E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafikimi për prostitucion, 20 vite burg për Hysni Sokolajn

Mashtroi dhe trafikoi një vajzë nga Fieri, me premtimin e martesës. Dhunë çnjerëzore në trupin e E. V. për të ushtruar prostitucion trotuareve në Francë, Belgjikë e Angli. Shenja dhune në trup, të shkaktuara nga thika dhe trapanoja

Trafikimi i femrave për qëllime prostitucioni nga Shqipëria drejt vendeve të BE-së kohët e fundit është transferuar drejt Kosovës. Megjithatë, vazhdojnë ende të shqyrtohen kallëzime të vajzave të trafikuara pas viteve 2000 drejt Belgjikës, Francës apo dhe Britanisë së Madhe. Rastet e hetuara dhe gjykuara nga Krimet e Rënda janë shtuar kohët e fundit dhe një prej tyre është edhe çështja në ngarkim të shtetasit Hysni Sokolaj, për të cilin u kërkua nga akuza dënimi me 20 vite burg dhe 8 milionë lekë gjobë. Fillimisht hetimi për të pandehurin Sokolaj ka nisur në organin e akuzës së Fierit, por më pas për shpallje moskompetence, çështja u kalua për hetim në Prokurorinë e Krimeve të Rënda për veprën penale “trafikim i femrave për qëllim prostitucioni”. Fillimisht, i pandehuri ka qenë person nën hetim dhe më pas u mor i pandehur për trafikimin e shtetases E. V. Gjatë gjykimit, organi i akuzës parashtroi para trupit gjykues provat që dispononte për provimin e aktivitetit kriminal të kryer nga i pandehuri Sokolaj, i hetuar dhe gjykuar në gjendje të lirë pasi është liruar nga Gjykata e Lartë. Sipas akuzës, në verën e vitit 2001 e dëmtuara E. V. është njohur me të pandehurin Hysni Sokolaj rastësisht në qytetin e Fierit, ku ky i fundit punonte në atë qytet në hotel “Shkëlzeni”, pronë e një të afërmi të tij. Pasi kontaktuan disa herë në telefon, E. V. u ftua të pinte një kafe nga i pandehuri. Dhe pikërisht atë ditë që pinë kafe, i pandehuri Hysni e ka marrë E. V. pa njoftuar të afërmit e saj dhe e ka dërguar në qytetin e Durrësit. Gjatë deklarimeve, E. V. ka shpjeguar se ka qëndruar në fillim në një hotel në Durrës e më pas tek shtëpia e motrës së Hysniut. Duke qenë se ajo ishte larguar pa dijeninë e prindërve në Durrës, të afërmit e saj janë interesuar dhe kanë mësuar se E. V. ndodhej me Hysni Sokolajn në Durrës. Prindërit e E. V., së bashku me vëllain e saj, pas disa ditësh kanë shkuar në Durrës dhe e kanë marrë të dëmtuarën. Ndryshe nga çfarë i kishte thënë Hysniu, prindërit e vajzës gjetën në shtëpinë e tij në Durrës gruan e Hysniut dhe fëmijët e tij. Pas kësaj situate të krijuar, i pandehuri Hysni e ka marrë E. V. nga hoteli dhe e ka çuar tek shtëpia e motrës së tij në Durrës. Sipas akuzës, edhe i pandehuri kur shpjegoi para gjykatës tregoi se prindërit e E. V. së bashku me vëllain e saj kishin shkuar në shtëpinë e tij në Durrës pasi, sipas tij, mendonin se ai e kishte rrëmbyer vajzën. Dhe, në fakt, kështu rezultoi, sepse ndryshe nga ç’pretendoi i pandehuri, ai shtetasen E. V. e mori në Durrës në kundërshtim me pëlqimin e familjes së saj dhe duke e mashtruar atë vetë. Ky është konsideruar nga akuza si një nga veprimet kriminale të Hysni Sokolajt, ku provohet qartë një element shumë i rëndësishëm i rekrutimit të E. V., ku më pas vazhdoi me trafikimin e saj në Belgjikë e Angli. Ky fakt u provua edhe nga dëshmia e Luljeta Vashës, e cila shpjegoi se kur ka shkuar në Durrës të gjejë vajzën e saj tek shtëpia e të pandehurit ka takuar ish-gruan e Hysniut, Afërditën. Ka qenë njohja e Hysniut dhe lidhja e tij me të dëmtuarën, e cila ka sjellë edhe divorcin e mëpasshëm të tij me të shoqen, Afërditën.

