E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria, 50 milionë USD për ndërtuesit

 Qeveria do të akordojë 50 milionë dollarë për ndërtuesit e veprave publike, të cilët nuk kanë marrë paratë për punën e tyre. Vendimi, në formën e një akti normativ, është bërë dje publik nga kryeministri në mbledhjen e qeverisë. Ky akt vjen pas ankesës së ndërtuesve, të cilët në daljet e tyre publike theksuan se gjatë vitit 2009, qeveria ka krijuar një borxh prej rreth 70 milionë euro për punët e papaguara. Pagesa e qeverisë, brenda buxhetit të vitit 2009, pritet të japë një stimul tjetër për ekonominë. Pagesa e borxhit, është një farë “kredie” që i jepet biznesit, edhe pse kjo një kredi që duhej paguar në kohë. Duket se qeveria po merr përsipër një stimul tjetër për ekonominë, që edhe kreu i Qeverisë apo Ministri i Financave e ka pranuar që është në krizë. Ky vendim, vjen pas uljes së ndjeshme të kredisë nga bankat për biznesin dhe pas raportimit për uljen e kërkesës në treg dhe të aktivitetit të ekonomisë. DeficitiPor, mënyra se ku do të gjenden këto para është pak e rrezikshme për ekonominë. “Mendoj se cunami financiar dhe ekonomik, ndonëse u pasqyra, nuk krijoi tronditje në themel të ekonomisë së vogël dinamike të shqiptarëve. Ndaj edhe me aktin normativ bëhet i mundur disbursimi i një shume të madhe prej 50 milionë dollarë të shpenzimeve kapitale, bëhet e mundur mbajtja në limite të pranueshme të deficitit buxhetor, nga 4.2 do të jetë 4.5, bëhet i mundur ose vjen si rezultat i një kontrolli do të thosha të plotë të inflacionit”, theksoi dje në mbledhjen e Qeverisë Berisha. Në fakt, sipas parashikimit buxhetor në buxhetin e ndryshuar të vitit 2009, deficiti vjteor ishte planifikuar në nivelin e 6.4 për qind e GDP. Qeveria përdori të gjitha të ardhurat nga privatizimi, duke lënë për vitin në vazhdim 2010, vetëm 300 milionë lekë parashikim të ardhurash nga privatizimi. Nga ana tjetër, në parashikimin buxhetor të vitin 2009, ishte nënvizuar se niveli i huamarrjes së brendshme të ishte në masën 3.4 për qind e GDP. Deklarata e djeshme e Berishës, e shton me rreth 1.1 % borxhin e brendshëm të qeverisë për balancimin e humbjeve që vijnë nga të ardhurat. Kështu nga 40.4 miliardë lekë që ishte parashikuar huamarrja e brendshme, pritet që në fund të vitit të shkojë në 53.4 miliardë lekë. Këto para pritet të merren nga bankat e nivelit të dytë. Vetëm në tenderin e fundvitit për bono thesari, qeveria do të emetojë një borxh prej rreth 17 miliardë lekësh, ose rreth 180 milionë dollarë.EkonomistëtNë analizën që i bënë dje paradite në Fakultetin Ekonomik, buxhetit të vitit 2009, të organizuar nga fondacioni, “Soros”, ekonomistët Adriana Berberi, Zef Preçi dhe Gjergj Teneqexhi e parashikuan veprimin e qeverisë. “Qeveria është përballë dy alternativave: Të vazhdojë “normalisht” me kryerjen e shpenzimeve, pa marrë në konsideratë ecurinë e të ardhurave – pra të tejkalojë defiçitin buxhetor, por nëse Banka e Shqipërisë e lejon duke shkelur ligjin, gjë që nuk besojmë se mund të ndodhë. Ose: Të hartojë dhe miratojë me procedura të përshpejtuara Aktin Normativ, që ligjëron faktin e kryer e duke shkelur kështu në mënyrë të përsëritur Kushtetutën e vendit.” Qeveria zgjodhi rrugën e dytë, me anë të një akti normativ, të ndryshojë në fund të vitit të gjithë buxhetin e shtetit. Dhoma e Tregtisë: Politika mos na mbajë pengKriza politike është etiketuar si një nga arsyet e klimës së pasigurt të biznesit në vend. Këtë e theksoi dje kreu i Dhomës së Tregtisë Nikolin Jaka i cili u shpreh se politika duhet të reagojë ndaj shqetësimeve të biznesit. Në takimin e djeshëm ku u nënshkruan dy marrëveshje bashkëpunimi me Shoqatën e Ndërtuesve dhe atë të Fasonistëve u bënë edhe komentet lidhur me pozicionin aktual të biznesit në vend. Drejtori Jaka në deklaratën e tij kërkoi në emër të Dhomës së Tregtisë që opozita të votojë ligjin për Gjykatën Administrative. Më tej kërkesat janë shtrirë edhe në sferën e plotësimit të kushteve për liberalizimin e vizave gjë që ndihmon sipërmarrjen dhe biznesin në përgjithësi. “Ne kërkojmë vëmendjen e qeverisë ndaj fjalës së biznesit për ligjet që hartohen dhe kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e biznesit” tha Jaka. Në mbyllje të fjalës së tij ai theksoi se është koha që politika t’i lërë mosmarrëveshjet e 2009-ës dhe në vitin që vjen të gjejë forcën për një marrëveshje të madhe politike.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›