Madrid, Meta takon socialistët evropianë
Lideri i LSI-së, Ilir Meta, zhvilloi dje takime me personalitete të larta të së majtës evropiane, gjatë pjesëmarrjes së tij në Këshillin e PSE-së në Madrid. Meta ka pasur takime të veçanta me Martin Schultz, kryetar i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Evropian, me Alfred Gusenbauer, ish-kancelar dhe lider i Partisë Social-Demokrate Austriake, Elio Rupo, udhëheqës i socialistëve belgë, dhe me Filip Korderi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Socialistëve Evropianë. Me ta ai ka biseduar për situatën politike në vend, për gjendjen e së majtës, si dhe për problemet që sjell në administrimin e zgjedhjeve Kodi i ri Zgjedhor. Korderi ka shprehur shqetësimet e tij në lidhje me pasojat e administrimit të zgjedhjeve sipas Kodit të ri Zgjedhor, në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Filip Korderi dha mbështetjen e tij për përpjekjet e OSBE-së për transparencë, pluralizëm dhe gjithëpërfshirje në administrimin e zgjedhjeve, ashtu siç shprehet në Raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e vitit 2005. "Partia e Socialistëve Evropianë mbështet një proces zgjedhor të lirë, të ndershëm, transparent dhe gjithëpërfshirës në Shqipëri dhe do të monitorojë nga afër zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009", tha Filip Korderi.