Nafta, 120 milionë euro kosto shtesë
Rritja në mënyrë jo të drejtë të çmimeve të karburanteve mendohet të ketë sjellë një kosto shtesë për shqiptarët në shifra që shkojnë rreth 120 milionë euro. Përllogaritja e përafërt është bërë nga bizneset industrialiste, të organizuara nga Konfindustria, ku sipas të cilës, shuma rezulton e tillë falë mospasqyrimit elastik të çmimeve ndërkombëtare, pa llogaritur koston e dëmtimeve të makinave ose makinerive të biznesit dhe qytetarëve nga cilësia tërësisht jashtë standardit. Konfindustria, duke u nisur nga gjendja mjaft e rëndë në shumë vite e tregut të karburanteve në vend, kostot e larta shtesë të panevojshme në terma financiare të këtij tregu, i bën thirrje sërish qeverisë të ndërhyjë menjëherë për ndryshimin e gjendjes "krejtësisht të papranueshme". Për të ndërgjegjësuar institucionet shtetërore Konfindustria paraqiti dje përfundimet kryesore të vlerësimit të përgjithshëm për kostot shtesë të tregtimit të karburanteve në Shqipëri bazuar në të dhënat e ardhura pranë saj në muajt shtator-dhjetor 2008. Sipas saj, janë 8 lloje "Kosto Shtesë", që biznesi dhe qytetarët shqiptarë paguajnë dhe dëmtohen padrejtësisht nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve. "Nga studimi del se kemi kosto të drejtpërdrejta shtesë të karburanteve për shkak të abuzimit me cilësinë jashtë standardit, me vëllimin në shitje në rrjetin e pikave të distributorëve, me mospasqyrimin elastik të çmimeve ndërkombëtare etj. E gjithë kjo, kostoja shtesë për të gjithë ne përllogaritet rreth 120 milionë euro në vit", u shpreh administratori i Përgjithshëm, Gjergj Buxhuku. Ai ka përmendur dhe kostot indirekte shtesë që ndikojnë në shëndet, mjedis etj.
Konfindustria do të paraqesë së shpejti për publikun peshën e secilës kosto të drejtpërdrejtë në koston e përgjithshme të dëmit ekonomik që ekonomia dhe qytetarët shqiptarë pësojnë nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve të llogaritura përafërsisht së bashku me shpjegimet përkatëse.
Konfindustria do të paraqesë së shpejti për publikun peshën e secilës kosto të drejtpërdrejtë në koston e përgjithshme të dëmit ekonomik që ekonomia dhe qytetarët shqiptarë pësojnë nga keqfunksionimi i tregut të karburanteve të llogaritura përafërsisht së bashku me shpjegimet përkatëse.