Në ndjekje të shqiptarit, karabinierët terrorizojnë qytetarët
SAVONA - Skena të denja për një film policesk, por në fakt janë reale. Ndodhën mëngjesin e djeshëm në qytetin e Savonës, Itali. Karabinierët të drejtuar nga zv/ prokurorja Rosalba Garello kishin rënë në gjurmët e një shqiptari të dënuar dhe nisën aksionin për kapjen e tij. Por atëherë kur policia kishte menduar se e kishte vënë në pranga të riun, që identifikohet si Orjon Çakiri, 22 vjeç, ai është larguar me vrap. Të ndodhur në këtë situatë, agjentët e policisë kanë nxjerrë armët dhe kanë qëlluar disa herë në ajër. Qytetarë të shumtë italianë kanë qenë dëshmitarë të skenës së denjë për një film Hollivudi. Të tmerruar qyterarë kanë hyrë nëpër dyqane dhe në shkallët e pallateve. Por shqiptari ka mundur të ikë sërish dhe për të kanë nisur kërkimet në të gjithë zonën e Savonës. Sipas të medias, 22-vjeçari duhet që të vuajë tre vite burg, pasi është dënuar për disa vjedhje të kryera në Genova.
Do ti japë fund jetës, por shpëtohet nga familjarët
KORÇË - Ka varur veten, por më pas ka mundur t’i shpëtojë vdekjes pasi të afërmit që e kanë gjetur në atë gjendje, e liruan menjëherë duke e drejtuar më pas në spital, ku aktualisht gjendet në gjendje të mirë shëndetësore. Fjala është për një 74-vjeçar me inicialet S. M., i cili është gjetur i vetëvarur në mjediset e shtëpisë së tij. Ngjarja bëhet me dijeni nga burimet policore të Korçës, të cilat konfirmojnë se ajo ka ndodhur konkretisht në fshatin Kamenicë të e Korçës. Ndërsa mësohet se 74-vjeçari tashmë ndodhet i shtruar në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën pasi ka marrë ndihmën mjekësore. Mjekët pohuan se ky i moshuar vuan prej 4-vjetësh nga depresioni nervor dhe me këtë fakt, ata e argumentuan faktin e vetëvarjes së tij. Nga ana tjetër, u kryhen veprimet proceduriale për veprën penale të “shkaktimit të vetëvrasjes, e mbetur në tentativë”, dhe dosja me materialet përkatëse i kaluar prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Kapet për vrasje në tentativë, arma i gjendet pa fishekë
TIRANË - Një i ri është vënë në prangat e policisë pasi ka tentuar të vrasë me armë një person tjetër, por gjatë arrestimit policia i ka bllokuar një automatik, që nuk kishte fishekë. Ngjarja ka ndodhur ditën e djeshme në Tiranë dhe autori i saj mësohet të jetë, Besnik Skënder Musftaj, 24 vjeç. Sipas policisë së kryeqytetit, kanë qenë efektivët e Komisariatit Nr. 4, të cilët kanë vënë në pranga të riun sepse në rrugën “Halit Bega” ka tentuar të vrasë me armë zjarri një person tjetër. Gjatë arrestimit, në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar një automatik, pa qytë, pa fishekë dhe pa numër të stampuar. Policia e kryeqytetit tha se, dosja ndaj 24-vjeçarit i ka kaluar Prokurorisë së Tiranës.
E merr lopa zvarrë, vdes 47-vjeçari
LIBRAZHD - Një 47-vjeçar ka vdekur mesditën e djeshme pasi është tërhequr zvarrë nga lopa. Lajmi është bërë i ditur nga burimet zyrtare të Policisë së Elbasanit. Sipas tyre, ngjarja e rëndë ndodhi në orën 14:00 të ditës së djeshme, në fshatin Mirakë, Librazhd. Uniformat blu thanë se, ka gjetur vdekjen Ferit Hasani, 47 vjeç, banues në këtë fshat. Viktima ka qenë duke kullotur bagëtinë e tij (lopë). Por në një moment lopa largohet me shpejtësi duke e tërhequr zvarrë 47-vjeçarin i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe pritet një raport përfundimtar në lidhje me këtë vdekje.
30 Korrik 2010