Mashtrimi me qëllim prostituimin

Sipas organit të akuzës, pasi realizoi largimin e parë të E. V. nga shtëpia nëpërmjet mashtrimit, i pandehuri krijoi një situatë aspak të favorshme sociale për të dëmtuarën, duke e bërë atë të krijojë kontradikta të thella me familjen e saj dhe me të afërmit. Në këto pozita aspak të favorshme, ajo pranoi të largohet me të pandehurin jashtë Shqipërisë duke besuar në premtimet e tij për martesë, premtime që u provuan që nuk ishin aspak të vërteta. Në datën 16.7.2001, E. V. është larguar me shtetasin Hysni Sokolaj me gomone nga qyteti i Vlorës për në Itali. Në Itali ka shkuar fillimisht në qytetin e Leçes e më pas kanë kaluar për në Francë. Në Francë nuk ka qëndruar asnjë ditë, por ka shkuar drejt e në Belgjikë, në qytetin e Anversës. Në Anversë janë sistemuar në shtëpinë e një shokut të Hysniut me emrin Agron, i cili kishte një vajzë të cilën e shfrytëzonte si prostitutë prej disa vjetësh. Hysniu i ka thënë E. V. se t’i do të dalësh të punosh prostitutë në rrugë së bashku me vajzën që shfrytëzonte Agroni. E dëmtuara e ka kundërshtuar Hysniun, duke i thënë se i kishte premtuar se do të shkonin në Londër ku do të krijonin familje. Pasi ka hasur në kundërshtimin e të dëmtuarës, Hysni Sokolaj ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj, duke e rrahur me rripin e pantallonave, e shponte me thikë, si dhe e qëllonte me sende të forta në kokë. Pas gjithë këtyre torturave, e dëmtuara ka pranuar të ushtrojë prostitucion nën dhunën fizike të Hysni Sokolajt. Ka ushtruar prostitucion për rreth dy muaj në Belgjikë. Pas dy muajsh, me pasaportën greke që i siguroi i pandehuri Hysni, kanë shkuar në Angli. Në Angli është kapur nga policia pasi e kishin kuptuar se pasaporta ishte e falsifikuar duke e mbajtur në një kamp për rreth gjashtë ditë. Në kamp, ka shkuar motra e Hysni Sokolajt, shtetasja Besa Sokolaj, e cila e ka nxjerrë nga kampi dhe e ka çuar në shtëpinë e saj në Londër. Në Londër ka qëndruar një natë pa u shfrytëzuar dhe të nesërmen i pandehuri me anë të dhunës fizike e psikologjike e ka detyruar të dëmtuarën E. V. të ushtrojë përsëri prostitucionin me qëllim fitimi. Në Angli janë sistemuar në qytetin Lewishan, i cili është rreth 200 km larg Londrës. Në këtë qytet ka ushtruar prostitucionin në një banesë që përdorej për këtë qëllim. Në këtë vend shfrytëzimi, të dëmtuarën e çonte rregullisht i pandehuri Hysni Sokolaj me automjet rreth orëve 11.00 deri në 24.00 të natës. Mesatarisht e dëmtuara kryente marrëdhënie seksuale me 20 klientë dhe fitimi ishte 400-500 paund, të cilat pas mbarimit të prostitucionit ja dorëzonte Hysni Sokolajt. Përveç këtij vendi, e dëmtuara është shfrytëzuar dhe në adresën 459 Highstreet North Manor Park, si dhe 2 Rixen Road Park, në të cilat ka ushtruar prostitucionin me dhunë për rreth katër vjet. Në vendin e quajtur Cristal Palace, e dëmtuara është kapur nga policia duke ushtruar prostitucionin dhe më pas është lënë e lirë. Gjatë kohës prej 5 vjetësh që është shfrytëzuar si prostitutë nga i pandehuri Hysni Sokolaj, ka mbetur 4 herë shtatzënë dhe më pas ka abortuar fëmijën nga presioni i Hysni Sokolajt. Në dy raste ka abortuar në spitalin e Lewishanit, duke përdorur emrin e njërës nga motrat e Hysniut, Manjola Sokolajt. Këtë fakt e konfirmoi dhe nëna e E. V. para gjykatës, duke treguar për ato çka vajza i kishte treguar dhe që i kishte përjetuar gjatë jetesës së saj në Angli. Vetë e dëmtuara, në deklarimet para hetuesve ka shpjeguar se ende kishte dy shenja në dorën e majtë, njërën në kurrizin e dorës afër gishtit të madhe dhe tjetrën tek gishti i unazës të cilat ia kishte bërë Hysniu gjatë keqtrajtimeve fizike dhe rrahjeve që i bënte për ta detyruar të ushtronte prostitucion. Në trupin e saj ai kishte shkaktuar dhe dëmtime të tjera nga keqtrajtimet fizike. Ai këto dëmtime ia kishte shkaktuar me trapano dhe me thikë. 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›