E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, shfaqje kryeneçësie përballë paaftësisë për ndërtimin e Unazës së Madhe

Edi Rama refuzon sërish bashkëpunimin për moszvarritjen më tej të projektit

TIRANE - Bashkia e Tiranës ka vijuar edhe dje shfaqjet e një kryeneçësie qesharake përballë kërkesës normale të qeverisë qendrore për të paraqitur sa më parë projektin për Unazën e Madhe të kryeqytetin që ka mbetur peng prej vitesh nga njësia më e madhe vendore në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat, duke reaguar mbi deklaratat e Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrit të Transporteve, Sokol Olldashi, për pamundësinë e Bashkisë së Tiranës për të bërë Unazën e Madhe, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Eduart Shalsi, deklaroi dje se Bashkia ka kapacitet që të thithë kredinë që nevojitet për ndërtimin e Unazës së Madhe, edhe pse edhe këtë herë nuk shpjegoi shkaqet se pse kjo vepër nuk po fillon që të ndërtohet.
Dy ditë më parë pas apeleve publike, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi i ka kërkuar zyrtarisht përmes një letre kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, që t‘i dorëzojë projektin e Unazës së Madhe.
Në letrën e tij Olldashi shprehej se kërkon që t’i dorëzohet projekti i Unazës së Madhe për shkak se Bashkia e Tiranës nuk ka mundësi që ta financojë këtë objekt të rëndësishëm infrastrukturor për kryeqytetin.
Ndërtimi i Unazës së Madhe do të shpronësojë 180 banesa private plotësisht ose pjesërisht. Ndërkohë që sipërfaqja e tokës që duhet të shpronësohet prej saj është rreth 35 hektarë, përfshirë këtu edhe tokë bujqësore. Ky është parashikimi i bërë nga ekspertët e Bashkisë së Tiranës pas hartimit të projektit për segmentin jugor të kësaj rruge. Projekti i segmentit jugor të saj vazhdon të shtrihet nga kryqëzimi me rrugën e Kavajës deri në atë me rrugën e Elbasanit. Kjo pjesë e Unazës së Madhe ka një gjatësi prej 5.5 km dhe është projektuar të kalojë në zonën e Selitës, pranë Kopshtit Botanik dhe Zoologjik, në kodrat prapa Parkut të Madh të Tiranës, në kodrat e Saukut për t‘u lidhur me Rrugën e Elbasanit pranë Akademisë së Rendit Publik.
Projekti i ndërtimit të një Unaze të Madhe për Tiranën është ideuar që me planin rregullues të 1989-ës.
Në vitin 1999 është përfunduar ndërtimi i një pjese të saj, segmenti prej 2.2 km që lidh Rrugën e Durrësit me atë të Kavajës. Por në këtë investim u la pa përfunduar sistemi i kullimit të ujërave, trotuaret, ndriçimi dhe gjelbërimi rrugor.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›