Bashkia e Vorës, pesë grupe pune për ankesat e qytetarëve
Tiranë - Banorët e Gërdecit, për të gjitha abuzimet me ndihmat apo me fondet që janë dhënë për ta, fare mirë mund të denoncojnë shkeljet. Bashkia e Vorës ka ngritur pesë grupe pune që presin ankesat e banorëve që kanë humbur shtëpitë nga shpërthimi që ndodhi në Gërdec. Ankesat janë përgjithësisht për procesverbalet e evidentimit të dëmeve, për të cilat grupet e punës po punojnë në terren për të verifikuar ankesat e tyre. Disa banorë të Gërdecit dhe fshatrave përreth shpeshherë janë ankuar në media sepse nuk po marrin përfitimet për dëmet dhe se nuk kanë ku të jetojnë pasi duan të kthehen pranë shtëpive të tyre. Ndërkohë që prej disa ditësh vazhdon shpërndarja e ndihmës financiare për këta banorë. Bashkia e Vorës bën të ditur se Këshilli Bashkiak ka miratuar listat e personave që do të përfitojnë ndihmë financiare. Numri i familjeve që do të përfitojnë nga kjo ndihmë ka arritur në 537 ose 1600 banorë. Ndarja e ndihmës financiare ka nisur që më datën 24 mars në sportelet e Postës Shqiptare të hapura për këtë qëllim në qytetin e Vorës dhe deri tani numri i familjeve që kanë përfituar, nga fshati Gërdec dhe Marqinet 2, ka arritur në 508 me një shumë totale prej 83.750.000 lekësh. Nga evidentimet e para që janë kryer në terren, Bashkia e Vorës ka vendosur që familjet e fshatit Marqinet 1, shtëpitë e të cilëve janë të pabanueshme, do të marrin ndihmë emergjente financiare prej 100.000 lekësh. Ndërkohë, ata janë të lirë të marrin shtëpi me qira, vlera e së cilës do të mbulohet nga Bashkia. Për komunitetin e prekur nga fatkeqësia janë vënë në dispozicion mjete transporti falas për transportin e familjeve, të cilat kërkojnë të strehohen në Shtëpinë e Pushimit të Ministrisë së Brendshme dhe të Mbrojtjes në Plazhin e Durrësit. Numri i të akomoduarve në këto shtëpi ka arritur në 450 persona. Ndërkohë, banorët nuk mund të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të pasigurisë së terrenit. Komisioni i emergjencave po bashkëpunon me Drejtorinë e Shërbimit Shëndetësor të Tiranës dhe Drejtorinë e Ujësjellës-Kanalizimeve për të mbajtur në gatishmëri grupe specialistësh nga Inspektorati Sanitar dhe Shëndetësor për të ndërhyrë në rast se do të shfaqen probleme të infeksioneve të ndryshme, ndërsa po punohet me ritme të përshpejtuara për riparimet e shkollës 9-vjeçare të fshatit Marikaj dhe të shkollës së mesme në Vorë.
E. Sako
27 Mars 2008