Bashkia e Tiranës shpall 10 personalitetet e vitit
Bashkia e Tiranës shpalli dje “10 Personalitetet e Vitit 2009”, të përzgjedhur pas votimit nga vetë qytetarët e kryeqytetit. Ky eveniment u organizua për të tretin vit radhazi dhe tashmë ka hyrë në vazhdën e shumë të tjerave, që Bashkia e Tiranës organizon dhe synojnë të kthehen në traditë. Në këtë aktivitet u promovuan 10 personalitetet me të rëndësishëm të vitit, qofshin këta të njohur apo jo, mjafton që me veprën e tyre t’i kenë ofruar komunitetit kryeqytetas, diçka të veçantë e sigurisht të rëndësishme. “Janë njerëz nga më të shquarit, deri tek më të panjohurit, por që secili në një mënyrë apo tjetër përbën një shembull për komunitetin”, u shpreh kryebashkiaku Edi Rama. Prezantimi i dhjetë personaliteteve të vitit nisi me Vangjeli Melen ish-mësuese. Drejtore e shkollës pedagogjike për rreth 20 vjet. Një nga mësueset që kanë dhënë dhënë kontribut në edukimin e shumë brezave. Që nga koha që ka dalë në pension është angazhuar rregullisht në aktivitete në të mirë të komunitetit. Më tej u nderua Fatos Baxhaku, gazetar i mirënjohur. Realizues dokumentarësh. Gjatë rrugëtimit të tij në çdo vend të Shqipërisë, ka nxjerrë në pah vlera, realitete, histori ndoshta të panjohura ose fare pak të njohura, duke i dhënë një dimension të ri vendit tonë dhe njerëzve të tij të mrekullueshëm. Gjithashtu, Drita Babameta drejtore e Shoqatës së Grave Rurale në Shqipëri. Ka ndihmuar me qindra e mijëra vajza e gra përmes konsultave psikologjike dhe asistencës shëndetësore. çmimi iu dha gjithashtu profesor Doktor Hamit Boriçit, një ndër themeluesit e katedrës së parë të gazetarisë. Autor i shumë librave që kanë shërbyer si tekste mësimore, por jo vetëm. Tirana Bank u nderua si institucioni, i cili ka dhuruar numrin më të madh të pemëve gjatë vitit 2009. Profesor Aleko Minga gjithashtu, pasi ka dhënë kontribut të çmuar me punimet dhe botimet e tij shkencore. Krahas punëve shkencore për moshat adulte. Një tjetër emër i mirënjohur është edhe ai i Ilir Kernit, balerin i mirënjohur në Shqipëri dhe jashtë saj. Bledar Nallbani u rendit i teti në listë, si futbollist i mirënjohur. U nderuan gjithashtu, edhe Kujtim Likzelia përfaqësues i Shoqatës “Për një të ardhme të Romëve” dhe Jonida Ndreu nxënëse e shkëlqyer, aktiviste në të gjitha aktivitetet sensibilizuese, që organizon jo vetëm Bashkia e Tiranës, por dhe organizata të ndryshme rinore.