E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e TVSH-së për arsimin privat, replika Berisha-Bode

 Kryeministri Sali Berisha shkëmbeu dje replika me ministrin e Financave, Ridvan Bode, lidhur me TVSH-në e arsimit privat. Duke folur në mbledhjen e Qeverisë, Kryeministri i kërkoi ministrit të Arsimit dhe sekretarit të përgjithshëm, Gjergj Lezhja, që në vendimin për TVSH-në të përfshihet edhe sektori i arsimit privat. “Ligji për TVSH-në nuk do të zbardhet pa u bërë disa ndërhyrje dhe pa u hequr TVSH-ja për arsimin privat, në përputhje me premtimin dhe zotimin solemn elektoral të qeverisë. Me vendimin për heqjen e TVSH-së për arsimin privat në Shqipëri synohet të vendoset një drejtësi sociale, e cila edhe pse nuk mund të arrihet në formën e saj më ideale, sërish është një dhuratë për një kategori qytetarësh”, u shpreh Berisha. Por menjëherë reagoi ministri Bode, sipas të cilit tani nuk është kohë dhuratash. “Kjo nuk jep drejtësi sociale, por pabarazi sociale”, vijoi më tej Bode. Ndërsa Berisha iu drejtua duke thënë se “jep drejtësi sociale, mesa di unë ti nuk vjen nga ndonjë sindikatë”. Berisha e cilësoi këtë  masë të drejtë dhe në përputhje me një nga premtimet e tij elektorale. Heqja e TVSH-së së arsimit privat është një premtim që kryeministri i vendit e kishte bërë që prej gati dy vjetësh. Kjo pas kërkesës së krerëve të këtyre institucioneve arsimore, të cilët taksën e kanë cilësuar si një pengesë në zhvillimin e këtij sektori të rëndësishëm. Madje disa kohë më parë, përfaqësuesit i kanë dërguar edhe një letër zyrtare kryeministrit për këtë çështje. Berisha në të gjitha deklaratat e tij është shprehur se do të mbështesë fuqishëm arsimin privat në vend. Në tre vitet e fundit është shtuar ndjeshëm numri i institucioneve arsimore private për të gjitha ciklet. Vetëm për arsimin e lartë sot kemi të licencuar 33 universitete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›