E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsion me paratë e të varfërve, pesë ish-zyrtarë në pranga



Artan CENA
TIRANË - Mashtrimet me pagesën e papunësisë kanë vënë nën hetim pesë ish-zyrtarë lokalë në rrethin e Kurbinit. Lajmi është bërë i ditur dje, nga burimet zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas tyre, 5 ish-zyrtarët e lartë lokalë, katër prej të cilëve janë në burg dhe një në “arrest shtëpie”. Ata akuzohen se, kanë krijuar 85 dosje false papunësie duke përfituar në mënyrë të paligjshme miliona lekë. Siç është mësuar nga Prokuroria e Kurbinit, dëmi i shkaktuar është llogaritur në shumën e 6 milionë lekëve. Të akuzuarit janë, Gentjan Rukaj, ish-drejtor i zyrës vendore të punësimit, Mirjeta Frrokaj, ish-specialiste e pagesës, Bledar Cufaj, Klaudiana Rasha, dhe Gjon Sevgjini. Këta në bashkëpunim me njëri-tjetrin gjatë vitit 2008 dhe 2009 kanë krijuar dosje fiktive, për persona që nuk ekzistojnë dhe për përfitim të pagesës së papunësisë. Mbi ta rëndojnë akuzat e "vjedhjes duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim”, “shpërdorimit të detyrës” dhe “falsifikimit të dokumenteve”.
Hetimet
Skandali, fillimisht është denoncuar nga mediat dhe më pas ka çuar në zbulimin e mashtrimit të madh. Vendimi për arrestimin e këtyre nënpunësve është marrë nga gjykata e rrethit të Kurbinit dy ditë më parë. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Kurbinit, kanë bërë të ditur se, hetimi ka nisur në datën 18 gusht 2009. Gjatë veprimeve të marra me cilësinë e personit nën hetim, janë marrë Gentjan Rukaj, Beldar Cufaj, Klaudiana Rasha, Mirjeta Frrokaj dhe Gjon Sevgjini. Prokuroria e Kurbinit, pasi kishte marrë disa të dhëna për disa shkelje në Zyrën Vendore të Punësimit, të publikuara në media. Pas këtij informacioni në zyrën për të cilën bëhej fjalë, kanë shkuar disa oficerë të Policisë së Lezhës, të cilët kanë kryer veprimet e para hetimore. Më pas hetimi është udhëhequr nga prokuroria. Në hetimet e bëra publike, zbulohet se, Gentjan Rukaj, Mirjeta Frrokaj dhe Bledar Cufaj, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë krijuar dosjet fiktive për persona që nuk ekzistonin.
Skema e përfitimit
Pas bërjes gati të dosjeve, këta persona kanë bërë kuponat e pagesës së papunësisë kanë xhiruar lekët e pagesës tek zyra e postës Laç, ku bëhet dhe shpërndarja e parave të papunësisë. Rukaj kishte krijuar një lidhje me punonjësin e postës Laç, Gjon Sevgjinaj i cili ka bërë të mundur që tek listepagesat e borderove të personave fiktivë të nënshkruanin persona të tjerë, ku mes tyre dhe vetë Mirjeta Frrokaj, Bledar Cufaj. Ndërkaq e gjithë vlera monetare është përfituar nga personat e mësipërm. Më pas, Gentjan Rukaj dhe Mirjeta Frrokaj, kanë bërë dhe dëmtimin e disa prej dosjeve që kanë qenë me dokumente të falsifikuara. Nga kryerja e këtij aktiviteti, gjatë hetimit është zbuluar se pesë personat i kanë shkaktuar një dëm ekonomik shtetit në shumën e 6 milionë lekëve që janë përfituara nga ata. Po ashtu gjatë hetimit është zbuluar se, Klaudiana Rasha, me detyrë arkiviste në Zyrën Rajonale të sigurimeve shoqërore Lezhë, ka ndihmuar Gentjan Rukajn dhe Mirjeta Frrokaj që të administronin në arshivë, lista të personave dosjet e të cilëve janë fiktive, sikur gjoja kanë qenë të siguruar më parë pranë disa firmave që ushtrojne aktivitete të ndryshme. Të gjithë këto akte janë falsifikuar, me qëllim fshehjen e të dhënave për kryerjen e veprave penale. Ato janë konfiskuar nga prokuroria si prova materiale.

Të arrestuarit
Gentjan Rukaj, “arrest në burg”
Mirjeta Frrokaj, “arrest në burg”
Bledar Cufaj, “arrest në burg”
Gjon Sevgjini, “arrest në burg”
Klaudiana Rasha, “arrest në shtëpi”

30 Korrik 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›