E Diel, 1 Nëntor 2026

Fullani: Ekonomia ka frenuar, kujdes me borxhin

 Ekonomia është frenuar gjatë pjesës së dytë të vitit, bankat kanë dhënë më pak kredi, konsumatorët kanë shpenzuar më pak dhe qeveria ka mbledhur më pak të ardhura. Ky ishte prezantimi i djeshëm i Guvernatorit Fullani, pas vendimit të Bankës së Shqipërisë për mosndryshimin e normës bazë të interesit për lekun, në 5.25 për qind. “Të dhënat më të fundit të zhvillimeve në ekonominë e brendshme, tregojnë për një ngadalësim të aktivitetit ekonomik. Kjo dëshmohet nga një sërë treguesish të publikuar gjatë muajit nëntor, si: ecuria e ngadaltë e rritjes së indekseve të shitjeve me pakicë; të dhënat e ekonomisë së jashtme, të cilat vijojnë të karakterizohen nga ulja e eksporteve; performanca e treguesve fiskalë, të cilët duken të jenë nën nivelin e planifikuar; dhe frenimi i kreditimit si pasojë e rënies së kërkesës për të. Ngadalësimi i ekonomisë perceptohet gjithashtu edhe nga konsumatori dhe biznesi, treguesit e besimit të të cilëve vijojnë të jenë të ulëta.” Problemi i parë që lind nga ulja e aktivit ekonomik është realizimi i buxhetit. Fullani theksoi në fjalën e tij, se rritja e borxhit nga qeveria do të sjellë rrezik për stabilitetin ekonomik. “Ngadalësimi i aktivitetit ekonomik në vend është reflektuar edhe në ecurinë e treguesve fiskalë. Zhvillimet fiskale gjatë dy muajve të fundit janë karakterizuar nga një rritje më e vogël e të ardhurave buxhetore – vetëm 4.5 për qind në terma vjetore - ndikuar kryesisht nga kontributi në rënie i të ardhurave nga TVSH dhe i tatimit mbi fitimin. Ndërkohë, shpenzimet publike vazhdojnë të ruajnë norma të larta rritjeje - prej 16 për qind. Banka e Shqipërisë gjykon se përmbushja e objektivit afatmesëm fiskal për reduktimin e borxhit publik (në terma relativë) duhet të jetë udhërrëfyesi i politikës fiskale për periudhën e ardhshme. Përmbushja e tij do të forcojë besimin e publikut te politikat makroekonomike të vendit, do të jetë një bazë e qëndrueshme për stabilitetin makroekonomik të vendit, do të ulë primet e rrezikut në ekonomi dhe do të krijojë më shumë frymëmarrje për sektorin privat. Ky objektiv duhet të materializohet në praktikë nëpërmjet ndjekjes së politikave fiskale të kujdesshme dhe gjithnjë të rakorduara me zhvillimet e ekonomisë reale.”KrediaSipas bankës, nivelet e ulëta të kredisë reflektojnë jo vetëm problemet e likuiditetit në sistemin bankar, por së fundi dhe në një masë jo të vogël, edhe rënien e kërkesës për konsum dhe investime, si rrjedhojë e dobësimit të aktivitetit ekonomik. Ecuria e kredisë në të ardhmen do të jetë një përcaktues i rëndësishëm i aktivitetit ekonomik. Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar mund dhe duhet të bëjë më shumë përpjekje për të transmetuar politikën lehtësuese monetare të ndjekur prej saj në një kreditim më të madh të ekonomisë. Pa cënuar përmbushjen e mandatit tonë për kontrollin e inflacionit, ne mbetemi të gatshëm të ndihmojmë sistemin bankar nëpërmjet marrjes së masave të nevojshme për të riaktivizuar tregun e kreditit. Në këtë linjë, edhe gjatë muajit nëntor, Banka e Shqipërisë ka vazhduar të mbështesë plotësisht kërkesat për likuiditetit të sistemit bankar nëpërmjet instrumentit të repo-ve. Tregues të tregut ndërbankar dëshmojnë për një rritje të vëllimit të tregtimit në të, ndërkohë që normat e interesit kanë shfaqur një prirje rënëse, duke ndjekur uljen e normës bazë të interesit në fund të muajit tetor.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›