Dhomat e Tregtisë së Ballkanit: "Jo krizë ekonomike, por besimi"
Shqipëria do të drejtojë për një vit rresht Dhomat e Tregtisë për Ballkanin, falë votimit në datat 26-27 tetor, që solli në krye të këtij organizmi kreun e Bashkimit të Dhomave në vend, Ilir Zhillën. Përtej këtij lajmi pozitiv për vendin, Asambleja e Përgjithshme e Shoqatës së Dhomave të Tregtisë së Ballkanit, vuri në pah një sërë problemesh që shqetësojnë rajonin, ndikuar edhe nga kriza ekonomike. Samiti Ekonomik i Ballkanit, që i parapriu mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të ABC-së, u fokusua posaçërisht në përballimin e krizës ekonomike, që tashmë është evidente. Edhe një pjesë e vendeve të rajonit, e kanë shpallur këtë gjendje krize, ndërkohë që disa vende të tjera - ku bën pjesë edhe Shqipëria - kanë anuar nga marrja e masave konkrete për ta përballuar këtë situatë ekonomiko-financiare delikate. Liderë të Dhomave të Tregtisë u shprehën se më tepër sesa një krizë ekonomike, kemi të bëjmë më së pari me një krizë besimi, që duhet evituar. Nga ana tjetër, kjo krizë duhet të shërbejë për të sensibilzuar vendet e rajonit dhe BE-në për një bashkëpunim më intensiv në të gjitha fushat.