E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nikolli: Rama duhet të respektojë statutin e Partisë Socialiste, atë që nënshkroi në 2007

Ish kryetari i Komisionit të Garancisë Statutore të PS, shpreh pikëpamjet e tij mbi zhvillimet brenda PS
Ish kryetari i Komisionit të Garancisë Statutore të Partisë Socialiste, Mark Nikolli, deklaroi se arsyet që e shtynë atë që të largohet nga ky pozicion ka qenë shkelja e statutit nga disa persona të cilët sot qëndrojnë në krye të PS. Nikolli theksoi se marrëdhëniet mes tij dhe kreut të PS, Edi Rama, kanë qenë gjithmonë korrekte dhe institucionale. Sipas Nikollit, Partia Socialiste i ka humbur këto zgjedhje, dhe jo vetëm për faktin se LSI bëri koalicion me Partinë Demokratike, por edhe se Partia Socialiste ka patur katër mandate më pak se PD dhe aleanca e kryesuar prej saj. Ndër të tjera ai tha se koalicioni PD-LSI, nuk duhet parë vetëm në syrin negativ, por duhet parë në një këndvështrim intrigues, që sipas tij mund të jetë dhe një koalicion i cili do ta çojë Shqipërinë drejt integrimit. Sipas tij megjithëse Partia Socialiste kërkoi në të gjitha edicionet elektorale që nga 92 e këtej rezultatet e PS duken më tepër produkt i instiktit të brendshëm që vet socialistët kanë për tu vetorganizuar sesa i asaj që u quajt lëvizje për Politikë të Re, e cila ndonëse e kuruar mediatikisht nuk po arrin dot të ngrihet më shumë sesa një trup shëtitëse elektorale. Nikolli deklaroi se Partia Socialiste në këto zgjedhje elektorale, hyri si një anije në det të hapur, pa kapitenin e vet në bord. Anija socialiste, në det të hapur dhe pa kapitenin e vet në bord, në momente të caktuara humbi orientimin duke lëvizur në drejtim të paditur. Në kërkim të një ishulli imagjinar apo të Eldoradoje, ku njerëzimi ka vite që nuk po e gjen dot prej kohësh, dhe po ankorohet e lodhur dhe shumë e nervozua, u shpreh Nikolli. Ndërkohë që ai theksoi se dorëheqja e Ramës si kryetar i PS, nuk duhet të vijë vetëm si një dorëheqje morale e tij por edhe si një detyrim nga statuti i kësaj partie, i cili në nenin 28 të tij thotë që, kryetarit të partisë i ndërpritet mandati në rast se partia humb zgjedhjet elektorale. Nikolli ka theksuar se largimi i Ramës nga posti i kryetarit të PS, nuk do të ndikonte për keq dhe nuk do të sillte ndonjë ndryshim për keq, kurse mos largimi i tij nuk varet nga Rama apo ndonjë tjetër, por nga Kushtetuta e PS.  

-Që nga momenti që ju keni dhënë dorëheqjen nga pozicioni i Kryetarit të Komisionit të Garancive Statutore, nuk jeni shprehur publikisht. Cilat kanë qenë arsyet dhe cili është raporti aktual me Partinë Socialiste?
Kanë kaluar rreth dy vjet që nga ajo kohë dhe dorëheqjen time publike sot e vlerësoj si një qëndrim te drejtë dhe reagues ndaj një procesi tërësisht të deformuar në jetën e Partisë Socialiste të Shqipërisë. E shoh si një moment të konsumimit ekstrem të mundësisë të vetme që kisha për të sensibilizuar parandalimin e një nisme anti demokratike në parti, e cila e veshur në petkun modern të parimit, një anëtar - një votë, shkallmoi parimet bazë dhe kolonat mbi të cilat ngrihet dhe funksionon një organizatë shumë e madhe fondamentale për politikën shqiptare siç është PSSH. Si një institucion i rëndësishëm i votuar nga kongresi, i ngarkuar me detyrën ekskluzive për ruajtjen dhe respektimin e statutit të partisë pati luajtur një rol jo të vogël për konsolidimin e një prej vlerave më të spikatura siç ka qenë demokracia e brendshme. Pa hyrë në detaje dhe për kureshtje të lexuesve tuaj edhe kryetarit aktual të PSSH, në vitin 2003 ky komision i pati hapur rrugën për të kandiduar për kryetar partie përkundër barrierave statutore të ngritura artificialisht nga njerëz që sot qëndrojnë pranë tij dhe që pengonin në atë kohë përfshirjen në konkurrencë të lirë dhe demokratike në garën për kryetar partie. E përmenda këtë fakt se për shkak të presionit të ushtruar mbi të nga kandidati i atëhershëm i vitit 2003 dhe kryetari i sotëm i 2009, ajo strukturë nuk arriti të parandaloj procesin e manipulimit të forumeve dhe strukturave të partisë në ecurinë e mëvonshme që pasoi me zgjedhjen problematike dhe me shkelje të rënda të kryetarit të partisë dhe delegateve të kongresit në periudhën maj-qershor 2007. Aktualisht vazhdoj të militoj në radhët e PSSH si anëtar i saj dhe të shlyej detyrimet e këtij subjekti në këtë pozicion, duke respektuar në mënyrë standarde statutin e partisë dhe me bindjen se Edi Rama kishte të drejtën e provës siç dhe e kërkoi në majin e 2007 sipas parimit Një anëtar një votë, për të sjellë PSSH në pushtet.

-Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me kreun e PS, Rama?
Marrëdhëniet e mia me të kanë qenë thellësisht korrekte dhe  institucionale deri më sot duke shmangur çdo lloj keqkuptimi apo oferte.

-Cili është mendimi juaj për zgjedhjet e përgjithshme  të 28 qershorit?
Ka një rezultat paraprak nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nuk ka akoma një rezultat përfundimtar. Ka deklarata dhe ankimime nga PSSH për deformime në procesin e numërimit të votave. Sikurse nga ana tjetër është kaluar tashmë  nga faza hipotetike e aleancave në shpalljen zyrtare nga PD të një koalicioni me LSI , koalicion i cili nga një kënd qytetar të intrigon pse mos ta konsiderosh si një koalicion që do të ndihmojë Shqipërinë drejt integrimit.

-Ju po thoni se PS, nuk duhet të protestojë më, sepse nuk pretendon për të qeverisur?
Nga çfarë shihet, PSSH edhe për 4 vjet të tjera do të jetë në opozitë siç, nga ana tjetër PS rezulton me një numër më të vogël mandatesh se numri i mandateve të fituara nga PD. Aleanca e PS është po kështu numerikisht më e vogël se jo vetëm aleanca PD dhe LSI , por edhe se vetë  Aleanca për Ndryshim. Në konceptin tim, pa dashur të jem unë lajmëtar i humbjes referuar dinamikës të votimit në të gjitha edicionet elektorale që nga 92 e këtej rezultatet e PS më duken më tepër produkt i instinktit të brendshëm që vet socialistët kanë për tu vetorganizuar sesa i asaj që u quajt lëvizje për Politikë të Re, e cila ndonëse e kuruar mediatikisht nuk po arrin dot të ngrihet më shumë sesa një trup shëtitëse elektorale. Edhe pse nën tingujt muzikor të ritmit Çohu në sfond, përcolli pak mesazhe , pak realizëm, pak frymë. Anija socialiste, në det të hapur dhe pa kapitenin e vet në momente të caktuara humbi orientimin duke lëvizur në drejtim të paditur. Në kërkim të një ishulli imagjinar apo të Eldoradoje, ku njerëzimi ka vite që nuk po e gjen dot prej kohësh  po ankorohet e lodhur dhe shumë e nervozuar. Por edhe nëse  rezultati i 28 qershorit mund të prezantohet si arritje për PS, prapë ajo mbetet një humbje po kaq e madhe për popullin e majtë siç janë dhe katër vite të tjerë në opozitë. Nga ana tjetër shkallmimi i parimeve të funksionimit të brendshëm në PS gjatë dy viteve të fundit, burokratizimi i funksionimit të strukturave, cënimi i kolegjialitetit në vendimmarrje, afrimi i njerëzve pa lidhje me PS, në lidhje të dyshimta me të ose me lidhje të forta me parti të tjera të djathta e veçanërisht me PD, stimulimi i karrierave false, një lufte e brendshme herë e hapur dhe herë e fshehur  brenda partisë, heqja dore nga proklamimi i solidaritetit social si vlerë thelbësore e socialistëve , humbja e solidaritetit të brendshëm njerëzor janë disa nga arsyet e një lloj vakumi të krijuar midis strukturave të bazës dhe lidershipit të saj. Më tej rrafshimi i profileve të krijuar prej vitesh në PSSH, afrimi i njerëzve të paprovuar politikisht janë disa arsye të tjera. Por shpallja e egocentrizmit dhe servirja deri në bezdi të modeli Të Liderit (në shqip fjala model përkthehet mostër) në vend të programit është një nga arsyet bazë që socialistët nuk arritën të dominojnë në shumicë dhe përtej çdo aleance në zgjedhjet e fundit parlamentare. Humbja bëhet më e thellë po të kemi parasysh se diferenca midis objektivit të shpallur nga vetë kryetari i sotëm i PSSH, Rama, me atë çka dhanë kutitë e votimit është shumë i thellë. Deformimet e dukshme të vërejtura në qeverisjen e kaluar të PD nuk mund të korrigjoheshin përveçse me një parti të hapur dhe të demokratizuar. Modeli Rama, i quajtur ndryshe password-i i PS ishte shumë pak madje i pa besueshëm sipas meje për ti garantuar të majtëve ardhjen në pushtet. Megjithatë është shpejt për një analizë të thelluar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›