E Diel, 1 Nëntor 2026

Viktimat e dhunës në familje, ngrihet një qendër shërbimi



TIRANË - Është ngritur Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje, nisma e parë shtetërore kjo për nga lloji i shërbimeve që i ofrohet kësaj kategorie. Kjo qendër u ngrit pas plotësimit të bazës ligjore, ngritjes së strukturave, trajnimin e tyre ndaj fenomenit të dhunës në familje dhe ofrimit të asistencës për viktimat. Qendra është parashikuar të ofrojë për viktimat në marrëdhëniet familjare shërbime këshillimi, psikosociale, programe rehabilitimi, asistencë mjekësore e juridike, në përputhje me standartet e Këshillit të Evropës si dhe do të shërbejë si qendër kombëtare e trajnimit të specializuar për punonjësit që veprojnë në këtë fushë. “Qendra Kombëtare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës në Familje është e para, por jo e fundit e cila do të ofrojë shërbime për viktimat, dhe presim që njësitë e qeverisjes vendore, të sensibilizuara rreth nivelit të shtrirjes së këtij fenomeni dhe në zbatim të detyrimit ligjor, të fillojnë punën për ngritjen e qendrave rajonale, apo lokale”, tha Alma Marku, drejtore e Politikave për Shanset e Barabarta dhe Familjen në MPÇSSHB. Gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti janë evidentuar dhe trajtuar nga strukturat e policisë 801 raste të dhunës në familje. Po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm konstatojmë se ka rritje me 255 raste të evidentuara dhe trajtuara nga strukturat e policisë. “Vihet re, që ndryshe nga vitet e kaluara ku rastet më të shumta të denoncimit i përkisnin rrethit të Tiranës, rritja e sensibilitetit dhe ndërgjegjësimit ka sjellë edhe shtrirjen gjeografike të denoncimeve në të gjitha rajonet e vendit”, u shpreh ajo.

Sherr mes adoleshentëve, një në spital dhe një në pranga
DURRËS - Sherri mes adoleshentëve përfundon me një të plagosur dhe një të arrestuar. Burime zyrtare nga Policia e Durrësit thanë dje se, kanë vënë në pranga në flagrancë, 17-vjeçarin me inicialet T. Ç., lindur në Dorjan të Burrelit dhe banues në Durrës. Arrestimi i këtij personi është bërë për arsye se dy ditë më parë në mesditë, në mes të qytetit bregdetar, pas një konflikti për motive të dobëta, ai ka tentuar të vrasë me thikë 16-vjeçarin me inicialet R. K., lindur dhe banues në Durrës. Aktualisht, i dëmtuari ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i janë shkaktuar dëmtime në pjesën e barkut dhe të kurrizit. Ndërkaq, pas ngjarjes, autori i dyshuar i saj është larguar për t’iu shmangur hetimit dhe kapja e tij është bërë e mundur më pas nga kërkimet e policisë. Gjatë arrestimit, në cilësinë e provës materiale i është sekuestruar thika me të cilën është kryer krimi. Uniformat blu thanë se, dosja me materiale për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë” dhe “mbajtje pa leje e armëve të ftohta”, i ka kaluar për ndjekje Prokurorisë së Durrësit.

Trafiku i 572 kg marijuanë, arrestohet tre shqiptarë
LEÇE - Një sasi prej afro 600 kg marihuanë e ardhur nga Shqipëria është sekuestruar tre ditë më parë në brigjet salentineze nga Guardia di Financa e Leces. Ndërsa dje janë arrestuar tre shqiptarë të cilët dyshohen se janë anëtarë të organizatës kriminale e cila ka bërë të mundur transportimin e drogës nga Shqipëria nëpërmjet mjeteve të lundrimit në brigjet e Leces. Policia thotë se mëngjesin e së martës 3 shqiptarët kishin braktisur mallin e shtrenjtë në breg dhe ishin larguar në drejtim të paditur. Pas një ndekjeje të gjatë tre shqiptarët janë ndaluar dhe më pas arrestuar në superstradën Leçe-Brindizi. Tre shqiptarët kishin kaluar natën në një fshat afër vendit ku kishin zbarkuar drogën, afër brigjeve të San Kataldos në Leçe dhe të mërkurën paradite ishin nisur drejt Italisë së Veriut. Në operacionin e arrestimit morën pjesë një numër i madh patrullash policore. Media italiane bën të ditur se të arrestuarit disponomin dhe armë, por nuk bëhen publike emrat e shqiptarëve.

Sherr mes shqiptarëve dhe grekëve, disa të plagosur
ATHINË - Një sherr masiv me disa të plagosur ka ndodhur në fshatin Dhiavatos të Imathias. Incidenti filloi kur midis dy grupeve, një grupi shqiptarësh emigrantë dhe një grupi vendas, po ziheshin me fjalë për motive të dobëta. Sipas policisë, në sherrin që u zhvillua midis dy grupeve adoleshentë, morën pjesë edhe emigrantë të tjerë shqiptarë të rritur, të cilët ndihmonin bashkëkombasit e tyre. Dy nga katër grekët janë në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi janë dëmtuar me thikë në bark. Në të njëjtin spital gjendet edhe një shqiptar, i cili është plagosur lehtë. Në spitalin e Veries janë shoqëruar 5 adoleshentë grekë të moshave 15-16 vjeç, të cilët u qëlluan me thika nga shqiptarët që shkuan të ndihmojnë adoleshentët. Policia arrestoi edhe një emigrant të rritur i cili akuzohet se ka ndihmuar bashkëkombasit e tij duke qëlluar vendasit me thikë.

Arrestohet për vjedhje, tregon se kultivonte drogë
BAJRAM CURRI - U arrestua për vjedhje, por në polici deklaroi se kishte kultivuar edhe lëndë narkotike. Bëhet fjalë për një 24-vjeçar nga Tropoja, i cili është arrestuar dy ditë më parë në komunën Lekbibaj. Demir Naçaj ishte i kërkuar pasi akuzohej për veprën penale të vjedhjes. Pa u pyetur nga poliocia, ai ka deklaruar se ka mbjellë drogë në tokën e banesës së tij. "Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së bashku me personin e ndaluar ku ka rezultuar se ai kishte mbjellë 125 rrënjë bimë narkotike", thanë burime nga drejtoria e Qarkut të Kukësit. Pas kësaj, policia ka asgjësuar bimët narkotike.

30 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›