj, vlerëson edhe këto rrethana: rrezikshmërinë e veprës penale të kryer, pendimin e thellë, sjelljen e personit të dënuar, si dhe çdo rrethanë tjetër të veçantë të personit të dënuar, që justifikon faljen e pjesshme ose zëvendësimin e dënimit.
Boc
Kritere për faljen e dënimit
Falja e dënimit mund të jepet kur:
Nuk ekzistojnë kriteret ndaluese të parashikuara në ligj;
Personi i dënuar ka vuajtur më shumë se një të tretën e dënimit të dhënë;
Personi i dënuar me sjelljen, punën dhe veprimet e tij tregon se nëpërmjet dënimit të vuajtur është arritur qëllimi për edukimin dhe rehabilitimin shoqëror të tij;
Përmbushet të paktën njëri prej kritereve të mëposhtme:
Personi i dënuar në kohën e kryerjes së veprës penale ka qenë i mitur;
Kur për shkak të sëmundjes dhe moshës së personit të dënuar nuk justifikohet më vazhdimi i mëtejshëm i vuajtjes së dënimit; ose
kur e dënuara është me fëmijë të mitur.
Boc
Kritere ndaluese për faljen e dënimit
Falja e dënimit nuk jepet në rastet kur:
Vendimi gjyqësor nuk ka marrë formë të prerë apo nuk është bërë i ekzekutueshëm;
Ka përfunduar ekzekutimi i vendimit;
Ekzekutimi i vendimit nuk ka filluar, për shkak se i dënuari i është shmangur ekzekutimit;
Personi i dënuar ka kryer veprën penale me egërsi dhe mizori, apo kundër fëmijëve, grave shtatzëna a personave që, për shkaqe të ndryshme, nuk mund të mbrohen;
Personi është dënuar për veprat penale të parashikuara në dispozitat e mëposhtme të Kodit Penal: neni 73 “Gjenocidi”; neni 74 “Krime kundër njerëzimit”; neni 75 “Krimet e luftës”; neni 78
paragrafi 2 “Vrasja me paramendim”; neni 100 “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me të mitur”; neni 114/a “Shfrytëzimi i prostitucionit në rrethana rënduese”; neni 114/b “Trafikimi i
femrave”; neni 128/b “Trafikimi i të miturve”; neni 230 “Vepra me qëllime terroriste”; neni 234/a “Organizata terroriste”; neni 333 “Organizata kriminale”;
Personi është dënuar me burgim të përjetshëm;
Personi ka kryer një vepër penale, pasi ka përfituar nga falja tërësore, falja e pjesshme ose zëvendësimi i dënimit; Ndalohet shprehimisht me ligj.
Falja e dënimit nuk jepet edhe në rastin kur personi është dënuar për disa vepra penale dhe njëra prej tyre përfshihet në kriteret ndaluese të këtij neni.
Apeli lë në qeli italianin e akuzuar për fondet e KE-së
Gjykata e Apelit e Tiranës ka lënë në arrest shtëpie për 40 ditë shtetasin italian Italo Gigante, i akuzuar për riciklim parash, korrupsion dhe mashtrim me fondet e Bashkimit Europian për ndërtesën e Delegacionit Europian në Tiranë. Trupi gjykues i Apelit ndryshoi dje masën e sigurisë të dhënë nga gjykata e shkallës së parë të Tiranës e cila kishte dhënë vendimin për 30 ditë arrest në qeli. Avokati mbrojtës Ardian Vishaj kërkoi në seancë gjyqësore lirimin me pretendimin se klienti i tij ishte gjykuar njëherë për këtë çështje në Itali. Nga ana e saj prokuroria kërkoi shtimin e masës së sigurisë me 60 ditë burg. Por, gjykata dha masën e arrestit 40 ditë në shtëpi duke i dhënë afat 40 ditë autoriteteve belge për të sjellë dokumentacionin e nevojshëm për ekstradimin e shtetasit italian. Më pas gjykata do të vendosë nëse do të ekstradohet apo jo. Biznesmeni 57 vjeçar me origjinë nga Ruoti akuzohet për korrupsion, falsifikim dhe përdorim të dokumenteve të vjedhura dhe riciklim të fondeve që vijnë nga aktivitetet kriminale. Historia nisi në mars të vitit 2007, kohë kur Italo Gigante u arrestua në Belgjikë se bashku me tre zyrtarë italianë të Komisionit Europian , nën akuzen e përfshirjes në një skemë më të gjerë korrupsioni që kishte lidhje me rindërtimin dhe marrjen me qira të ndërtesave që do të ktheheshin në seli të delegacioneve të KE-së në Tiranë si dhe Nju Delhi të Indisë. Ndryshe nga tre italianët e arrestuar, Italo Gigante qëndroi në liri për shumë kohë e madje në maj të vitit 2007 kandidoi për zgjedhjet lokale në Rioti të Italisë. Me 14 korrik ai hyri në Shqipëri nga aeroporti i Rinasit, por, u arrestua nga Interpol Tirana për llogari të drejtësisë belge.
30 Korrik 2010