Kushtetuta/Presidenti zgjidhet me 71 vota - PS po kundërshton vetveten
Juristë dhe analistë evidentojnë dëmin e një debati i cili merr përgjigje të drejtpërdrejtë tek kushtetuta dhe ka marrë testimin e parë në proceset e votimit gjatë 2007-s
Zgjedhja e Presidentit të Republikës, ka hapur diskutimet e para në qarqet politike, ndërsa mazhoranca dhe opozita shfaqen me pikëpamje të kundërta, sa i takon metodikës Kushtetuese që do të ndiqet për zgjedhjen e kreut të shtetit. Për mazhorancën, kjo do të jetë më e lehtë se në vitin 2007-ë, ku vendi rrezikoi krizën politike, si pasojë e mos gjetjes së konsensusit mes dy kampeve politike.
Përfaqësues të Partisë Demokratike, njohës të mirë të ligjit dhe Kushtetutës së vendit, thonë se presidenti i ri zgjidhet në 3 raunde, me të paktën 71 vota. Gjithçka i referohet ndryshimeve Kushtetuese të natës së 21 prillit 2008-ë, me vullnet dhe kërkesë së Partisë Socialiste dhe me miratimin unanim të Partisë Demokratike.
Në bazë të ndryshimeve Kushtetuese, në nenin për zgjedhjen e Presidentit thuhet se “kreu i shtetit zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin e katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, thuhet në nenin 87 të ligjit themeltar të shtetit.
Ndërkaq, opozita ka paralajmëruar (jo zyrtarisht) se do të kërkojë interpretim në Gjykatën Kushtetuese për kuorumin e deputetëve në tre raundet e para. Partia Socialiste mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar nenin 87 të Kushtetutës, që përcakton mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës edhe pse ai flet qartë dhe dikton me qartësi ligjore zgjedhjen e presidentit në raundin e katërt me 71 vota apo e thënë ndryshe “President zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”.
Nisur nga ky fakt, duket qartë që PS bie ndesh me veten, pasi opozita ishte iniciatorja e ndryshimeve kushtetuese në 2008-ën, përfshirë edhe nenin për zgjedhjen e Presidentit, paketë me miratimin e ligjit për reformën zgjedhore, duke kaluar nga sistemi zgjedhor mazhoritaro-proporcional, në proporcional rajonal (modeli spanjoll). Për të dyja formulat, si atë të zgjedhjeve parlamentare dhe zgjedhjen e Presidentit, përgjegjëse është Partia Socialiste dhe lidershipi i saj, Edi Rama. S’ka kurrfarë dyshimi se Edi Rama gaboi në nuhatjen e tij se me ndryshimet Kushtetuese dhe fitoren e ëndërruar të zgjedhjeve të 2009-ës do kishte në dorë jo vetëm përcaktimin e formulës së zgjedhjeve të ardhshme, por edhe zgjedhjen e presidentit. Pra, qëllimi (pushteti) që në këtë rast nuk justifikon mjetin (ndryshimet kushtetuese dhe sistemi zgjedhor proporciona – rajonal) rezultoi jo vetëm një dështim spektakolar, por njëherazi një nga gafat më të mëdha që i faturon vetes një lidership politik. Në këtë rast, gjen vend shprehja, “kush i bën gropën shokut bie vetë brenda”. Edhe Edi Rama këtë qëllim kishte. U mungua për pensionin politik të kundërshtarit, por një gjë të tillë ia ngarkoi vetes me papjekurinë e treguar në ndryshimet kushtetuese të natës së 21 prillit 2008-ë.
Ndërkaq, nga ana tjetër edhe mazhoranca ka shprehur pretendimet e saj, përsa i takon zgjedhjes së Presidentit. Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2012, Kryeministri Sali Berisha deklaroi se kryetari i ri i shtetit do të zgjidhet në përputhje të plotë me Kushtetutën e vendit.
“Ky është viti i zgjedhjes së Presidentit. Garantoj se do të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën. Çdo përpjekje për të imponuar dëshira suplementare në raport me Kushtetutën do të pësojë dështimet që kanë pësuar të tjerët. Të bëjmë përpjekje për t’i dhënë vendit një President në lartësinë e detyrave, Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, me integritet të plotë”, u shpreh Berisha.
Megjithëse bëhet fjalë për një diskutim më shumë të natyrës juridike, neni 87 i Kushtetutës, në mënyrë paqësore i jep fund hamendësimeve të pabaza të Partisë Socialiste, i cili vazhdon të ëndërrojë se kushtetuta ka mbetur po ajo e 2007-ës, “shtojcë e krizave politike”, pavarësisht se është firmëtar për heqjen e nenit të krizës.
Juristët: Kushtetuta nuk përcakton kuorum për zgjedhjen e Presidentit
Ndërsa opozita edhe pse jo-zyrtarisht, parashikon t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim për zgjedhjen e presidentit dhe kuorumin e nevojshëm në parlament, juristët shprehin krejt të kundërtën.
Sipas argumentit të njohësve të ligjit dhe kushtetutës, ligji themeltar i shtetit, nuk e konsideron të domosdoshme arritjen e kuorumit prej 84 votash në parlament në tre raundet e para të votimit të kandidatit për president.
Sipas tyre, nuk mund të hiqen paralele mes kushtetutës tonë dhe asaj të Kosovës për rastin e zgjedhjes së presidentit të ri. Mandati i kreut aktual të shtetit përfundon në korrik të këtij vitit, ndërsa parashikohet që në bazë të kushtetutës që nëse nuk arrihet të gjendet konsensusi politik mes palëve për të zgjedhur një president të pranuar nga palët në raundin e katërt, mazhoranca të votojë me të paktën 71 vota emrin e propozuar.
Por ndërkaq socialistët pritet të hedhin një tjetër propozim për emrin e kreut të shtetit duke ndjekur të njëjtën procedurë që u ndoq me zgjedhjen e Avokatit të Popullit.
Kështu socialistët pritet të sugjerojnë që të përcaktohen bashkarisht kriteret për kandidatët duke hapur më tej konkurrimin për atë person që plotëson kriteret për të drejtuar shtetin. Nga ana tjetër, mazhoranca ka paralajmëruar se kandidatura për Presidentin e Republikës do vijë nga radhët e Partisë Demokratike, një figurë me integritet dhe të denjë për të Parin e Shtetit.