E Diel, 1 Nëntor 2026

Sekretari francez i shtetit: Politika të dialogojë

Kur ka kontestime, sipas sekretarit francez, gjithçka duhet të zgjidhet përmes dialogut


TIRANË- Sekretari i shtetit francez për Çështjet Evropiane, Pierre Lellouche,
ka kërkuar dje që politika shqiptare të dialogojë, ndërsa kryeministri i vendit Sali Berisha ka ripërsëritur se nuk do të dalë mbi vendimin e gjykatave, referuar kërkesës kryesore të opozitës për hapjen e kutive të votimit.


Pas takimit të zhvilluar dje në kryeministri, Sekretari i shtetit francez për Çështjet Evropiane, Pierre Lellouche, i pyetur nga përfaqësues të medias, lidhur me bojkotin e opozitës, është përgjigjur se, do të ishte i lumtur "nëse do ti jepej fund situatës anormale të bojkotit".


"Mendimi ynë është shumë i thjeshtë, principi bazë i demokracisë është që sapo zgjedhjet mbarojnë dhe në momentin që KQZ-ja nxjerr rezultatin duhet të pranohet ndryshimi, ai që fiton merr pushtetin dhe ai që humb do të kalojë në opozitë. Por, pranimi i kësaj alternance është baza e demokracisë.


Kjo duhet të pranohet mirë në kokë sepse është rregull absolut sepse nëse nuk pranohet ndryshimi i pushteteve atëherë është regjim diktatorial. Unë e kuptoj se demokracia mund të mos jetë perfekt, mund te këtë kundërshtime, por koncepti tjetër bazë në këtë rast, kur ka kontestime, gjithçka rregullohet përmes drejtësisë dhe dialogut.


Unë bëj thirrje në interes të Shqipërisë dhe integrimit të saj në Evropë, ashtu siç ka bërë komisioneri Rehn, dhe ajo që mund të bëj unë është vetëm një thirrje për dialog, sepse përndryshe do të dukej si ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë, pra thirrje për alternancë dhe dialog", - tha dje Lellouche.


Nga ana e tij, kryeministri Berisha u shpreh se e kishte siguruar z. Lellouche se mazhoranca mbetej e hapur për bashkëpunim me opozitën, por vetëm hapja e kutive jo, pasi sipas Berishës, nuk mund të dilet mbi vendimin e gjykatave.


"Çdo problem, dokument apo fakt që ka për zgjedhjet e shkuara le t'i paraqesë para institucionit të akuzës dhe organeve të drejtësisë. Ajo ç'ka unë nuk imagjinoj, nuk e imagjinon as edhe një qytetar i lirë në Evropë apo në botë, është që politikanët të marrin edhe vendimet gjyqësore", - tha ai.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›