E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Vlorës nuk parashikon sistem ngrohjeje në shkolla, as për vitin 2009

Nxënësit, në mëshirë të kohës. Drejtoria nuk lejon ngrohje me soba dhe gaz  
Shkollat e të gjitha kategorive në qytetin e Vlorës po e mbyllin këtë dimër pa asnjë sistem ngrohjeje. Por ky është lajmi ndoshta më i mirë se fakti tjetër, që edhe në dimrin që do të vijë pas verës, nuk do të ketë ngrohje nëpër shkolla. Duket se premtimet e bashkisë për të arritur që të çojë nëpër shkolla sistem ngrohjeje nuk do të realizohen edhe këtë vit. Kjo sepse në buxhetin e bashkisë për këtë vit, shuma e lekëve në dispozicion të sistemit të arsimit është i njëjtë me atë të viteve të mëparshme, që nuk mjafton për të siguruar ngrohje nëpër shkolla. Ajo shumë është vetëm 5.5 milionë lekë dhe mjafton vetëm për të mbuluar shpenzimet operative nëpër shkolla. Shuma më e madhe e këtyre lekëve shkon për të paguar energjinë e harxhuar nëpër këto shkolla dhe po ashtu për riparime të vogla nëpër to. Në të vërtetë edhe këtë dimër që gjatë dhjetorit sidomos ishte shumë i ftohtë edhe në Vlorë, nuk kishte ngrohje në asnjë shkollë publike në qytet. Kjo ka detyruar nxënësit që të shkojnë nëpër shkolla me veshje të trasha, të cilat nuk mund të heqin as gjatë mësimit, çka i ka bërë nxënësit të shkruajnë me shumë vështirësi. Shtoji kësaj edhe faktin që në shumë klasa ka më shumë se 40 nxënës dhe rëndimi i ajrit është më i madh se sa duhet. "Nuk guxojmë të hapin dot dritaren ndonjëherë për të freskuar klasën se është ftohtë", thonë nxënësit e një shkolle në mes të qytetit, duke shtuar se edhe pse kanë kërkuar të çonin nga shtëpia ndonjë mjet ngrohjeje, nuk janë lejuar nga drejtoria. "As ndonjë furnelë elektrike dhe asnjë ngrohje me gaz nuk na lejonin nga frika se mos pësonim ndonjë zjarr", tregojnë nxënësit. E kjo dukuri mesa duket ndodh vetëm në shkollat e qytetit, sepse në shkollat e fshatit problemi duket sikur është zgjidhur në një mënyrë vetjake. Vetë nxënësit kur shkojnë në shkollë marrin me vete edhe ndonjë copë dru nga shtëpia, që u shërben për të ndezur sobën në klasë që edhe këtë në pjesën më të madhe të rasteve e kanë gjetur vetë. Por edhe perspektiva për dimrin tjetër është e njëjtë.
Bashkia ngre supet për investimet në shkolla
Buxheti i miratuar i bashkisë nuk ka planifikuar asnjë lekë për sistemin e ngrohjeve nëpër shkolla. Në drejtorinë rajonale të arsimit i kanë "larë duart" me këtë problem, sepse sipas drejtuesve të saj, me infrastrukturën nëpër shkolla merret bashkia dhe këto drejtori nuk kanë asnjë fond për sistemin e ngrohjes. Ndërkohë që në bashki të ngrenë supet kur i pyet se përse edhe këtë vit nuk është planifikuar asnjë fond për sistemin e ngrohjeve nëpër shkolla, ndonëse në të gjitha fushatat elektorale, sigurimi i këtij sistemi ka qenë në planin e kandidatëve. Por duket këtë vit ka fushatë elektorale parlamentare dhe deputetët i marrin votat edhe pa siguruar sistem ngrohjeje nëpër shkolla dhe ky sistem më së shumti ka të bëjë me kryetarët e bashkive dhe komunave. Në këtë kuadër, nxënësit duhet të presin edhe nja tre vjet të tjera për të marrë premtimin e radhës, se do tu sigurohet   sistemi i ngrohjes nëpër shkolla. E ashtu si vitet e tjera, edhe ky mund të mbetet sërish në kuadrin e premtimeve, duke i lënë nxënësit në mëshirë të fatit dhe kohës.    
 

Email This Klikime: 11

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›