Tokat në përdorim, Kuvendi e miraton me 74 vota pro
Në seancën e fundit parlamentare, Kuvendi ka miratuar dy projektligjet “Për kthimin dhe kompensimin e pronave” dhe “Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore”. Këta dy ligje u miratuan me 74 vota pro. Në ligjin e parë përcaktohet se AKKP-ja duhet të shqyrtojë brenda dhjetorit të vitit 2011 rreth 8 mijë kërkesat e mbetura pezull për njohje, kthim apo kompensim prone. Ndërsa ligji “Për kalimin në pronësi pa shpërblim, të tokës bujqësore” parashikon dhënien e tokës bujqësore të banorëve, që e kanë pasur më përpara në përdorim. Për këtë do përdoret skema e kompensimit në tokën deri në 750 metra/katrorë. Nga kjo përfitojnë banorët e zonave të Orikumit dhe të zonës së Ksamilit, apo të zonave të tjera që kanë marrë sipërfaqe në përdorim deri në 1500 metra/katrorë do t’u merret, duke i kompensuar në tokë me një sipërfaqe deri në 750 metra/katrorë, ndërsa përmasa minimale e përfitimit është 300 metra/katrorë. Gjithashtu, u miratuan projektligjet “Për Procedurat tatimore”, “Për akcizat” të ndryshuar” dhe akti normativ “Për mënyrën e funksionimit e burimet e financimit të sistemit të Tachograph Digital në Shqipëri”. Kryetarja e Kuvendit duke vlerësuar punën e jashtëzakonshme të legjislativit gjatë këtij sesioni, tha se: “Gjatë këtyre 100 ditëve kemi diskutuar, shqyrtuar dhe miratuar 70 ligje, shumë herë më tepër se ç’janë miratuar gjatë së njëjtës periudhë të legjislaturës së kaluar”. Kryetarja Topalli u shprehu mirënjohjen e thellë të gjithë deputetëve për përkushtimin dhe u bëri urimet më të mira për festat e fundvitit.