Bashkia e Vorës: Banorët do të plotësojnë dy formularë
Banorët e prekur nga shpërthimi i një sasie të konsiderueshme municioni në një depo armatimi në fshatin Gërdec, do të plotësojnë dy formularë për dëmet që u janë shkaktuar, për të përfituar më pas ndihmën e qeverisë. Gazeta "Shqip" ka siguruar pasditen e djeshme formularët e publikuar nga Bashkia Vorë, ku çdo kryefamiljar duhet të vlerësojë dëmet në banesa. Ndërsa formulari tjetër është për vlerësimin e dëmeve për orenditë e pajisjet elektroshtëpiake që gjendeshin në banesë në momentin e shpërthimit. Në formularin e parë përcaktohet banesa me dëmtime të rënda, dëmtime mesatare dhe dëmtime të lehta. Ekspertët vlerësuan se banorët duhet të përcaktojnë dëmtimet e çatisë, llojin e muraturës, të themelit, të xoklaturës dhe të dyshemesë. Ndërkohë duhet të vlerësojnë materialet e dritareve dhe dyerve. Bashkia Vorë tha se banorët duhet të përcaktojnë edhe për problemet e instalimeve elektrike, hidraulike, të ngrohjes, llojin e suvatimit, llojin e kanalizimeve, termo-izolimin dhe dëmtime të tjera që mund të shënohen në formular. Mësohet se vlera e përafërt në lekë do të përcaktohet nga kryefamiljari dhe më pas do të vlerësohet me çmimet e tregut nga anëtarët e komisioneve të vlerësimit.
Në formularin e dytë, Bashkia Vorë ka përcaktuar edhe vlerësimin e dëmeve në orendi dhe pajisje shtëpiake, ku banorët duhet të përcaktojnë dëmet në kundrabufe, sobë elektrike, televizor lavatriçe. Ndërsa të tjera vlerësime janë për mallrat ushqimore, në veshmbathje, pajisje elektrike dhe orendi të tjera. Edhe në këtë formular banorët duhet të përcaktojnë edhe vlerën e përafërt të orendive. Shtabi i emergjencave ka ngritur dje edhe komisionet e vlerësimit, të cilët do të përbëhen nga pesë anëtarë, ku tre prej të cilëve do të jenë nga Bashkia Vorë dhe dy të tjerë nga prefektura dhe nga ALUIZNI. Për këtë situatë, Kryeministri Berisha tha se: "Mos të harrojmë se janë njerëz me shtëpi të shembura. Emergjenca është emergjencë dhe duhet të veprohet siç kemi vepruar në këtë operacion pa asnjë lloj ndërprerjeje për vlerësimin e të gjitha dëmeve dhe ndërhyrjet me emergjencë për rindërtimin e bizneseve, për zhdukjen sa më të shpejtë të të gjitha pasojave", u shpreh Kryeministri, duke shtuar se qeveria do të ndërmarrë të gjitha masat që këto pasoja të mbyllen në një kohë sa më të shkurtër. Në këtë kontekst, Kryeministri u ka kërkuar anëtarëve të Komisionit Ndërqeveritar që të gjejnë familjet që u janë shkatërruar shtëpitë dhe të vendosen në kovaleshencën e Ministrisë së Brendshme dhe të Ministrisë së Mbrojtjes në Durrës e të qëndrojnë atje deri në rindërtimin e shtëpive të tyre. Më pas tha se duhet të ngremë një grup të madh pune që të bëjmë këtë vlerësim në një kohë sa më të shkurtër. "Pasi të bëhet ky vlerësim, qeveria është e vendosur të mobilizojë të gjitha resurset e saj për t‘iu përgjigjur me shpejtësinë dhe për të marrë veprimet më energjike, që të rikuperohet e rindërtohet sa më shpejt zona, realisht e shkatërruar. Pas vlerësimit të dëmit do të përcaktohen të gjitha rrugët e kapërcimit të situatës. Tani për tani ne e kemi të domosdoshme vlerësimin milimetrik dhe të saktë të zonës e mbi atë bazë do të merret vendimi i qeverisë", the kreu i qeverisë. Pyetjes se kur do të fillojë vlerësimi, Berisha iu përgjigj: "Deri tani jemi marrë me jetën e njerëzve. Ashtu siç po e shikoni dhe ju, krahas kërkim-shpëtimit, ka filluar dhe është bërë vlerësimi i parë i dëmit nga autoritetet vendore. Tashmë do të rivlerësohet kjo punë, për të bërë të mundur ndërhyrjet sa më emergjente. Zona është shpallur zonë e emergjencës civile, zonë fatkeqësie. Vendi ynë ka ligje, që përcaktojnë të gjitha modalitetet e ndërhyrjeve në zonat e emergjencës. Ne do të zbatojmë ligjet e vendit", tha Kryeministri.