E Shtunë, 31 Tetor 2026

"S‘po ekzekutohen vendime gjyqësore"

Partia më e madhe e opozitës konstatoi dje se vetëm 24% e vendimeve të gjykatës ekzekutohen prej shërbimit përmbarimor. Në një komunikim me median, Ylli Manjani, kryetari i Komisionit të Ligjeve në Asamblenë Kombëtare të PS-së, tha se edhe pas premtimit të bujshëm të Kryeministrit, që deri në fund të vitit 2005 do të zbatoheshin të gjitha vendimet e gjykatave, përsëri sot në dhjetor 2008 situata në këtë sektor është alarmante. "Sipas të dhënave zyrtare, shtoi ai duke theksuar se këto të dhëna janë siguruar nga ambasadat e huaja, sepse Sali Berisha nuk ka fytyrë të ballafaqojë me shqiptarët të dhëna të tilla, deri më sot figurojnë rreth 15600 çështje të regjistruar në shërbimin e përmbarimit për t‘u ekzekutuar", sqaroi Manjani. Vetëm 3800 prej këtyre çështjeve janë ekzekutuar sipas informacioneve që disponon opozita. "Kjo do të thotë se vetëm 24% e vendimeve të gjykatës së formës së prerë që sot disponojnë shqiptarët në dorë mund të ekzekutohen. Kjo do të thotë se të gjitha përpjekjet e shqiptarëve për të fituar një gjyq, qeveria e Sali Berishës i çon në lumë, duke mos i ekzekutuar. Kështu u shërben Sali Berisha shqiptarëve!!", nënvizoi Manjani. Partia Socialiste kujton se Kushtetuta e Republikës, në nenin 142, paragrafi 3, ka saktësuar se "organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore". "Sali Berisha dhe qeveria e tij nuk duan t‘ia dinë për shtet, Kushtetutë e ligj. Sali Berisha nuk do t‘ia dijë as për gjykata e as për të drejtat kushtetuese të shqiptarëve", u shpreh Manjani. Është pak të themi, shtoi ai, se zoti Kryeministër na gënjeu kur premtoi se do të ekzekutonte të gjitha vendimet e gjykatave. Selia rozë mendon se është pak, sepse zoti Berisha, më shumë se sa gënjeshtar, është shkelës i hapur i Kushtetutës së vendit dhe veçanërisht i lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve. "Është pak sepse më shumë se sa gënjeshtar, në këta tri vite shteti i Sali Berishës ka thelluar borxhin e tij financiar ndaj qytetarëve, duke rritur dëmin ekonomik. Pra është pak gënjeshtra e Sali Berishës para shkeljes flagrante të Kushtetutës dhe të ligjeve", ngulmoi Manjani. Shumica e vendimeve të gjykatave të pazbatuara janë detyrime financiare, por jo vetëm të shtetit ndaj qytetarëve. "Sali Berisha dhe shteti i tij as që kanë ndërmend të zbatojnë qoftë edhe një vendim të vetëm. Shihni ligjin për buxhetin e shtetit që Berisha sapo miratoi me dhunë kartonësh dhe do shihni se asnjë qindarkë nuk është parashikuar për pagimin e detyrimeve gjyqësore ndaj qytetarëve. Ky është shteti që drejton sot Sali Berisha", theksoi Manjani. PS zbulon se Kryeministri Berisha ka dërguar në Kuvend një ligj për Përmbarimin Privat, i cili edhe po u miratua, nuk sjell asnjë ndryshim të gjendjes. "Nuk sjell asnjë ndryshim sepse problemi nuk qëndron te shërbimi i përmbarimit, por te Sali Berisha dhe qeveria e tij. Problemi është se Berisha dhe qeveria e tij nuk e njohin pushtetin gjyqësor dhe për pasojë refuzojnë të zbatojnë vendimet e tij", tha Manjani.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›