E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha fton Tadiç në Tiranë, jep 400 mijë euro ndihmë për Graçanicën

 BLEDAR HOTIPresidenti i Serbisë, Boris Tadiç do të vizitojë Shqipërinë. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha gjatë një takimi me një delegacion të serbëve të Kosovës, të kryesuar nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh, kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë, Sllobodan Petroviç. I pyetur se cila është perspektiva e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Serbisë, kryeministri tha se “është e vërtetë që unë në çdo Samit takohem me Presidentin Boris Tadiç dhe ajo çka vlerësohet shumë është vullneti i përbashkët për të zhvilluar marrëdhëniet mes dy vendeve tona për të hapur një kapitull të ri në këto marrëdhënie. Presidenti Tadiç është i mirëpritur në Shqipëri dhe dua t’ju them se ne po punojmë për vizitën e tij të ardhshme. Presidenti Tadiç e ka mirëpritur shumë ftesën për të vizituar Shqipërinë”. Kreu i qeverisë e cilësoi si historike vizitën e përfaqësuesve politikë të komunitetit serb në Kosovë, ndërsa shprehu vendosmërinë e tij për të dhënë të gjithë kontributin e mundshëm në interesin më të mirë të bashkëjetesës së qytetarëve të Kosovës pa dallim nga origjina e tyre etnike. Gjithashtu, Berisha bëri të ditur se qeveria shqiptare do të kontribuojë me një fond modest prej 400 mijë euro për Komunën e Graçanicës. Nga ana e tij, Petroviç vlerësoi vizitën e fundit të Kryeministrit Berisha, si dhe vizitën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme z. Ilir Meta, në Kosovë, të cilët në këto vizita kanë krijuar edhe një lloj besimi brenda komunitetit serb. “Dëshiroj të besoj se shtetet në rajon do të marrin shembullin e qeverisë së Shqipërisë dhe jam i sigurt se edhe miqtë tanë nga Brukseli dhe nga Uashingtoni do ta vlerësojnë shumë pozitivisht këtë projekt të përbashkët tonin”, u shpreh anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Partisë Liberale Serbe në Kosovë.TakimiDelegacioni i serbëve të Kosovës, u prit dy ditë më parë nga zv.kryeministri dhe ministri i jashtëm, Ilir Meta. Kreu i diplomacisë shqiptare pasi vlerësoi se komuniteti serb në Kosovë përbën një vlerë shumë të rëndësishme për një Kosovë demokratike, përshëndeti rritjen e pjesëmarrjes së këtij komuniteti në zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë, shprehje e qartë kjo e ndërgjegjësimit të tyre se vetëm në këtë mënyrë ata do të marrin në dorë fatet e tyre dhe do të bëhen pjesë e proçeseve integruese europiane.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›