E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndryshimi që mund të sjellin për shqiptarët, zgjedhjet e parakohshme të Malit të Zi

Parlamenti malazez u shkurtoi mandatin deputetëve të deritanishëm duke krijuar kështu kushtet ligjore që zgjedhjet e ardhëshme të mbahen në fund të marsit. Me këtë rast duket se u shpërfillen kritikat e bëra nga opozitarët se gjoja sipas Kushtetutës malazeze para se të shpallet data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare është dashur të miratohet Ligji i ri zgjedhor. Me këtë u vërtetua se shumica dhe numri i votave e bënë të vetën duke mos u arritur një konsensus  që së paku të diskutohet ky ligj për të pasur mbështetjen edhe nga opozita. Kështu opozita mbeti pa mbrojtje të shumicës me cka deshën apo jo duhet të pranojnë mbajtjen e zgjedhjeve për datën e caktuar, ose t’i bojkotojnë ata, cka vështirë të besohet për një hap të tillë nëse mendohet të jetë unik trungu i tyre votues.
Kjo nuk mund të ndodhë edhe për faktin se opozita malazeze ka provuar disa herë t’i hakmerret pozitës aktuale me protesta nga më të ndryshmet. Opozita nuk mund të merret vetëm me fjalë e vepra që nuk i ofrojnë shoqërisë qoftë edhe pikë shpresë, ndaj duhen alternativa për të bindur votuesit. Ajo për momentin nuk ka forcë politike për të ndalur projektet e shumicës, ndaj shumica u thotë: jemi ne për të bërë ligje e për të mbajtur përgjegjësitë, jeni ju për t’i zbatuar e respektuar ata e për t’iu bindur vendimeve të shumicës, dhe përderisa është kështu kjo shumicë do të zbatojë projektet e saja nëse fitojnë që me mandat të ri të legjitimohen për shumëcka nga ku ka gjasa që shumica e votuesve përsëri të bëhet me të “fortin” si një shenj për opozitën se nuk kalohet koha vetëm me kritika, akuza pa paraqitur para votuesve ndonjë alternativë të re e për të kthyer situatën në favor të tyrin. Po t’i referohemi asaj që ndodhi gjatë mandatit të sapombyllur mund të konkludohet se opozita nuk e ka luajtur funksionin e vet si duhet dhe tani është koha e momenti që ajo të forcojë radhët e veta duke mos u marrë shumë me pozitën e duke bërë “luftë” të ndershme politike, me alternativa të reja të dëshmojë vetën se është në shërbim të qytetarëve. Po aq edhe pozitës i mbetet të tregojë vullnet politik për të përfshi në krahun e saj parti që shprehin dëshirën për të qenë pjesë e një koalicioni të mundshëm.
Tani cështja është pjesëmarrja e partive politike shqiptare në këto zgjedhje. Nga liderët e tyre u dhanë disa deklarata, por ato tani për tani mbetën vetëm deklarata dhe jo ndonjë qëndrim i prerë i tyre se si do të jetë nesër plani për dalje në zgjedhje, a do të bëhen bashkë apo do të dalin ndaras, gjë që nuk është dicka e re për opinionin e këtueshëm. Një gjë duhet pasur parasysh, dalja vetmas nuk i garanton asnjërit fitore dhe për këtë duhet bërë konsultime dhe me Prishtinën e Tiranën. Nëse nga udhëheqësit e dy qendrave deri tash ka pasur vetëm premtime, tani është koha dhe momenti që ata të diskutojnë për këtë cështje me liderët e partive shqiptare në Mal të Zi për faktin se zgjedhjet paraqesin element kyc për të ardhmen e shqiptarëve të këtueshëm.  Kjo i obligon liderët e partive shqiptare të ulen e të bisedojnë në mënyrë që trupi zgjedhor të pozicionohet karshi interesave të përgjithshme kombëtare. Këtë shqiptarët në Mal të Zi e dëshmuan si kërkesë në shumicën e rasteve, ndaj do të ishte me rëndësi qëndrimi i dy qendrave në mënyrë që të bëhen përpjekje për të bashkuar shqiptarët në një trung të vetëm me një kurs të caktuar për të ardhmen e tyre. Nëse kjo nuk ndodhë atëherë akuzat e tyre ndaj njëri-tjetrit do të jenë në vazhdimësi cka bënë që votuesit të humbin besimin e shpresën se një ditë do të bëhet më mirë. Sidoqoftë, deputetët shqiptarë do të zgjidhën nga elektorati, do të kenë mbështetjen e qytetarëve ata kandidatë që më së miri do të dinë të prezantohen para elektoratit. Tani kur cdo gjë dihet, Ligji zgjedhor, data e mbajtjes së zgjedhjeve, nuk ka arsy më për ankesa, ajo që shqetëson për momentin është numri i tepërt i partive politike shqiptare në një territor të ngushtë. Për pasojë duket se përfaqësuesit e këtyre partive do të humbin shumë kohë duke u marrë me lojëra e luftëra të fëlliqëta të cilat vështirë se do mund të tejkalohen. Atyre kështu u konvenon, përndryshe sa u përket premtimeve të dhëna qytetarëve për një jetë më të mirë, mbeten vetëm premtime dhe asgjë më tepër.
Ndoshta është heret të jipen premtime parazgjedhore e të bëhen publike platformat me të cilat mendojnë të paraqiten para zgjedhësve, por pritet që së paku të provohet një mundësi e bisedimeve për mënyrën e një veprimi të përbashkët. Kjo do të ishte në dobi të interesave të qytetarëve ku më shumë duhet menduar për votuesit, gjë që do të ulte tensionet e tanishme përmes një konsesusi nga ku do të arrihej ajo që përfaqësojnë subjektet politike shqiptare. Ky konsensus normalisht se kërkon edhe sakrifica nga fakti se ne kemi probleme të pazgjidhura, gjë që në këto momente duhet lënë anash. Populli e ka të qartë se kush mund t’i finalizojë kërkesat e tij dhe për këtë ai do të dijë se kujt duhet dhënë votën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›