PS, ankimon rezultatin zgjedhor në Berat
Pas miratimi të tabelave përmbledhëse, Partia Socialiste ka ankimua rezultatin zgjedhor edhe në qarkun Beratit. Po gjatë ditës së djeshme, kanë depozituar ankimimet për këtë qark edhe 2 parti të vogla, si Partia Republikane dhe G 99. Ashtu siç ishte paralajmëruar, kërkesa ankimore e PS përmban në vetvete sqarimin përse kërkohet rivlerësimi i më shumë se 3 mijë e ca votave të shpallura të pavlefshme. Sipas pretendimit të PS, këto vota mund ti japin këtij grupimi politik mandatin e pestë në këtë qark.
Kërkesa mban firmën e sekretarit për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj dhe pritet që në ditët në vijim të shqyrtohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pas Fierit, Berati është një prej qarqeve më të diskutuar sa i përket rezultatit zgjedhor. Më parë, një kuti ende e pa numëruar krijoi mjaft probleme në KZAZ e këtij qarku. Kutia e fundit u bllokua për shkak se u konsiderua e pavlefshme dhe komisionëret e PD vlerësonin se nuk duhej vijuar më tej me procedurën.