E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës refuzon bashkëpunimin me ILDKP për hetimin e komisionit Rama 2

ILDKP u mbështet në denoncimin e ZMK për hetim të pavarur ndaj kryebashkiakut Rama 
Bashkia e Tiranës shfaqet indiferente ndaj kërkesës së parashtruar nga ILDKP dhe Kuvendi për dhënien e disa dokumenteve, të cilat nevojiten për hetimin e ngritur në emër të kryebashkiakut Rama për dhënien e lejeve të ndërtimit. Pas denoncimit të bërë nga Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve si dhe pas ngritjes së Komisionit hetimor parlamentar, që kanë si objekt hetimin administrativ për mënyrën e dhënies së lejeve të ndërtimit në mbledhjet e datave 22 mars dhe 17 prill 2009, të KRRT së Tiranës, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit të Pasurive nisi në maj të këtij viti, një hetim të pavarur. Por, nga ana e saj Bashkia e Tiranës ka refuzuar bashkëpunimin me Inspektoriatin e Larte të Deklarimit të Pasurive në lidhje me këtë hetim për parandalimin e konfliktit të interesave nga kryebashkiaku Rama në dhënien e lejeve të ndërtimit. Ky institucion i ka kërkuar Bashkisë së Tiranës një sërë dokumentesh të cilat i nevojiten për këtë hetim, por pavarësisht se kthimi i përgjigjes dhe vendosja e këtij dokumentacioni të kërkuar në dispozicion të Inspektoriatit është një detyrim ligjor, Bashkia nuk i ka kthyer një përgjigje këtij të fundit, çka bëhet pengesë për marrjen e një vendimi përfundimtar mbi hetimin në fjalë. Në këto kushte, Inspektorati ka urdhëruar zgjatjen e hetimit për një afat 30 ditor me qëllim që ti japë kohën e nevojshme Bashkisë të kryejë detyrimin e saj ligjor dhe të vendosë në dispozicion të tyre dokumentacion e kërkuar. Ky urdhër për dijeni i është dërguar dhe Zyrës për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Kuvendit të Shqipërisë. Gjithashtu, Bashkia e Tiranës të njëjtën indiferencë ka treguar dhe ndaj kërkesës së Kuvendit për të disponuar dokumentet, të cilat i shërbejnë hetimit, që po kryen Komisioni parlamentar i ngritur në muajin maj, duke u bërë edhe në këtë rast pengesë për zbardhjen e procedurave të ndjekura për dhënien e lejeve të ndërtimit në mbledhjet e KRRT.
ZMK denoncoi trinomin Rama-Eftimi- Shkreli në lejet mafioze të ndërtimit
Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve drejtuar ILDKP, ka denoncuar konfliktin e interesit në proçedurat e vendimmarrjes së Mbledhjes së fundit të KRRT, së Bashkisë së Tiranës në dt. 22 Mars 2009. Drejtori i kësaj zyre, avokati Altin Goxhaj, deklaron se ka arritur të zbulojë se 6 leje në mbledhjen e fundit të KRRT-së, së Bashkisë së Tiranës janë dhënë në kushtet e konfliktit të interesit pasi në procedurat e votimit kanë marrë pjesë dy persona: Alban Eftimi dhe Arben Biçoku dhe e gjitha kjo në dijeni të plotë të Kryetarit të KRRT-së, së Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. Sipas të dhënave të mbledhura nga ZMK (në kushtet e një errësire informative dhe mungese të plotë transparence mbi dokumentacionin përkatës) rezulton se Alban Eftimi ka marrë pjesë në votim në momentin e shqyrtimit dhe votimit të 5 lejeve të ndërtimit të subjekteve ndërtuese: 22 Universal, 24 Katër Grykët, 29 MANE TCI, 41 MANE TCI, 44 Vila Park ALB,
në të cilat Projektues rezulton të ketë qenë subjekti ATELIER4, i cili nga të dhënat e ZMK rezulton të krijojë gjendje të konfliktit të interesit për Z. Alban Eftimi pasi në këtë subjekt ai ka interesa nëpërmjet të ëmës së tij Znj. Tamara Eftimi. Po ashtu, ZMK bën me dije se në procedurat e votimit në momentin e shqyrtimit dhe votimit ka marrë pjesë edhe Z. Arben Biçoku kur është miratuar leja e ndërtimit për subjektin 31 Delta Konstruksion, i cili nga të dhënat e mbledhura pranë QKR-së rezulton se është pronë e Znj. Kozeta Biçoku, e cila rezulton të jetë bashkëshorte e Z. Arben Biçoku. ZMK nënvizon faktin se duke qenë se në dokumentacionin e paraqitur pranë Bashkisë Tiranë rezulton se në të dhënat e firmës projektuese Atelier4 figuron emri i Tamara Eftimit (për të cilën Kryetari i bashkisë Tiranë Edi Rama ka dijeni që është e ëma e Alban Eftimit) rezulton se eprori Edi Rama ka pasur dijeni për gjendjen e konfliktit të interesit që ekziston në votimet e kryera gjatë kësaj mbledhje. Për këtë arsye në referencë të Ligjit Nr.9367, datë 7.4.2005 Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike (I ndryshuar me ligjin nr. 9475, dt.9.2.2006 dhe me ligjin nr. 9529, dt.11.5.2006) unë po ju drejtohem Juve si institucionit që heton gjendjen e konflikti të interesit për të nisur procedurat e nevojshme juridike për të verifikuar dhe nxjerrë të pavlefshme në rast të shkeljes së ligjit të votimeve të mësipërme dhe për të shqyrtuar më thellësisht gjendjen e konfliktit të interesit në Mbledhjen e KRRT-së të Bashkisë së Tiranës të dt. 22 Mars 2009, thuhet në denoncimin e ZMK, drejtuar ILDKP-së.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›