Kryebashkiaku i Vorës, kundër Ministrisë së Mbrojtjes
Kryetari i Bashkisë së Vorës, Fiqiri Ismaili, i ka dërguar një shkresë gjashtë muaj më parë Ministrisë së Mbrojtjes, ku i bën me dije rreziqet që i kanoseshin popullatës. Në një deklaratë publike Ismaili tha se vendi ku ndodhi shpërthimi ka qenë ish-repart ushtarak, në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa fabrika është ndërtuar para gjashtë muajsh. "Aprovimi është kryer nga ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes. Është një objekt i rrezikshmërisë së lartë. Leja është dhënë nga ministria", deklaron bashkiaku, ndërsa saktëson se shqetësimin ia ka paraqitur edhe organeve përkatëse. "Ne i kemi përcjellë Ministrisë së Mbrojtjes kundërshtitë tona, ku i bënim me dije se ky repart ushtarak të kthehej në një kompleks sportiv. Por ministria ka marrë vendimet e veta. Normalisht çmontimi i predhave kërkonte vende larg popullatës", tha Ismaili. Duke folur për situatën e krijuar pas shpërthimit të një sasie municionesh luftarake në fabrikën e fshatit Gërdec, deklaroi se tashmë është nën kontroll. Sipas tij, forcat e specializuara të policisë dhe ushtrisë ndodhen në zonën pranë vatrës së shpërthimit në Gërdec dhe po bëjnë këqyrjen dhe krehjen e saj. Ismaili siguroi banorët se nuk ka mundësi shpërthimesh të tjera në këtë zonë. Sipas Ismailit, shtabi i emergjencës po bën edhe vlerësimin e situatës për dëmet e shkaktuara në banesa apo godina të Bashkisë së Vorës nga vala e shpërthimit të së shtunës të municionit luftarak në fabrikën në fshatin Gërdec, ku çmontoheshin municionet luftarake. Dje paradite ka filluar kthimi i banorëve në zonat e prekura nga vala e shpërthimit në fabrikën ku çmontoheshin armët luftarake në fshatin Gërdec. Banorët e Vorës ishin evokuar ditën e djeshme nga grupet e shtabeve të emergjencës, të përbërë nga forca policie, ushtrie dhe ekipe mjekësore, pas shpërthimit të arsenalit luftarak në fshatin Gërdec, rreth 20 kilometra larg Tiranës. Sipas kryetarit të Bashkisë së Vorës, banorët po u rikthehen banesave të tyre. Ndërkohë që grupet e xhenios po këqyrin vatrat ku ndodhi shpërthimi i arsenalit luftarak në fabrikën e çmontimit të municioneve në fshatin Gërdec.