"Bashkia e Tiranës pengon ekzekutimin e vendimeve gjyqësore"
Ministria e Drejtësisë ka reaguar dje ndaj deklaratës së Partisë Socialiste se vartësit e Alibeajt nuk po ekzekutojnë vendimet penale. "Ministria po punon për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore. Kësaj përpjekjeje madhore nuk i shërbejnë dizinformimet, sidomos kur ato kanë si synim të pështjellojnë tymnajën e ngritur dhe për më tepër statistikat të lexohen mbrapsht, me qëllimin e vetëm për të luftuar pa princip mazhorancën qeverisëse", thuhet në njoftimin e ministrisë. Në lidhje me ekzekutimet e vendimeve gjyqësore, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë një mbledhjeje me KLD-në dhe Gjykatën e Lartë do të deklaronte se janë 8868 çështje që nuk janë ekzekutuar. Por 11 ditë më pas, kreu i shtetit është "kujtuar" nga PS-ja, duke deklaruar dje se janë rreth 13 mijë çështje që nuk janë ekzekutuar. Në këtë vazhdë, me të njëjtat shifra ka reaguar edhe Ministria e Drejtësisë, e cila është munduar të sqarojë se "qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe Ministria e Drejtësisë e konsiderojnë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore si një nga elementët thelbësorë të shtetit të së drejtës dhe pjesë e pandashme e procesit të rregullt ligjor". Sipas saj, çdo ditë të punës së saj, në përputhje me programin politik dhe objektivat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit, Ministria e Drejtësisë po punon për të arritur nivel të njëjtë të ekzekutimit të vendimeve gjyqësore me ato të vendeve evropiane. Pa përmendur emra apo institucione konkrete, ministria thotë se shifrat e publikuara janë dizinformime dhe luftojnë mazhorancën qeverisëse. Duke reaguar disa orë pas PS-së, vartësit e Alibeajt deklarojnë se janë 15641 çështje që janë regjistruar për ekzekutim. Shifra është e njëjtë me shifrën e publikuar nga Ylli Manjani. Më pas, ministria thotë se vetëm 3875 çështje janë ekzekutuar. Më pas vijojnë se 1269 çështje janë pushuar, ndërsa 7523 çështje janë në ekzekutim brenda afateve procedurale. Sipas Ministrisë së Drejtësisë vetëm 211 çështje janë të refuzuara dhe 814 çështje janë të pezulluara me vendim gjykate. Njoftimi i ministrisë përfundon se 568 çështje janë të transferuara dhe vetëm 36 çështje janë pushuar për shkak të shfuqizimit të urdhrit ekzekutiv. Sipas shifrave të Alibeajt, rezulton që 85% të çështjeve të regjistruara iu është dhënë zgjidhje ligjore. "Jashtë afateve procedurale të vendosura nga Kodi i Procedurës Civile janë rreth 1000 çështje, për të cilat Shërbimi i Përmbarimit veç mjeteve të tjera ligjore po procedon me vendosje gjobe dhe kallëzime penale për mosekzekutim të vendimeve gjyqësore", thuhet në njoftimin e ministrisë. Në fund të njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, faji i mosekzekutimit të çështjeve është i Bashkisë së Tiranës. "Qeveria do të vazhdojë të ekzekutojë vendimet gjyqësore, ndonëse në disa raste nuk ka mjete apo nuk posedon procedura për shkak të veprimit apo mosveprimit për shembull të Bashkisë së Tiranës, siç ishte rasti "Qufaj vs Shqipërisë", kur për mosekzekutim të vendimit gjyqësor të formës së prerë nga Bashkia e Tiranës, Këshilli i Ministrave pagoi nga fondi rezervë i tij shumën prej 70 milionë lekësh të reja", përfundon njoftimi i Ministrisë së Drejtësisë.