E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimi, 1690 shtëpi të shkatërruara

Shtabi ndërministror i emergjencave në Vorë, i kryesuar nga zv/kryeministri Gazmend Oketa, ka publikuar dje bilancin tragjik të shkatërrimeve masive, pas shpërthimit të një depoje municionesh në fshatin Gërdec, në periferi të Tiranës. Sipas të dhënave paraprake, janë 1690 shtëpi të shkatërruara plotësisht dhe pjesërisht, ku shumica e tyre janë pranë kraterit të shpërthimit, kryesisht në lagjen "Marqet 1" në fshatin Gërdec, ku kanë pësuar dëmtime të rënda 185 shtëpi. Ndërsa të shkatërruara plotësisht janë 313 shtëpi po në atë fshat. Shtabi deklaroi dje se 180 shtëpi kanë pësuar dëmtime të lehta në fshatin Muçaj. Dëmtime ka pasur edhe në fshatrat Shargh, Marikaj, në qytezën e Vorës dhe në fshatin Gjokaj.

Zonë fatkeqësie

Në godinën e Bashkisë Vorë, e shkatërruar pjesërisht nga shpërthimet në fshatin Gërdec, ka vijuar mbledhja dhe diskutimi i emergjencave që ka zona. Nën udhëheqjen e zv/kryeministrit Gazmend Oketa, ku morën pjesë ministri i Bujqësisë, Jemin Gjana, zv/ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, kreu i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, drejtori i emergjencave civile, Alfred Olli, dhe prefekti i Tiranës, Ruzhdi Keçi, është kryer një bilanc, ndërsa zona është emërtuar si "zonë fatkeqësie". Në mbledhje morën pjesë edhe Kryeministri Berisha, i cili tha se qeveria do të mobilizojë të gjitha resurset për të kapërcyer plotësisht pasojat e kësaj tragjedie. Më tej, deklaroi se gjatë 2-3 ditëve në vazhdim do të bëhet një punë e thelluar me ekipet e vlerësimit. Në mbledhje u vendos që Agjencia e Legalizimit, ALUIZNI, do të marrë pjesë me ekipet e vlerësimeve. Sipas Berishës, qeveria ka vendosur në të gjithë zonën njësitë e policisë. "U bëj thirrje banorëve, kudo që ndodhen, duke falënderuar me shumë mirënjohje ata që i kanë strehuar dhe që mund të jenë familjarët më të afërt të tyre, që të shfrytëzojnë ato lehtësi që kemi krijuar në dy qendrat e konvaleshencës dhe dua t‘i garantoj se së bashku me autoritetet vendore, me emergjencën civile dhe me gjithë autoritetet e vendit do të punojmë për të ringritur, rindërtuar, në një kohë sa më të shkurtër, shtëpitë e tyre, për të pastruar sa më shpejt zonën nga predhat e municionet që paraqesin rrezik për jetën e tyre", tha ai.

"Katastrofa, deri 1000 të vdekur"

Gjatë diskutimeve që kanë kryer anëtarët e shtabit ndërministror të emergjencave, u hodh ideja se nga fuqia e shpërthimit që ndodhi në Gërdec mund të kishim 1000 të vdekur. Sipas tyre, nëse i gjithë armatimi do të kishte shpërthyer në të njëjtën kohë, atëherë zonat përreth kraterit do të ishin zhdukur plotësisht. Një nga anëtarët tha se është "fat" i madh bilanci i deritanishëm dhe se puna e kryer nga policia dhe ushtria ka qenë nën parametrat e duhur. Gjithsesi, anëtarët e tjerë deklaruan se tashmë vëmendja duhet të përqendrohet në jetën e njerëzve, ndërsa më pas të kryhet një vlerësim sa më i përpiktë për të dëmshpërblyer të pafajshmit. Shtabin e emergjencave e "vizitoi" edhe Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, e cila tregoi historinë personale në momentin e shpërthimit. Sipas saj, në momentin e shpërthimit gjendej në zyrë dhe është dëgjuar një zhurmë e madhe. Më pas dyert dhe dritaret e zyrës janë përplasur, duke krijuar një zhurmë mbytëse. Kryetarja e Parlamentit dëgjoi pretendimet e ngritura nga anëtarët e shtabit rreth mënyrës së vlerësimit e dëmeve në zonat përreth.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›