E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria edhe për vitin 2012, destinacioni kryesor turistik

09-01-2012 / Gazeta 55

Profilet botërore të internetit renditin vendin tonë në listën e vendeve më të mira për t’u
vizituar
 
Gazeta prestigjioze britanike “The Guardian”, duke shkruar për destinacionet për pushime në vitin 2012, u rekomandon lexuesve përveç Parisit, Bazilikatës në Itali, Vjenës apo Guimaraeshit në Portugali, edhe Butrintin në Shqipëri. Pas “top 10-ës” së shpallur nga Lonely Planet në 2011-n, edhe për 2012-ën, sipas mediave të ndryshme botërore, Shqipëria është destinacioni kryesor turistik
 
Edhe për vitin 2012 Shqipëria renditet në “top 10” destinacionet më të mira turistike. Nëse për 2011 ishte prestigjiozja australiane, që e renditi Shqipërinë në vendet e para për të kaluar pushimet, këtë vit është shtypi britanik që promovon turizmin shqiptar si më të mirin.
Në një artikull të “The Guardian” përveç disa vendeve të famshme në botë si Viena, Bostoni, Italisë dhe Suedisë, Shqipëria rekomandohet për britanikët jo vetëm për bukuritë natyrore, por kryesisht për vlerat arkeologjike. Gazeta citon se Butrinti në zemër të parkut kombëtar dhe rrënojave të qytetit romak 2500 vjeçar është një nga qendrat më të mëdha arkeologjike europiane me një tempull të mrekullueshëm greko-romak. Një nga të përditshmet më të mëdha britanike “The Guardian”, shkruan se Butrinti është pjesë e trashëgimisë botërore që tashmë është nën kujdesin e UNESCO-s. Bregdeti shqiptar këshillohet për 2012-ën, si më origjinali dhe më argëtuesi edhe nga site të tjera interneti. Në faqen zyrtare të ionian-cruises.com, bregdeti i jugut të Shqipërisë komentohet si më aventureskët dhe enigmatikët dhe këshillohet për pushuesit si oferta më e mirë për krocerat dhe për pushime të paharrueshme.
Ndër të tjera edhe kompania “The Gapyear Ltd”, në një profil botëror, vetëm për turizmin dhe pushimet, shkruan se Shqipëria është votuar në destinancionin “top value destination” për 2012-ën. Në artikull thuhet se për ata të cilët janë në kërkim të një pushimi ekonomik ose një vit pause për 2012, mos shikoni përreth përveç se Shqipërisë. Udhëzuesi i udhëtimeve, “The Former”, mbi destinacionet dhe çmimet për 2012-ën, ka zbuluar se riviera shqiptare ka fituar çmimin për destinancionin me vlerat më të arsyeshme. “The Former” e ka përshkruar bregdetin shqiptar si të virgjër, jo shumë të zbuluar dhe ekonomikisht të përballueshëm. Riviera shqiptare i ka të gjitha bukuritë natyrore ashtu sikurse Kroacia, shkruan udhëzuesi i pushimeve, por ndryshe nga kjo e fundit, Shqipëria nuk ka dyndje turistësh dhe çmimet janë më të ulëta. Në librin e udhëzimeve, përshkruhen plazhet me rërë të bardhë, uji i kristaltë si dhe veçantia e fshatrave përgjatë bregdetit.
Së fundmi, në Londër u zhvillua edhe panairi botëror i turizimit, event që ka ndikimin e vet në promovimin e atraksioneve turistike të Shqipërisë, kësaj industrie vitale të ekonomisë.
 
Shqipëria ishte në “top 10” edhe në vitin 2011
Për vitin 2011-ë Shqipëria u rendit në 10 vendet që duheshin frekuentuar gjatë stinës së verës. Një prej agjencive më prestigjioze në botë, në fushën e turizmit, “Lonely Planet” që çdo vit këshillon turistët për vendet ku duhet të shkojnë, për vitin 2011-ë e cilësoi Shqipërinë në grupin e vendeve që duhej vizituar patjetër.
Njohuritë për vendin tonë, pasionin për bukuritë natyrore “Lonely Planet” i afishoi në letër, në librin e saj më të ri, 10 vendet më të mira që duheshin vizituar në 2011-ën. Për agjencinë, Ballkani një herë e një kohë konsiderohej si destinacion turistik vetëm për kokëkrisurit. Por gjërat kanë ndryshuar. Që nga vitet 1990 turistët guximtarë që preferonin aventurat, kanë përshpëritur njëri tjetrit se nuk duhet ti thonë askujt tjetër për këtë vend me bukuri të mahnitshme, nga frika e mbipopullimit me turistë. Plazhet e kaltra dhe të pastra, ushqimet e mira dhe të përballueshme, vendet kulturore, jeta e natës, aventurat dhe udhëtimet nëpër male, janë disa prej faktorëve që plotësojnë më së miri pasionin për të udhëtuar të çdo turisti, sepse për “Lonely Planet”, Shqipëria nuk është për turistët kokëkrisur, por është një vend që duhet vizituar me patjetër.
Me moton “Një dashuri e re mesdhetare”, Shqipëria parashikoi një vit më parë “Lonely Planet”, do të thyejë shumë shpejt rekordet në turizëm. Por edhe rrjeti prestigjioz televiziv amerikan, CNN, e renditi Shqipërinë si një ndër destinacionet kryesore që duheshin vizituar nga turistët anembanë botës në vitin 2011. Nga 9 vendet e listuara Shqipëria renditej e gjashta në listë. Me moton “Për momente të paharrueshme, ekspertët e udhëtimeve të CNN vazhdojnë t’i rekomandojnë publikut të tij edhe Shqipërinë.
Në artikullin e një viti më parë veçohej Gjirokastra si qyteti antik, pjesë e qendrës historike botërore të UNESCO-s, por s’mbetej pas as Durrësi, Berati dhe Saranda, ndërsa parajsa turistike kurorëzohej me bregdetin jonian. Dhe jo më kot, Shqipëria gjatë 2011-ës u vizitua nga 4.2 milionë turistë, numër rekord në krahasim me vitet e kaluara. Parashikimet janë të njëjta edhe për vitin 2012-ë, ku pritet një fluks i jashtëzakonshëm turistësh sidomos gjatë sezonit të verës.
 
 
 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›