Shtinjakëria - lënda bazë e kursantëve të rinj të Ramës
Është hapur kursi më i ri i shkollës politike “Edi Kristaq Rama”. Në këtë kurs ju do të gjeni ekspertë të teknikave të ndryshme revolucionare, të mashtrimit politik, të falsifikimit ekonomik dhe mistifikimit të realitetit. Ofrohen të gjitha njohuritë e trashëguara nga Partia Komuniste dhe bija e saj Partia Socialiste, përgjatë 70 viteve jetë në një shtëpi marksiste-leniniste. Në shkollën politike “Edi Kristaq Rama” ju do të gjeni një ambient të përshtatshëm për t’u specializuar në fushën e opozitës, me mjete të tjera, jashtë parlamentare. Ky kurs përfshin trajtimin në protesta në qytete urbane, suburbane dhe zona rurale, trajnimin për përballimin e grevave të urisë përballë institucioneve kushtetuese, fushimin mujor me çadra në bulevard, apo më qindra metra thellësi në minierat e Bulqizës, ushqimi është falas.
Po ashtu shkolla profesionale “Edi Kristaq Rama” përgatit të rinj të të gjitha moshave të kundërshtojnë policinë me gurë, çadra, shkopinj dhe gjithfarësoj mjetesh të tjera lënduese. Për këtë arsye janë përcaktuar data të ndryshëm për demonstrata të fuqishme, të modeluara sipas 21 janarit 2011, ku beteja do mund të japë shfaqe për të gjithë sytë e botës. Qendra politike “Edi Kristaq Rama” është e hapur për të gjithë pinjollët e ish-nomenklaturës komuniste, pasi ajo ofron tradita dhe rituale familjare të padiskutueshme. Për të gjithë të interesuarit ofrohen punime, tema diplome, dhe detyra kursi në “teknika no global”, “indignados” dhe anarkizëm social. Temat mund t’i sugjeroni vetë, ose Qendra mund t’ju konsultojë gjatë përzgjedhjet së tyre.
Ky kurs është i themeluar nga kreu i Partisë Socialiste Shqiptar, Ed Kristaq Rama, për të kapërcyer momentin e vështirë, pas shumë humbjesh të një pas njëshme elektorale, çka kanë krijuar një ngërç në fytin e shumë militantëve socialistë, që s’kapërdijnë dot faktin e ndryshimit shpesh të taktikave revolucionare. Ky kurs i ri në themel ka bërë kurban rrugën zyrtare të rrëzimit të qeverisë, me mjete antidemokratike. Megjithëse ky kurs i ri ka si gurë themeli shtinjakërinë, që do të thotë se Partia Socialiste formalisht heq dorë nga përmbysja me dhunë e pushtetit, por të tjerët, ose populli mund ta tejkalojë opozitën duke kërkuar rrëzimin e qeverisë, një hap i parë në këtë rrugë të re, që është e vetmja rrugë u pa me 21 janar, kur Rama deklaroj se “populli mund ta tejkalojë opozitën”.
Dhe në Editorialin e fundit që ai pruri në debatit publik, ai thoshte se “çdo qytetar, çdo grup interesi, çdo bashkësi, duhet të bëjë detyrën ndaj vetes duke e luftuar këtë pushtet me të gjitha mjetet e rezistencës paqësore, me të gjithë forcën e fjalës e të protestës qytetare, jo duke pritur që opozita t’i zgjidhë si me magji problemet e mëdha që na mundojnë të gjithëve apo të dalë përditë para publikut për të thënë, “Më ka çu nana me la gojën!” për çdo gjë që ndodh në këtë vend. Këtë nuk e bën asnjë opozitë askund, ashtu sikundër nuk është opozita që udhëheq revoltat në Londër, Athinë, Paris apo kudo ku qytetarët shpërthejnë në protesta të asaj natyre”.
Me një llaf opozita do të ushqejë forma revolucionare në mënyrë shtinjake, për të izoluar qeverinë në një cep, duke e goditur me anti-ligjin, siç ndodhi në Londër, Paris dhe Athinë, ku grupe anarkistësh dhe huliganësh shpërthyen në një dhunë të paparë nda shoqërisë. Në terren nëpërmjet strukturave të cilat kanë vepruar deri tani të nxisë tensionimin e situatës pa marrë përsipër koston politike të tensionimit të jetës politike. Me editorialin përtej Shqipërisë Edi Rama ka shprehur platformën e kursit të ri, që revolucionet bëhen edhe pa opozitën.