Haxhinasto: Bashkëpunimi politik, element i rëndësishëm për vendimmarrjen e BE-së
LSI kërkon mbledhjen e tryezës së partive politike për Reformën Zgjedhore, në fillim të muajit shtator
Lëvizja Socialiste për Integrim i apelon sërish forcave politike, të nisin përgatitjet për hartimin e reformës së re zgjedhore. Nënkryetari i LSI-së, Edmond Haxhinasto njëherazi zv/kryeministër dhe ministri i Punëve të Jashtme, nëpërmjet një konference për shtyp deklaroi se opozita duhet të pranojë ftesën e mazhorancës, për nisjen e dialogut politik dhe konkretizimin e reformës, e cila mbetet një nga kërkesat permanente të faktorit ndërkombëtar. Sipas tij, LSI dhe mazhoranca janë të gatshme për nisjen nga puna të tryezës së partive politike, me qëllim reformimin e Kodit Elektoral, por momenti për të reflektuar i takon opozitës dhe Partisë Socialiste. “Dialogu politik është shumë i rëndësishëm për reformën zgjedhore, kjo për t’i dhënë një mesazh të mirë vendit tonë dhe partnerëve ndërkombëtarë të cilat duan të na shohin në familjen e madhe evropiane”- u shpreh nënkryetari i LSI-së, Haxhinasto.
Ai tha se të gjitha forcat politike duhet të jenë gjithëpërfshirëse në këtë proces, ku mjaft e rëndësishme është dhe kontributi nga Partia Socialiste. “Procesi i reformës zgjedhore duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe i hapur ndaj shoqërisë civile. Pjesëmarrja e opozitës është treguesi më i mirë për larmishmërinë, për të realizuar standardet më të larta zgjedhore” - u shpreh Haxhinasto.
Më tej, në këtë komunikim me mediat ai citoi gjithashtu se reforma zgjedhore dhe bashkëpunimi politik janë elemente të rëndësishme të vendimmarrjes për në Bashkimin Europian, në vjeshtë të këtij viti. “Angazhimi në këtë proces është treguesi më i mirë për gatishmërinë e çdo force politike për të realizuar standardet më të larta zgjedhore. Amendimet kushtetuese nuk lidhen dhe nuk mund të kondicionojnë reformën zgjedhore” - u shpreh Haxhinasto në daljen e tij për mediat nga selia e LSI-së.
Po ashtu nënkryetari i LSI-së, Haxhinasto theksoi se një kondicionim i tillë do të përbënte një alibi të re nga ana e opozitës për mos angazhim në një proces normal të dialogut politik. Ai theksoi faktin se reforma zgjedhore, bashkëpunimi dhe dialogu politik janë një element i rëndësishëm në vendimmarrjen e Bashkimin Europian për dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në vjeshtën e këtij viti. “Angazhimi i çdo force politike në reformën zgjedhore është kontribut i drejtpërdrejtë i saj për integrimin e vendit në BE”- theksoi Haxhinasto.
Ai tha po ashtu se nëse procesi zhvillohet i hapur e transparent dhe jepen kontribute konstruktive nga të gjitha partitë politike do të gjenden zgjidhjet më optimale jo vetëm për institucionet, veçanërisht për menaxhimin e procesit zgjedhor. “Hapi më i rëndësishëm në këtë moment është që të gjithë forcat politike të angazhohen me konstruktivitet në këtë proces dialogu politik”, vuri në dukje Haxhinasto. “LSI është një forcë politike që nuk ka kondicionuar me bllokime procesi. Mendojmë se një debat sa me i gjerë gjithëpërfshirës dhe transparent do të sjellë një produkt që do të jetë më optimali për t’u pranuar nga të gjithë aktorët politik, në mënyrë që gjatë zbatimit të tij nga institucionet të mos mund të kundërshtohen nga asnjë palë”- nënvizoi Haxhinasto.