E Diel, 1 Nëntor 2026

Korrupsioni, miliona euro nga ferr-fabrika në Gërdec

Shpërthimi katastrofal në fshatin Gërdec, pak kilometra larg Tiranës, është shkak i një korrupsioni prej miliarda eurosh të autoriteteve që kanë firmosur me firmën nënkontraktore. Burime të ndryshme kanë pohuar dje se, bëhet fjalë për procedura tërësisht të shkelura ligjore, që i kanë krijuar mundësi firmës nënkontraktore të përfitojë miliona euro në mënyrë të paligjshme nga shitja e gëzhojave, baruteve, plumbave etj. Të dhënat e pohuara nga burimet gazetareske duket se janë mbështetur edhe nga kryeprokurorja Ina Rama, e cila në daljen e saj të parë publike, pas tragjedisë së Gërdecit, renditi hapat e ndërmarrë nga hetuesit deri tani dhe ato që do të ndërmerren. Rama bëri të ditur se është sekuestruar një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit në Ministrinë e Mbrojtjes, që lidhet me çmontimin dhe demilitarizimin e municionit. Po ashtu, janë pyetur drejtuesit e firmës "Albademil", e cila me nënkontraktim ka marrë përsipër procesin e çmontimit. Në pyetje, sipas kryeprokurores Rama, u morën edhe drejtuesit e firmës "MEICO" dhe "Vrana Security", ndërsa la të kuptojë se pyetjeve të hetuesisë di t‘u nënshtrohet edhe ministri i Mbrojtjes, Mediu. Nga të dhënat paraprake, të llogaritura prej ekspertëve të ushtrisë shqiptare, nga sasia e materialeve ushtarake që ndodheshin në "fabrikën e vdekjes" në Gërdec, përfitimet e paligjshme e kapërcejnë shifrën 50 milionë euro.

Ina Rama tha dje, se janë disa pista hetimore për shpërthimin e fuqishëm në Gërdec, ku nuk përjashtohet as qëllimi kriminal që mund të kenë individë të ndryshëm kundër shtetit shqiptar. "Sapo prokuroria u vu në dijeni për ngjarjen, grupi hetimor tentoi nëpërmjet prokurorëve të tij të afrohet në vendin e ngjarjes, gjë që rezultoi e pamundur, për shkak të rrethanave tashmë të njohura", deklaroi kryeprokurorja. Sipas saj, rreth orës 17:00 të së shtunës, grupi hetimor i përbërë nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi dhe Genci Qana, kanë filluar të kryejnë veprimet e para hetimore. Veprimet kanë konsistuar në identifikimin e kufomave që gjendeshin në morgun e Spitalit Ushtarak dhe atij "Nënë Tereza" prej oficerëve të policisë gjyqësore. Janë pyetur rreth 30 persona që kishin dijeni për rrethanat e ngjarjes. Sipas Ramës, kontakti me ta ka qenë shumë i vështirë, sepse gjendeshin të shpërndarë në vendeve të ndryshme dhe sepse ishin të traumatizuar nga ngjarja. "Eshtë sekuestruar një pjesë e konsiderueshme e dokumentacionit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe po punohet për të sekuestruar të gjithë dokumentacionin që lidhet me procesin e çmontimit dhe të demilitarizimit të municionit", pohoi Ina Rama, sipas të cilës, janë pyetur drejtuesit teknikë të firmës "Albademil" dhe specialistë. Kryeprokurorja tha se janë pyetur edhe drejtuesit dhe specialistët e firmës "MEICO", ndërmarrje shtetërore që funksionon si strukturë pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Sipas Ramës, "të gjitha këto veprime dhe të tjera që nuk mund t‘i bëjmë publike për efekt hetimi, janë kryer në funksion të 5 pistave".

E para, ka të bëjë me zbatimin e rregullave për administrimin dhe ruajtjen e lëndëve plasëse nga të gjitha subjektet që janë aktore të këtij procesi, duke filluar nga firma "MEICO", tek firma amerikane "Southern Ammunition Company" dhe "Albademil". Pista e dytë është zbatimi i rregullave për ruajtjen fizike të objektit, që ishte marrë përsipër nga firma "Vrana Security". "Zbatimi i rregullave në lidhje me përzgjedhjen e vendit ku është kryer ky proces", është pista e tretë, tha Rama. Më pas, ajo deklaroi se pista hetimore e katërt ka të bëjë me shpërdorimet e detyrës dhe e fundit "dyshohet nëse e gjithë ngjarja është pasojë e këtyre rregullave apo e një veprimi kriminal të kryer me dashje". Mësohet se gjatë orëve të para të ditës së djeshme janë pyetur me dhjetëra banorë të mbijetuar, si edhe punëtorët, që kanë mundur t‘i shpëtojnë shpërthimit gjigant. Hetuesit duhet t‘u japin përgjigje edhe pyetjeve se përse fabrika e çmontimit të predhave u pranua të jetë në mes të një zone të banuar, është marrë apo jo parasysh siguria e aeroportit ndërkombëtar dhe siguria e vetë kryeqytetit etj., etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›