E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bashkia e Tiranës, studim për lirimin e trafikut në sheshin “Skënderbej”

21-08-2011 / Gazeta 55

Sheshi “Skënderbej”, i bllokuar nga projekti prej 10 milion euro, i ish-kryetarit të bashkisë Edi Rama, është kthyer në një temë debatesh dhe ankesash nga banorët e kryeqytetit, drejtuar kryebashkiakut të ri, Lulzim Basha. Me një urdhër të posaçëm, kryebashkiaku Basha  i ka kërkuar menjëherë ekspertëve të kësaj bashkie të nisin një studim për ndryshimin e projektit fillestar me qëllim lehtësimin e trafikut. Sipas projektit aktual të studiove të Ramës, sheshi do të jetë në formën e një piramide gjigante. Nga të gjitha anët në të cilat do të gjenden, qytetarët do ta kenë të pamundur komunikimin virtual mes tyre, pasi kjo do të pengohej nga lartësia e piramidës. Kreu i ri i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, në një intervistë për mediat pak kohë më parë, ka theksuar se projekti aktual i Sheshit “Skënderbej” nuk i jep një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së trafikut. “Pasi projekti i sheshit të përfundojë, situata e trafikut nuk do të përmirësohet dhe e kuptoj që ky do të ishte një problem i madh për qytetarët e Tiranës. Natyrisht, ne nuk mund ta kthejmë sheshin në gjendjen e mëparshme, por çlirimi i përkohshëm i trafikut është një urgjencë me të cilën po merret Bashkia dhe ekipi im”- ka theksuar Basha. Ndërkaq, ai ka nënvizuar se, “e rëndësishme është që zgjidhja të jetë afatgjatë, të jetë një zgjidhje e cila respekton në mënyrë të plotë nevojat e qytetarëve sot, por që i qëndron jo vetëm 5 viteve të ardhshme që të fillojë prapë puna për ta gërmuar, por një zgjidhje që i qëndron 50 apo 100 viteve të ardhshme”-  ka deklaruar Basha pak kohë më parë në një intervistë për mediat. Sipas afateve të publikuara nga Bashkia e Tiranës,  punimet do të përfundonin në 28 shkurt të vitit 2009. Më pas, ky afat u shty për 1 vit më vonë me pretendimin se mazhoranca kishte bllokuar miratimin e buxhetit në Këshillin Bashkiak. Ky pretendim i Ramës ra poshtë menjëherë sapo u bë publik lëvrimi i donacionit nga Emiri i Kuvajtit prej 10 milionë euro, që qendra e Tiranës të shndërrohet në parametrat evropianë.
Basha: Projekti për “sheshin Skënderbej” do ndryshojë/Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha është shprehur në një intervistë televizive pak ditë më parë se është i vendosur të ndryshojë projektin për sheshin “Skënderbej”. Sipas kryebashkiakut plani aktual që ka nisur zbatimin nuk e zgjidh çështjen e trafikut ndaj duhen vendosur nënkalime dhe mbikalime ashtu sikurse edhe parkingje, për t’iu përgjigjur kaosit të trafikut urban në kryeqytet. “Projekti aktual nuk i jep një zgjidhje të qëndrueshme çështjes së trafikut, pra, nuk ka asnjë nënkalim apo “By Pass” që do të çlironte situatën e trafikut siç është sot. Ky është një problem i madh, pasi do të thotë se edhe pasi projekti të përfundonte situata e trafikut nuk do të përmirësohej dhe e kuptoj që ky do të ishte një problem i madh për qytetarët e Tiranës. Në këtë kuadër duhen marrë disa vendime të shpejta. Po ta shikojmë situatën kështu siç është vendimi i parë, që duhet marrë është ai i çlirimit përkohësisht të trafikut. Natyrisht ne nuk mund ta kthejmë sheshin në gjendjen e mëparshme, por çlirimi i përkohshëm i trafikut janë një urgjencë me të cilën po merret Bashkia dhe ekipi im. Paralelisht me këtë do të ecet me një studim që do të rishikojë mundësitë për një zgjidhje afatgjatë të çështjes së trafikut në sheshin “Skënderbej”, qoftë kjo me ndërtimin e një nënkalimi me By Pass me parkime nëntokësore. E rëndësishme është që zgjidhja të jetë afatgjatë, të jetë një zgjidhje e cila respekton në mënyrë të plotë nevojat e qytetarëve sot, por që i qëndron jo vetëm 5 viteve të ardhshme që të fillojë prapë puna për ta gërmuar, por një zgjidhje që i qëndron 50 apo 100 viteve të ardhshme”- është shprehur kryebashkiaku Basha. Burime zyrtare nga bashkia e Tiranës bëjnë të ditur se aktualisht është duke u punuar me dinamizëm për të përmirësuar trafikun në sheshin “Skënderbej”. Një grup inxhinierësh dhe arkitektësh janë të angazhuar me këtë projekt, të cilët po rishikojnë edhe njëherë projektin, për të bërë të mundur, që në përfundim të tij Kryeqyteti të mos ndeshet me situatën të cilën po përjeton sot.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›