E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: "Heqim vizat brenda mandatit të parë"

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përmbylli festimet e 28 dhe 29 Nëntorit në Athinë të Greqisë. "Historia e flamurit tonë është historia e atdhetarëve shqiptarë kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë. Është historia e bijve e bijave të atdheut tonë që asnjëherë nuk e ndanë vështrimin nga e ardhmja e vendit të tyre nga e ardhmja e Shqipërisë", theksoi Rama. Ju që të gjithë e nisët nga hiçi, ju drejtua Rama emigrantëve, duke përballuar në fillim fare një nëpërkëmbje dhe përbuzje të pashembullt dhe tërësisht të pamerituar. "Një mospërfillje dhe mosbesim të pashoq, të pamerituar dhe mbi të gjitha që do të kishte paralizuar këdo. Por, ju nuk u paralizuat. Përkundrazi, ju dha më tepër arsye për të punuar me mish e me shpirt për t‘ia dalë mbanë", vlerësoi Rama. Ju, shtoi ai, ia arritët t‘ia dilnit mbanë, jo vetëm të ushqeni familjet tuaj, jo vetëm t‘ju jepni të ardhme fëmijëve tuaj, por edhe të mbani në këmbë Shqipërinë, duke i dhënë ekonomisë shqiptare, jo pak, por 1.3 miliardë euro. Kreu i socialistëve konstatoi se sot shqiptarët nuk janë punëtorët e krahut, që bëjnë gjithçka për të jetuar, por janë përditë e më shumë qytetarë të denjë. "Sot është koha që ne të bëjmë të mundur lëvizjen e lirë të të gjithë shqiptarëve. Është koha për sfidën atdhetare dhe shoqërore, që çdo shqiptar e shqiptare të lëvizë lirisht dhe të ketë një pasaportë, e cila është njësoj si pasaportat e tjera të Bashkimit Evropian", këmbënguli Rama. Dje pasdite, kryetari i PS-së, Kryetar i PSSH, ka marrë pjesë në punimet e Këshillit të Partive Socialiste Evropiane, që po zhvillohet në Madrid të Spanjës. Lideri i opozitës shqiptare, Edi Rama, ka takuar Presidentin e Internacionales dhe Kryetarin e Pasok, Papandreun, i cili e uroi për zgjedhjen si Kryetar i Komisionit të Internacionales Socialiste për Europën Juglindore. Rama e ftoi Papandreun në takimin e parë të Komisionit, që do të zhvillohet në fillim të 2009. Kryetari i PS-sëm u takua me Martin Shultz, Kryetar i grupit Parlamentar i PSE, të cilin e informoi për reformën elektorale, teksa Shultz shprehu interes për të ardhur në Tiranë, ndërkohë që Rama e ftoi në takimin e Komisionit të Internacionales Socialiste. Fjala e Edi Ramës është planifikuar nga organizatorët për t‘u mbajtur nesër paradite, ndërkohë që më pas lideri opozitar do të ndërpresë qëndrimin në Madrid, për shkak të axhendës në Tiranë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›