E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, padit Kryeministrin për shpifje

Drejtoresha Juridike, Migena Vishko, depozitoi dje pesë kallëzime penale ndaj funksionarëve të shtetit


Vishko: Zgjodhëm rrugën ligjore për dënimin e personave përgjegjës për prishjen e imazhit të Bashkisë


Bashkia e Tiranës depozitoi dje pranë prokurorisë së Rrethit gjyqësor të Tiranës, pesë kallëzime penale ndaj disa funksionarëve të shtetit, në të cilat përfshihet edhe kryeministri Sali Berisha. Objekt i kallëzimit ndaj kryeministrit është, prishja e imazhit të Bashkisë, nga sulmet e Berishës, si dhe strukturave të tjera që janë në varësi të pushtetit ekzekutiv.


"Në lidhje me baltën publike që politika qeveritare po hedh mbi Bashkinë e Tiranës, ne krahas shpjegimeve publike kemi zgjedhur dhe rrugën ligjore për dënimin penal të personave përgjegjës, si dhe për dëmshpërblimin e Bashkisë së Tiranës për imazhin e cenuar. Dëmshpërblimi do të shkojë për shtimin e shërbimeve ndaj komunitetit.


Po dorëzojmë 5 kallëzime për fillimin e çështjeve penale ndaj kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, zotit Sali Berisha, ndaj funksionarit të PD-së, zotit Aldo Bumçi, ndaj drejtorit të Policisë së Qarkut, zotit Tonin Vocaj, si dhe ndaj zv.drejtorit të Ppolicisë së Qarkut për Sigurinë Publike, zotit Gjergji Jorgo.


Gjithashtu, kallëzimi tjetër është ndaj Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli", - shpjegon juristja e Bashkisë së Tiranës, Migena Vishko. Në dokumentin e kallëzimit, Kryeministri akuzohet për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj, Edi Rama, për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës te "Tajvani", si dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.


Kallëzimi i dytë i adresohet funksionarit të Partisë Demokratike, Aldo Bumçi, i cili akuzohet njësoj si kryeministri për kryerjen e veprës penale të shpifjes së qëllimshme ndaj Bashkisë së Tiranës dhe Kryetarit të saj, për shkak të kryerjes së veprimtarisë shtetërore, në lidhje me shitjen e tokës te "Tajvani".


Po kështu, Bumçi akuzohet se pa të drejtë ka akuzuar kryetarin Bashkisë së Tiranës, për dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin.


Kallëzimi i tretë i depozituar në prokurorinë e Tiranës është ndaj Kryeinspektorit të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Hekuran Hoxhalli. Sipas Drejtorisë Juridike të Tiranës, ky funksionar publik ka kryer veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Akuza i referohet vendimit të Hoxhallit për prishjen e objektit 12-katesh, në pronësi të Ilir Matës, më datë 7 dhjetor 2009-të.


Dy kallëzimet e tjera janë ngritur ndaj Tonin Vocajt dhe Gjergji Jorgos. Vocaj ushtron funksionin e Drejtorit të Policisë së Qarkut të Tiranës, njëkohësisht është edhe zëvendësdrejtor për Sigurinë Publike, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë.


Ndërsa, Gjergji Jorgo akuzohet për ushtrimin e dhunës dhe shpërdorim detyre gjatë tubimit të kryebashkiakëve socialistë në sheshin para kryeministrisë më datë 5 dhjetor 2009-të.


Krahas kallëzimeve penale, Bashkia e Tiranës ka dorëzuar edhe dy padi civile për kryeministrin Berisha dhe Partinë Demokratike, si subjekt politik. Dëmshpërblimi që kërkohet për këto padi është mbjellja e 1250 pemëve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›