E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthimet në Gërdec, ndërron jetë në Brindizi 54-vjeçarja



Listës së personave që humbën jetën nga shpërthimi i fuqishëm në fshatin Gërdec i shtohet edhe një tjetër viktimë. Ditën e djeshme, në Spitalin e Brindizit, ndërroi jetë 54-vjeçarja Zylfie Ahmeti. Ajo nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda që mori dhe djegieve të thella. Ministria e Shëndetësisë konfirmoi vdekjen e 54-vjeçares në Brindizi, gjë që shënon humbjen e dytë të pacientëve të shtruar në këtë spital brenda dy ditëve. Ajo u transportua në Itali më 17 mars së bashku me 10 pacientë të tjerë. Aktualisht, numri i të plagosurve që humbën jetën, pasi u transportuan jashtë vendit për trajtim më të specializuar mjekësor, shkon në katër. Tre pacientët e parë që humbën jetën në Itali janë: Azem Ameliu, 46 vjeç, i cili ndërroi jetë më 17 mars; Nafie Laçi, 37 vjeçe, e cila ndërroi jetë më 23 mars; Kore Deliu, 48 vjeçe, e cila ndërroi jetë më 25 mars. Kështu shkon në 24 numri i viktimave që gjetën vdekjen nga shpërthimi i fuqishëm në Gërdec.

Ivanaj: “Barna dhe shërbime falas për të dëmtuarit në shtëpitë pritëse”

Drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana dhe zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, vizituan shtëpitë e pushimit ku po qëndrojnë familjet e mbetura të pastreha nga tragjedia e Gërdecit. Ivanaj theksoi se të gjithë qytetarët që kanë probleme shëndetësore do të kurohen me medikamente falas nga ekipi mjekëve që punon 24 orë në këto qendra. Aktualisht shërbejnë 10 mjekë dhe disa infermierë, të ndarë në tre turne, për çdo nevojë shëndetësore të banorëve. Këtij personeli shëndetësor, të vendosur nga ISKSH-ja, gjatë orëve të pasdites i bashkohet edhe një staf i specializuar mjekësh nga Spitali i Durrësit. Ndërsa gjatë gjithë ditës, banorët po trajtohen me ndihmën e psikologëve dhe psikiatërve të vendosur nga Ministria e Shëndetësisë. Mjekët thonë se problemet kryesore shëndetësore të të sëmurëve kronikë janë hipertensioni, si dhe ka raste të epilepsisë apo sëmundjeve psikike. Rastet më të shpeshta për personat që nuk vuajnë nga sëmundje kronike janë neurozat te të rriturit dhe kryesisht bronkiti alergjik i stinës te fëmijët. Pas hapjes së librezave shëndetësore për disa pacientë kronikë, ka nisur dhe dhënia e barnave me rimbursim për këta pacientë. Hana u shpreh se do të hapen libreza shëndetësore për personat që mbulohen 100 për qind nga ligji, si fëmijët dhe pensionistët, veç atyre që kanë sëmundje kronike.

27 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›