Tavo: Ky Kod është vepër e PS për të shkrirë LSI-në

Sistemi zgjedhor proporcional – rajonal, LSI akuzon PS-në
Kodi zgjedhor aktual është vepër e Partisë Socialiste për të eliminuar LSI-në nga skena politike. Nga Gjirokastra, deputetit i LSI-së Vangjel Tavo është treguar mjaft i ashpër me Partinë Socialiste ndërsa sipas tij propozimet e dhëna nga LSI-ja për reformën do të japin korrigjimet e nevojshme për kodin zgjedhor.
“Propozime në lidhje me sistemin zgjedhor jo për ndryshimin e sistemit ashtu sikurse përpiqen disa ta komentojnë, por në lidhje me një korrektim të mundshëm të sistemit aktual, në mënyrë që të arrijmë maksimumin e mundshëm për të përmirësuar gabimet që ka sjellë Kodi i 2009-ës, një kod i cili është bërë nga një komision bi-partizan midis PD dhe PS dhe një kod i cili është propozuar nga Partia Socialiste në 2008-ën. Propozimi ka qenë i qëllimtë dhe me synim kryesor për të eliminuar nga skena politike shqiptare Lëvizjen Socialiste për Integrim”, u shpreh Tavo.
Nënkryetari i Kuvendit flet dhe për ndryshimet e mundshme në Qeveri, duke theksuar se “ndryshimet diktohen nga nevoja për energji të reja, sidomos në ministritë që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me qytetarët. Padyshim ka vend për përmirësim të punës në shumë dikastere dhe shpresoj që me vitin e ri të ketë edhe për dikasteret përkatëse dhe drejtuesit e tyre, energji të reja. Sidomos në dikastere të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt dhe kanë impakt të drejtpërdrejtë te njerëzit, te elektorati, ka ku të mund të përmirësohet puna e tyre”,tha Tavo.
Numri dy i Kuvendit flet edhe për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Duke u fokusuar tek emri i Fatos Nanos si kandidaturë për President, Tavo shprehet se Nano duhet të jetë njëherë anëtar i një partie parlamentare dhe pastaj të sigurojë firmat e nevojshme që të përfshihet në votim.
“Para se të vijë momenti i votimit, është një fazë tjetër që është faza e mbledhjes së firmave. Fatos Nano e ka provuar njëherë këtë fazë dhe s’ka arritur të vijë si kandidaturë në Kuvendin e Shqipërisë. Është çështje e PS-së. Ata e kanë edhe numrin e votave ose të firmave që i duhen një kandidati për të kandiduar ose për të ardhur si kandidaturë në Kuvendin e Shqipërisë”, theksoi Tavo.
Ndërkaq, ai është treguar optimist për pritshmëritë e LSI-së në zgjedhjet e ardhshme duke deklaruar se kjo forcë ka të gjitha potencialet të marrë deputet në qarkun e Gjirokastrës edhe nëse futet e vetme në garën elektorale.
Duke u ndalur te procesi gjyqësor ndaj kreut të LSI-së Ilir Meta, Tavo akuzoi prokurorinë se u bë palë me ata që manipuluan kasetën e cila nxiti 21 janarin.